Marrëdhënie

April 15, 2017 | 9:30

Nga Raina KOVAÇI / Donika Kastrioti në sintoni me të madhin Skënderbe

1

“E përnderuara Zonjë, porsi nënë shumë e dashur. Jo pa hidhërim shumë të madh kemi dëgjuar se i përndrituri Skënderbe, burri juaj fort i dashur, që ne e patëm si baba, ka vdekur ashtu si ka qenë pëlqimi i Zotit tonë Perëndi. Për këtë vdekje na ka ardhur keq jo më pak se për vdekjen e të nderuarit Atit tonë, Mbretit Alfons, që la një kujtim të pa vdekshjëm. Aq më tepër u bë e madhe dhimbja jonë, kur pastaj i dërguari i juaj na dëshmoj për vdekjen e thënë dhe për këtë arsye po dërgojmë pranë jush Fisnikun Jeronim de Karvinjon, një njeri i yni, i cili ka për t’ju shfaqur disa gjëra që ne ia kemi porositur, prandaj jeni e lutur t‘i besoni atij plotësisht, për atë që ka për t’ju paraqitur në emër tonë ashtu si të ishim ne vetë”.

Nga Raina Kovaçi Publiciste

Nga Raina Kovaçi
Publiciste

Kjo është letra e Ferdinandit, Mbretit të Napolit, drejtuar Donika Kastriotit pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut. Po të lexojmë me kujdes, vihet re se Mbreti Ferdinand, i biri i Alfonsit, i drejtohet Donikës jo thjesht si gruaja e Skënderbeut, por: “E  Zonjë porsi Nënë shumë e dashur”. Madje po në letrën e Mbretit Ferdinand drejtuar fisnikut Jeronim de Karvinjo, Ambasadorit të Napolit në Krujë, po atë ditë që i është drejtuar letra Donika Kastriotit lexojmë:”Ju i thëni Jeronim do të shkoni pranë të shoqes dhe të birit të Skënderbeut dhe pas përshëndetjeve të përzemërta dhe të detyrueshme nga ana jonë keni për ta ngushëlluar duke iu shprehur atyre sa e dhimbshme ka qenë për ne vdekja e thënë, të cilën duhet ta durojmë duke menduar se nuk duhet të durojmë, duke menduar se nuk mund të vihet në vend me asnjë mjet. Gjithashtu pasi i dërguari i tyre i veçantë na ka njoftuar se ata do të dëshironin të vinin në këtë Mbretërinë tonë, duke na u lutur për ndonjë anije, nga ana jonë do t’u shprehim se ardhja e tyre do të na kënaqë shumë dhe do të kenë prej nesh ato dashurime dhe nderime sikurse djali e ka për detyrë për Nënën dhe Babain e tij, dhe jo vetëm që do t’u lëmë atë që kemi për detyrë, dhe po të jetë nevoja do t’u dhurojmë edhe pasuri të tjera tonat”.

Ndërsa i lexon me kujdes rreshtat e kësaj letre të rrallë, ndjen në thellësi të shpirtit forcën e asaj shtrese kalorësish të arratisur drejt aventurës dhe të panjohurës. Fjalëtë përdorura plot respekt, dashuri dhe fisnikëri, ashtu si e meriton një Mbretëreshë, duke iu drejtuar asaj gati si një hyjnie ku bëhen blatime dhe ku shlyhen detyrime. Këto dy letra kanë një fakt të rëndësishëm që Barleti e thekson në veprën e tij monumentale “Historia e Skënderbeut” ku theksohet: “Gjatë fushatës së Skënderbeut në Napoli në ndihmë të Mbretit Alfons, babait të Mbretit Ferdinand, heroi i ynë la si administratore fuqiplotë në Krujë, gruan e tij Donika Kastriotin”. Sipas Barletit gjatë kësaj periudhe ka patur qetësi dhe harmoni.

Foto e shkëputur nga filmi "Skënderbeu"

Foto e shkëputur nga filmi “Skënderbeu”

Skëndërbeu, partneri që do e kishin zili

Bija e Gjergj Arianit Komnenit, despot i Principatës së Komnenëve, një fisnik nga jugu, bashkëshorte e Skënderbeut, me të cilën u martua rreth vitit 1451, ishte bija e dytë e të atit nga dhjetë vajza që kishte Arianiti. Ajo pati një djalë të vetëm, Gjonin. Pas vdekjes së Skënderbeut, bashkë me të birin mërgoi dhe u vendos në feudet e veta në Italinë e Jugut, që u ishin lënë si pronë nga Mbreti Ferdinand i Napolit. Edhe në dhè të huaj, lidhjet me Atdheun nuk u ndërprenë për asnjë çast. Pas martesës me Skënderbeun Donika do të bëhej një simbol shekullor i femrës shqiptare. Bazuar në dokumentet e ndryshme të kohës, nga gojëdhënat, këngët popullore, ajo del mbi kanunet e maleve si një zonjë e nderuar prej një dere fisnikësh, me sjellje të një aristokrateje të vërtetë si dhe ç’është më e rëndësishme, me liri mendimi dhe veprimi. Në shumë raste bashkë me të shoqin ajo ishte e lirë të ishte vendimmarrëse për shumë probleme. Vetë Gjergji duket se ka luajtur në jetën bashkëshortore princërore një sjellje jo sunduese, por atë të një partneri që do ia kishin zili të gjithë bashkëkohësit. Në oborrin e Sulltanit, siç shprehet një kronist i kohës, “ai fitoi çdo gjë që mund të fitohej për t’i shërbyer sa më mirë popullit të tij, por pa marrë zakonet otomane të sjelljeve ndaj gruas”.

Pozita e Donika Kastriotit do të ketë qenë rezultat i një marrëdhënie të partneritetit të barabartë, me synime dhe shpirt të përbashkët për të mira të përbashkëta, pozicion i avancuar jo vetëm për kohën, por në thelb i avancuar për të gjitha kohërat. Donikën nuk e plotësojnë dot letrat dhe kronikat e kohës sepse ato janë të pamjaftueshme. Këtë figurë e plotësojnë këngët, gojëdhënat, legjendat. Në to janë përfshirë ndjesitë më të holla burimore të një shpirti të madh vajze e gruaje të përsosur. Të çmuara si koralet në fund të detit, ato janë personifikim i ndjenjave më fisnike të një zemre gruaje jo thjesht vetëm se rridhte nga një derë e madhe, por edhe se pati një fat të madh që me pasurinë e saj shpirtërore ajo lumturonte jo vetëm Gjergjin, por edhe shumë njerëz të tjerë.

“Martesa, dita më e madhe e jetës”

Skënderbeu ka mbledhur rreth vetes bujarët dhe peshkopët që të marrë mendimin për martesën e tij të ardhshme. Duket si një parlament dashurie, si një koleksion i madh nusesh të ardhshme që shfaqen si një imazh. Bujarët japin mendime për nusen e ardhshme duke bërë kështu një paradë të folklorit të tyre krahinor të shquara për fisnikërinë e ndjenjave dhe bukurinë e mendimeve. Nga kënga e lashtë arbëreshe del qartë se Skënderbeu nuk hedh poshtë asnjë nga mendimet e bujarëve dhe Peshkopëve. Përkundrazi, me disa artifice të bukura, ngrihen lart vlerat e kandidateve të huaja për martesë. Por duke bërë me kujdes seleksionimin e tyre, me një art dhe fjalë të mrekullueshme, dalin në pah vlerat dhe bukuria e Donika Kastriotit. Ajo qëndron si një lëndinë mes lëndinave në malet e shpirtrave. Ndërsa Skënderbeu përfaqëson një aliazh të idealeve humaniste të antikitetit, të moralit kristian dhe trimërisë deri në vetëflijim kalorësiak. Donika “duke qenë shqiptare në gjuhë dhe zakone”, do të dinte të qeveriste me dorë të sigurt shtëpinë dhe pasurinë, por edhe zotërimet e Skënderbeut, gjatë kohës që ai shkoi në Napoli, në ndihmë të Mbretit Alfons. E përsëris këtë varg se më pëlqen “duke qenë shqiptare në gjuhë dhe në zakone” përveç të tjerave ajo do të ishte një oaz ku Gjergji do të njomte buzët pas luftërave, do të freskohej dhe do të gjallërohej në qetësinë e heshtur të zemrave. Shkoj në Napoli si vasal? Me detyrime të caktuara tributi? Apo shkoj thjesht për miqësi, për atë ndjenjën e lashtë kalorësiake të shqiptarëve? Sidoqoftë, miqësia e mirë duket në kohë të vështira, kështu që kjo sakrificë kalorësiake nuk do të shkonte dëm. Në këto kohë të vështira në mungesë të Skënderbeut ka qeverisur Donika. Ajo është marrë me probleme nga më të vështirat si me: zënkat mes fisnikëve, me problemet e financave, me vjeljen e taksave e deri në takimet me të dërguarit e Mbretërve dhe me ambasadorët.

Buotuar në revistën Psikologjia, nr.109

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top