Editorial

June 11, 2019 | 8:20

Nga Orjona TRESA / “Ti Shqipëri më jep nder…”

Po të më bjerë rasti të më pyesin dhe ripyesnin në vazhdimësi e në mënyrë publike, padyshim që do ta pohoja gjatë një fakt të tillë: “Ti Shqipëri më jep nder,…”.

orjonaMe gjithë problemet historike, sociale apo dhe fizike, për mua mbetet vendi amë, vendi ku është krijuar vija e jetës së të parëve të mi. Është vijimësia e gjenezës së një kombi që flet gjuhën e bukur shqipe, është vendi që me gjithë vogëlsinë e tij gjeografike, ka hapësirë të pamatë, perla natyrore, faunë dhe reliev malor të mrekullueshëm, ku ka burime minerale dhe gjithçka tjetër, që vende me sipërfaqe më të mëdha nuk i kanë.

Shqipëria të bën të ndihesh i nderuar ku përmenden kokat e shquara që i kanë dhënë shpirtin këtij vendi. Janë burrat e historisë, ata që themeluan alfabetin e që u sakrifikuan për shkollën shqipe, të dijetarëve dhe studiuesve të shquar që na kanë lënë thesare aq sa fama e tyre i ka rënë përqark globit. Dhe ka më shumë se kaq.

Por a jemi ne sot ata që ishim dje? Padyshim që çdo komb evoluon, e tillë është jeta. Vetë e mira dhe e keqja si koncept janë në relacion të vazhdueshëm për “zgjerim territoresh”. Dhe ashtu si jeta që ndërtojmë në shtëpitë tona të vogla, ashtu është dhe jeta e një kombi. Është një realitet i pashmangshëm që reflektohet në periudhat e ndryshimit. Dhe sot na duket se nuk jemi më ne ata, shqiptarët e 50 viteve më parë, të 100 viteve jo e jo.

Na nevojitet reflektimi!

Jemi bashkëkohës të një sistemi, ku bashkë me tranzicionin e gjatë, na duhet të ruajmë ekuilibrat jo vetëm në familjen tonë. Kriminaliteti, pabesia, makutëria, varfëria shpirtërore, gjëra që më shumë na dominojnë në përditshmëri, na vënë përpara një ngarkese emotive. Për kë është prind fëmije, e ka të pamundur t’u shmanget zbërthimeve, metaforike ndonjëherë, të këtyre situatave pjellakeqe. Fëmija është i sinqertë, kërkon shpjegim. Ai ende nuk e percepton dot këtë gjë, ose ndoshta e ka të pamundur ta besojë, ndërsa bashkë me frikën e vdekjes, struket dhe krijon pasiguri të reja. “Kam frikë nga errësira”, “nuk i dëgjoj dot krismat”, “pse ka kaq vrasje?”, “a është droga një gjë qejfi?”… e plot dilema ndjellakeqe që sulmojnë zemrën e një të vogli.

Çfarë na mungon?

Na mungon dashuria! Atë lloj dashurie që nuk e mbajmë vetëm për veten, por e shpërndajmë. Na mungon zemërgjerësia, humanizmi, ajo që në ditët e sotme ekraneve trumbetohet si shembull, por në fakt as nuk i afrohet modelit. Përpiqemi të kapemi pas nuancave të saj të mirësisë, ndërsa do e konsideroja si një trend masiv, një përpjekje për shfaqjen e radhës apo për të mbuluar gjurmët e një shpirti që mëkaton rëndom.

Na mungon liria!

Liria e të qenit i sinqertë me veten për së pari, e mandej me të tjerët. Kultura e ndrydhjes na ka sfiduar edhe në këtë mijëvjeçar të ri. Bjerrja e vendit nga vendasit e vet shënon shifra të frikshme. Statistikat thonë se po plakemi si popullsi. Arsimi ka probleme dijeje. Universitetet e rretheve po zvogëlohen. Papunësia po i zbraz qytetet e vogla. Tirana po bëhet metropoli i egër. Pensionet “rriten” për t’u rrëmbyer dyfish. Farmaceutika po na e farmakos shëndetin. Dhjetëra ton medikamente kapen kontrabandë me skadencë të tejkaluar. Kultura po merr goditje të njëpasnjëshme. Turizmi kulturor po mbahet me zor….

E prapë, prapë, i qëndroj kësaj Shqipërie, vendlindjes time, asaj që më jep lirinë e të folurit gjuhës time. Asaj që me forcë ia marr zgjidhjen, ia vjedh mundësinë, ia shkel makutërinë dhe ia thyej hundët egërsisë. Nëse çdokush do përpiqej të forconte pozitat e veta, të plotësohej dijësish, kulturalisht, do të gjente minimumin e të gjithave, pa e fyer a e marrë nëpërkëmbë padrejtësisht nga sharlatanë që varfëria shpirtërore e sociale i ka bërë më të keq se e keqja vetë. Zgjidhja është në vendin tënd! Mjafton të lëvizësh gurët. “Dheu është flori”, thoshte Sami Frashëri!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top