Fëmijëria për Alban Skënderajn ka qenë plot me sakrifica. Këngëtari dhe kompozitori ka treguar mbrëmjen e djeshme tek “Në kurthin e Piter Pan”, se që i vogël i është dashur të punojë për shkak të vështirësive që familja e tij kishte nga emigrimi. Gjatë bashkëbisedimit me fëmijët, Albani zbuloi edhe punën e parë që ka bërë, shumë kohë përpara se të niste të merrej me muzikë.
“Puna ime e parë, mbaj mend, kur isha i vogël, kam shitur çokollata. Më pëlqente që të kontribuoja dhe të ndihmoja familjen. Mbaj mend ishte një kaos i madh ekonomik, shumë fëmijë të lagjes shisnin paketa. Mua më pëlqente të isha pjesë, të jepja një dorë në familje.
Më vonë pastaj, kam bërë edhe shumë punë të tjera. Por asokohe të gjithë kështu bënin.
Puna është krenari, sa më shumë të kesh punuar, madje sa më shumë profesione të kesh bërë, aq më i pasur do të jesh. Mendoj se edhe fëmijëve është mirë që krahas mësimeve, t’ua transmetojmë kulturën e punës, të dyja së bashku“,- u shpreh ai.
Ndër të tjera, Skënderaj zbuloi edhe arsyen pse ka vendosur të mos marrë pjesë në festivale të ndryshme që organizohen.
“Unë them që muzika është shumë individuale, kështu që dalëngadalë mentaliteti i çmimeve do tejkalohet”,- u shpreh fillimisht artisti.
“Në festival, tani është më e vështirë, se tani ka shumë artistë të mirë dhe konkurrenca është shumë më e lartë. Unë do vazhdoj të bëj muzikën time për ju, për fëmijët, për të rriturit, ta bëj muzikën dhe ta kem kontaktin direkt me publikun, se kur kalon në festivale, bëhet pak më e vështirë dhe ty të vihet një emër si artist, pra ti je i pesti, i treti, i pari. Kurse kur bën muzikë për publikun, ti je Albani që e duan dhe e dëgjojnë njerëzit në shtëpi,”- përfundoi ai.
Burimi / Panorama Online
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.