Pika referimi

November 23, 2017 | 8:00

Nga Prof. Murat Gecaj: Persa Grabova, si nënë e dashur dhe e paharruar për jetimët shqiptarë

Në 100-vjetorin e Jetimores së parë

“Edhe tani, më duket se më del përpara, më zgjat duart e saj dhe më përkëdhel me ato, si nënë. E ndiej nga afër zërin e saj të ëmbël: -Të keqen nëna!”(Kujtim i një fëmije)

Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues shqiptar, ish-redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar, dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”. Në 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënieve me publikun.

Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues shqiptar, ish-redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar, dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”. Në 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënieve me publikun.

1.

Ja, u mbushën plot 100 vjet, nga dita, kur çeli dyert Jetimorja e parë për fëmijët shqiptarë. Sa e sa breza të fëmijëve tanë kaluan nëpër dyert e atyre institucioneve, ku mësuan dhe u edukuan, së pari, me ndjenja ta larta atdhedashurie! Prandaj, gjatë jetës së tyre nuk kursyen asgjë për të, deri edhe jetën, kur u paraqit nevoja, ashtu si në vitet e stuhishme të luftës për liri dhe rindërtimin e vendit, të shkatërruar nga lufta etj.

Tani, natyrshëm, mendja më shkon në vizitat, që kam bërë gjatë jetës në qendrat e grumbullimit të jetimëve, si në jetimoren dhe Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, në Shtëpinë e jetimëve në Tiranë e tjerë. Sa herë kam qenë aty, jam emocionuar dhe më kanë pushtuar  ndjenja të fuqishme dhimbjeje, për ata fëmijë, që jetën e kanë kaluar pa dashurinë prindërore, pa një vatër të ngrohtë familjare.

Për herë të parë, e kam vizituar Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, në vitin 1963, kur nisa detyrën e redaktorit, në gazetën e fëmijëve “Pionieri”. Ndoshta, arsyeja kryesore ishte se, aty kishin kaluar disa vite të fëmijërisë së tyre, bashkëshortja ime e ardhshme, Katerina Kola dhe e motra, Lena. Gjithashtu, më vonë mësova se aty kishin qenë dhe mjaft të njohur të tjerë, disa nga vendlindja ime Malësia e Gjakovës (Tropoja), si:  Pali Proletari, Gegë Sokoli, Drande e Marash Rama, Dila Kola, Ndue Mëhilli, Jorgo e Janaq Dërrasa, Adem e Drita Bajrami, Nikolla e Drita Zhonga, Hasime e Xhemile Uka, Lutfije dhe Enverije Miftari, Zojë e Mereme Uka, Ana Shala, Kristaq e Violeta Turtulli. Bahrije Miftari, Eglantina Haxhija, Hatixhe Goxhaj,  Zenel, Miftar e Fatime Uka, Leze e Gjergj Pali, Ndue e Fran Zefi, Nikë Vuksani dhe mjaft të tjerë.

Godina e strehës së parë vorfnore

Godina e strehës së parë vorfnore

Të gjithë këta, ish-jetimë ose pa përkrahje në vegjëlinë e tyre, kanë ruajtur përherë në zemër dashuri e mirënjohje për drejtoreshën e tyre, Persa Grabova, edukatore e talentuar dhe e paharruar, si dhe për të tjera: Syrije Sylaj, Madalena Bushati, Roza Preka, Nurie Rama, Parashqevi Shallvari, Matilda Gjoni e Belkize Shazi (të trija, këto të fundit, u caktuan më vonë dhe drejtoresha) e tjerë.                  

Në një kujtim, ruajtur në dhomën-muze, një fëmijë jetim ka shkruar këto radhë për Persën: “Edhe sot e mbaj të gjallë para syve të mi portretin e saj, ashtu trupimët e të shkathët. Ajo më donte shumë, si fëmijën e saj. Edhe tani, më duket se më del përpara, më zgjat duart e saj dhe më përkëdhel me ato, si nënë. E ndiej nga afër zërin e saj të ëmbël:-Të keqen nëna!  Për mua, ajo do të mbetet përherë nënë e dhembshur, edukatore e talentuar dhe mësuese shembullore”.

Sa herë  kam shkuar në atë vatër të ngrohtë familjare, e kam ndier veten si në shtëpinë time. Këtë mjedis të ngrohtë, ia krijonte çdo mysafiri, së pari, vetë Persa Grabova. Vogëlushët jetimë ose të mbetur pa përkrahje të rrethonin plot dashuri. Këtë e kam vërejtur dhe kur aty kam drekuar  a darkuar, bashkë me ata ose kur më kanë gostitur me ëmbëlsira e fruta dhe tjerë.

Nga largësia e atyre viteve, përulem me respekt të thellë për nënën dhe edukatoren e talentuar, të mrekullueshme dhe të paharruar për disa breza fëmijësh jetimë e të tjerë, që kreu detyrën e drejtoreshës,  në atë Shtëpi Fëmije, “Mësuesen e Popullit“ Persa Grabova.

 Me atë pamjen e saj engjëllore, me shikimin e ëmbël dhe zemrën bujare, pra si një “Nënë Terezë e dytë”, me atë taktin e rrallë pedagogjik e tjerë, ajo bëri për vete  zemrat e mendjen e sa e sa fëmijëve shqiptarë, që më pas hynë denjësisht në jetë. Shkurt: ajo u bë vërtetë një nënë e dytë për ata dhe e tillë mbeti gjatë tërë jetës. Për këto e shumë arsye të tjera, më duken fare të pafuqishme shprehjet e mia dhe aq ta pakta radhët, që do të shkruaj edhe më poshtë për të.

Persa Grabova, "Mësuese e Popullit"

Persa Grabova, “Mësuese e Popullit”

2.

Pasi mbaroi shkollën e mesme në Tiranë, detyrën e nderuar të mësueses Persa e nisi në Krujë. U dallua dhe  për ndjenjat e saj atdhetare e antifashiste. Pas çlirimit të vendit u përfshi në luftën kundër analfabetizmit. Pa ngurruar, ajo shkoi e punoi drejtoreshë e konviktit, në krahinën e thellë të Dukagjinit. Ngjarje e rëndësishme e jetës së saj ishte koha, kur e caktuan drejtoreshë të Shtëpisë së Fëmijëve, në Shkodër. Mbi 15 vjet të jetës së vetë, ajo i lidhi ngushtë me ata fëmijë, të cilët, me të drejtë, kurdoherë do ta quanin me fjalën aq të dashur e të ngrohtë  për të gjithë: “Nënë”. Shpejt ajo krijoi një traditë të re në punën me fëmijë të tillë, e cila shtrihej në lëmin organizativ, pedagogjik, shoqëror e tjerë. Për atë, edukatorja e shtëpisë së fëmijës përfaqësonte nënën, mësuesen, kujdestaren, shoqen, miken e afërt të tyre, por dhe prindin kërkues e qortues, kur ishte nevoja.    

Episodet nga jeta e puna e Persa Grabovës, në atë shtëpi të fëmijëve jetimë ose pa përkrahje, janë të shumtë. Më kujtohet një rast, që ma kishin treguar: Një herë u sëmur rëndë një vajzë dhe e shtruan menjëherë në spital. Tërë natën, ajo ishte e shqetësuar, ashtu si për fëmijën e saj. Të nesërmen në mëngjes, ishte nëna e parë, që hyri në pavijonin e spitalit. Edhe në kohën e lirë, Persën e gjeje ndërmjet fëmijëve, duke biseduar ngrohtë  me ta, duke i mësuar dhe këshilluar për çështje nga më të ndryshme të jetës, si: për punën, krijimin e familjes së nesërme e tjerë. Veçanërisht, vetë tregohej e vëmendshme dhe këtë gjë e kërkonte nga koleget e saj, për edukimin moral të vajzave. Prandaj, njëra nga ato, kishte shkruar këto fjalë, pas një fotografie: “Për kujtim të paharruar, njeriut më të dashur, që më është gjendur afër në çastet të vështira të jetës”.

…Lindi në korrik 1918 dhe i mbylli sytë përgjithnjë, më 6 dhjetor 1964. Kaloi një jetë e tërë, për edukimin dhe mësimin e fëmijëve jetimë ose pa përkrahje, një jetë të përkushtuar për mirërritjen, mësimin dhe edukimin e tyre. Prandaj Persa Grabova, nderuar me titullin e lartë “Mësuese e Popullit”, la gjurmë ta pashlyera dhe do të mbetet përherë e paharruar  jo vetëm për fëmijët e asaj kohe, kur shërbeu në arsim dhe në Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, por dhe të viteve pasardhëse.

Tiranë, 20 nëntor 2017

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top