Psikofakt

December 4, 2019 | 11:36

Nga Osman Stafa: 7 ditë nga tërmeti… nga shënimet e një gazetari që e jetoi ngjarjen në terren të vështirë

Kanë kaluar 7 ditë nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit. Gjithë këto ditë, kam qenë në terren nga mëngjesi në darkë, ku kam raportuar nga Thumana, Durrësi (qytet e fshatra) për pasojat e tërmetit. Gjatë këtyre ditëve nuk ka qenë koha për të akuzuar, për të thënë çfarë nuk shkoi siç duhet, apo për dështimin e emergjencave civile, e shumë autoriteteve të tjera që duhej patjetër të ishin pranë atyre njerëzve që kishin nevojë.

Osman Stafa, gazetar News24

Po çfarë kam parë unë gjatë këtyre ditëve? (Mbaj përgjegjësi të plotë për çdo gjë që them).

Sapo ra tërmeti mësuam se ishin shembur pallate në Thumanë dhe në Durrës. Të parët që shkuan tek ndërtesat e rrëzuara ishin banorët, të cilët u përpoqën të nxirnin nga rrënojat ata që mundën.

0Më pas erdhën autoritetet, të cilët fatkeqësisht nuk bënë më shumë sesa banorët, për shkak se nuk kishin asnjë mjet. Është për t’u vlerësuar mundi i tyre, (policëve, ushtarëve, zjarrfikësve). Bënë aq sa mundën, duke lëvizur me thonj e me duar kolona, tulla e beton, për të nxjerrë ata që ishin gjallë. Por duhet ta pranojmë që mundësia e tyre ishte deri këtu, pasi ata nuk e dinin nga t’ia nisin më për të gërmuar, nuk e dinin se ku kishte të mbetur nën rrënoja që ishin gjallë.

U desh ardhja e ushtrisë së Kosovës (në Thumanë, që isha vetë), e cila erdhi me mjete të specializuara dhe me një qen për këto raste. Ardhja e ushtrisë së Kosovës në mesditë bëri të mundur të identifikohej ku kishte trupa, dhe nëse ishin të gjallë apo jo. Kjo bëri të mundur që puna e forcave të posaçme, greke e kosovare, të punon për të nxjerrë njerëzit e gjallë.

Nga ajo çfarë fola me banorët, familjarë të atyre që luftonin me jetën nën rrënoja apo kishin ndërruar jetë, më thanë: “Këto pallate janë dëmtuar që me tërmetin e parë në 21 shtator. Këto familje qëndruan jashtë për ditë të tëra, në çadra. Kërkuan të vinin ekspertë, por ata nuk erdhën dhe banorët u detyruan të hynin përsëri në banesat e tyre. Kjo është një vrasje e paralajmëruar”, më tha në dëshminë e tij, banori i Thumanës. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kjo po është një vrasje. Nëse ato pallate që ranë, kanë pasur dëme të konsiderueshme që në tërmetin e parë, dhe s’ka shkuar njëri, atëherë shembja e tyre është një ngjarje e parlajmëruar dhe ka patjetër përgjegjës.

Për të kaluar në Durrës!

Shumë pallate në Durrës kanë dëme të mëdha. Qytetarët i kanë braktisur banesat e tyre. Edhe atje punën për nxjerrjen e trupave nga rrënojat e bënë trupat e specializuara të ardhura nga Rumania, Serbia, Franca, Mali i Zi, Turqia, Zvicra. Më vinte shumë keq teksa shikoja që policia e ushtria jonë vetëm ruante perimetrin e sigurisë. Ç’të bënin? As nuk ishin të specializuar e as kishin mjete, edhe pse kuptohej në shpirt që ata donin të ishin në rreshtin e parë të kërkimit.

Filluan të vinin ndihmat e para në Durrës e Thumanë. Qytetarët e Tiranës e mbarë Shqipërisë u angazhuan. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Ndihmat vinin po nuk kishte koordinim, të paktën në Durrës. Ndihmat vinin, por nuk ndaheshin, askush nuk dinte ç’të bënte. Askush nuk merrte përgjegjësi për të zgjidhur situatën. Aty kuptohej fare qartë, që punonjësit e Bashkisë së Durrësit ishin të paaftë dhe nuk dinin çfarë të bënin, vetëm thoshin, “duhet të ikësh të firmosësh atje, duhet të pyesësh tek Bashkia”. Burokraci edhe në këtë ditë të tmerrshme.

3U hapën 70 çadra në Durrës. Krevatë nuk kishte, vetëm nga një batanije. Por s’mund ta mohoj që kishte edhe abuzime, që batanije e ata pak krevatë që ishin u vodhën nga komuniteti rom. Në këtë ditë kur shqiptarët po çonin ndihma në Durrës, vetëm durrsakët që kishin biznese, dukej se nuk ia kishin haberin çfarë kishte ndodhur, dhe vazhdonin të bënin biznes. Kishte edhe nga ata që shisnin batanije, ushqime, madje edhe më shtrenjtë se çmimet normale. Kjo është ç’njerëzore, është e pafalshme për ata të flliqur që e bënë këtë.

Qytetarët atje kërkonin çadra afër banesave të tyre. Çadra nuk kishte. Ditën e dytë të tërmetit, 70 çadrat tek stadiumi “Niko Dovana” u mblodhën dhe u çuan në Krujë. Qytetarët e Durrësit i drejtuan nëpër hotele, por shumica nuk shkuan. Ata s’donin të qëndronin nëpër banesa, donin të qëndronin jashtë, sepse lëkundjet vazhdonin. Edhe në hotel të ishin, nëse do kishte lëkundje, ata do dilnin prapë jashtë.

Në shumë lagje të Durrësit qytetarët kërkonin shtetin. “Ku është shteti? Ku është shteti? Unë për këtë ditë e dua! S’ka ardhur njeri të pyesë nëse jemi mirë, nëse kemi nevojë për gjë, nëse ndërtesat tona janë të jetueshme apo jo?”.

1Me ndihmat u abuzua shumë. Ndihmat ishin edhe preferenciale. Ndihmat në disa zona që u çuan ishin të pamjaftueshme. Çohej një furgon dhe thuhej që në atë lagje kemi çuar, ndërkohë që ajo lagje mund të kishte mijëra banorë.

Nga ajo çfarë pashë, kishte pallate që kishin pësuar shumë dëmtime, por kishte edhe pallate të tjera që nuk kishin pësuar sikur një krisje. A është normale kjo? Prandaj duhen hetime. Nuk jam dakord me prishjen që po u bëhet ndërtesave në Durrës e Thumanë, e në çdo vend tjetër, nëse më parë nuk bëhet një hetim. Nëse vlerësohet që cilësia e ndërtimit është jo siç duhet, atëherë për ta ndërtuar prapë shteti, t’ia marrë ndërtuesit.

2Po ashtu, prokuroria duhet të ndjerrë përpara ligjit personat përgjegjës që kanë dhënë leje pa kufi në zonën e plazhit në Durrës. Janë pallatet vetëm disa metra larg detit. E lagjja 13 në Durrës, zona e plazhit, ishte më e dëmtuara. Duhet hetim që përgjegjësit të përgjigjen përpara ligjit.

Fshatrat e Durrësit. Në fshatra abuzimi ishte edhe më i madh. Kam qenë në fshatrat Hamallaj, Shkafanë, Armadhë, Lalz i Sipërm, Ishëm, Sukth, Manëz, dhe kam parë që dëmet ishin jashtëzakonisht të mëdha. Shtëpi e vila të shembura, një jetë punë. As atje nuk kishte shkuar njeri. Ndihmat kishin qenë makarona, oriz, e vaj, që nuk mund të gatueshin nga banorët sepse shtëpitë i kishin të shkatërruara dhe nuk mund të hynin brenda.

4Interesante ishte në Shkafanë ku kryetari i njësisë administrative, në shtëpinë e tij të padëmtuar kishte vendosur çadër, ndërsa tek banorët që u ishin shembur shtëpitë, nuk u kishin çuar. Kur i kishin thënë banorët pa shtëpi zotërisë, që na e jep neve se jemi ne qiell të hapur, ai u kishtë thënë, se atë çadër ia kishte dhënë atij shteti, për familjen e tij.

Në këtë fshat çadrat ishin ndarë tek ata që s’kishin dëmtime, tek ata me vila, në mënyrë preferenciale totalisht nga pushteti vendor, e tek ata që kishin mbetur jashtë, nuk i kishin pajisur.

Kryeministri i vendit sulmon mediat! Po ku ndodh kjo? Ndodh tragjedia në këtë vend dhe ai jep spektakël nëpër mediat që ai i cilëson si kriminale. I nderuari kryeministër i vendit duhet të dijë që aty ku ka shkuar media, nuk ka shkuar akoma shteti. Flas këtu për shumë lagje të Durrësit dhe fshatrave. Deri në 1 dhjetor, kur unë kam qenë në zonat nga ku kam raportuar, shteti s’ka mundur të vijë akoma. Media me shumë profesionalizëm ka transmetuar fjalën e qytetarit, të pacensuruar dhe të drejtpërdrejtë. Çfarë nuk i pëlqen kryeminisrit? Që qytetarët nuk kanë parë shtet? Që tek të dëmtuarit, s’ka shkuar askush? Që është shkelur ligji në Durrës nga ndërtimet pa leje dhe që ndërtesat nuk kanë pasur cilësi në ndërtim? Çfarë si pëlqen kryeministrit ku flet populli? Këto ditë kam parë një kryeministër emocional. Populli mund të jetë emocional. Kryeministri Jo! Kryeministri duhet të jetë gjakftohtë dhe të gjej zgjidhje e të menaxhojë situatën, jo të qahet nëpër media, jo t’u thotë qytetarëve “Ju kam të gjithë si Gregu”. Çfarë, do të tregohet emocional, që unë (populli) ta mëshirojë? Të them që s’ka faj ky, gjynah, KM po qan, po i pikon në zemër?! Jo jo, populli është emocional, populli qan, kryeministri zgjidh. Prandaj është vendosur atje, që të të përgjigjet edhe në situatat e jashtëzakonshme.

Vërtet që kjo ishte një fatkeqësi, ca thonë e ardhur nga Zoti, e ca nga natyra. Këtë s’e kemi ne në dorë. Por ama menaxhimin e situatës e ka shteti në dorë. Ai duhet të përgjigjet dhe jo të ç’organizohet. Ky ishte një organizim i ç’organizuar dhe emergjencat civile ngelën, nuk e kaluan klasën.

S’e kuptova as maninë e fotove të deputetëve. As në këtë ditë nuk e harruan marketingun ndaj vetes. Dilnin shëtitje kryeministër, kryetarë bashkie, ministra, deputetë, zv/ministra, dhe bënin foto me njerëzit në këtë situatë të jashtëzakonshme. Pra, teksa shumë të tjerë mundoheshin të nxirrnin ata poshtë rrënojave, kishte të tjerë që u bënin foto këtyre të mësipërmve.

Për ta përmbledhur! Duhet patjetër hetim i mirëfilltë për ndërtesat, dhe ky hetim të bëhet nga të huajt dhe jo shqiptarët. Duhet që të bëhet vlerësimi total i shtëpive në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi raste si i Thumanës, e cila sipas banorëve, ishte një tragjedi e paralajmëruar.

Duhet ta ketë një njësi speciale të stërvitur, e të pajisur me mjete për këto raste. Jemi një zonë ku tërmetet po bien vazhdimisht. Duhet të jemi gati për çdo gjë.

Faleminderit nga zemra e mirënjohje për çdo shqiptar që u angazhua në këtë fatkeqësi, duke koordinuar ndihmat, duke mbledhur ndihma, ata të cilët shkuan në vendngjarje e u angazhuan për të ndihmuar. Mirënjohje për shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, treguan mbi çdo marrëveshje të firmosur se ne jemi NJË, e do i gjendemi njëri-tjetrit, në të mirë e në të keq dhe çdo gjë do e përballojmë bashkë.

Jam i sigurtë që do ringrihemi përsëri. Jam i sigurtë që shpejt do i kthehemi normalitetit. Por kjo ngjarje të na shërbejë për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin, të jemi më mirëkuptues e tolerantë. Të jemi bashkë dhe të përpiqemi t’i gjendemi njëri-tjetrit. Kështu do ta kalojmë këtë, të gjithë bashkë, të bashkuar dhe me besimin tek i madhi Zot.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top