Dëshmi

May 17, 2018 | 8:01

Nga Raimonda Shundi: Ndjesa nuk mjafton

Kërko ndjesë zoti Rama!

Por nuk mjafton! Kërko ndjesë ti, Tahiri, Mediu, Berisha… e gjithë soji juaj jo-normal që po na ndotni gjithçka. Nuk mjafton as ndjesa zotërinj egoistë, antinjerëz se instaluat jo normalen në sistemin tonë çdoditësor. Instaluat drogën, marihuanën, hashashin, si kur të jetë, ujë drita, punë, pension.

Raimonda Shundi Dervishi, gazetare

Raimonda Shundi Dervishi, gazetare

Nuk mjafton as ndjesa, as rrëzimi, as zhdukja nga ekranet tuaja pa jetë. Dëmtimet sistematike që bëtë dhe vazhdoni të na bëni janë të pasistemueshme. Pse duhet të bombardohemi me avujt e helmit tuaj?  Fëmija tanë po rriten teksa dëgjojnë të flitet vetëm për këto. Çfarë do të ndodh nesër me ta kur shembuj jeni ju.

Në një ambient ku edicionet qendrore, emisionet e çdo televizioni ndjek ethshëm deklaratat, intervistat apo konstatimet vetëm mbi zhvillime e aksioneve pro-drogë dhe kronikën e zezë, çfarë mund të presësh se do të kultivohet.  Nuk më intereson asgjë nga axhenda juaj. Le të kapet me aq e kaq tonë drogë vëllai  ministrit X, apo prangoset e vëllait tjetër i ministrit Y. Nuk më intereson as sa i pasur u bë me format tuaja zhvatëse vëllai i kryeministrit tim. Unë dua të mendoj për jetën time se shumë të vështirë ma ke bërë dhe s’po më krijon asnjë mundësi të organizoj mbijetesën time, në vendin tim, ku nuk ka asgjë nga fëmijëria IME. Po më minon gjithçka që dua të ndërtoj vetëm e vetëm se ju zoti kryetar i shtetit tim hallemadh, nuk po më lini asnjë shteg të marr frymë e të organizoj programin tim e të fëmijës tim, pasi po flasim vetëm për ju.

Shoh se tashmë familjarisht kemi fobi nga televizori. Nuk guxojmë të ndërrojmë kanalet deri sa të gjejmë një emision ku ka vetëm pemë, histori, muzikë, arte. Se në zapping na del ti me stema televizive të ndryshme, por të njëjta në përmbajtje. Shpejt do jetë vonë për të kuptuar se ndjesa ka gjithçka që duhet ta mendoni seriozisht, para se të pushojë edhe kjo kambanë.

Natyrisht që iket nga ky vend ku flitet vetëm për substancat tuaja narkotike e asgjë për NJERIUN. Normal, tashmë njeriu është kthyer në një njerëzi-derziu.

Ndjesa juaj nuk pranohet!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top