Në fokus

February 23, 2017 | 8:20

Nga Rajna Kovaçi / Dora d’Istria dhe emancipimi i grave

“Të luftosh e të fitosh për gruan, do të thotë të luftosh e të fitosh edhe për burrat…”,   

Dora d’Istria

Nga viti 1860 deri më 1888 jetoi në Firence një Zonjë e madhe që u konsiderua nga ajka e inteligjencës Firenciane “si një nga mendjet më të ndritshme dhe më inteligjente të Europës”. Antropologu, shkencëtari dhe shkrimtari Paolo Montegazza e përshkruante me këto fjalë Dorën: “Një trup plot hijeshi, një zemër plot hire dhe fisnikëri, një mendje artisteje dhe mendimtareje.

Raina Kovaçi Publiciste

Raina Kovaçi Publiciste

Dora d’Istria dhe emancipimi i grave

”Për të patur një shoqëri të zhvilluar, në radhë të parë duhet të kemi gra të zhvilluara, roli i gruas është i pazëvendësueshëm në familje, gjithçka ndodhet në duart e saj…” Dora d’Istria

Një pjesë të rëndësishme në veprën e saj zë edhe çështja e grave. Rëndësi të madhe ajo i dha emancipimit dhe integrimit të gruas në jetën e përditshme. Që në atë kohë ajo e kritikon shoqërinë që izolonte gratë nga jeta si dhe arsimimi. Në veprat e saj kushtuar grave të kombeve të ndryshme ajo i ekzaminon në imtësi kushtet e tyre, gjithmonë sipas ligjeve të vendit përkatës, zakoneve, veshjeve, kanuneve të vendeve të ndryshme si të Azisë së largme dhe Europës. Pasi i mblodhi të gjitha faktet, i analizoi e studioi dhe doli në përfundime dhe i përcaktoj gratë sipas kombeve përkatëse. Vepra: “Gratë të para nga një grua” kur doli në dritë pati një jehonë dhe një interesim të jashtëzakonshëm nga lexuesit e asaj kohe. E para sepse u shkrua nga një grua dhe e dyta, nga mënyra si i kishte mbledhur faktet, si i kishte shkruar, ishte një mënyrë krejt e re. E treta sillte fakte kuriozitete të papara dhe lexuara më parë. Sillte etnografi, folklore, legjenda, anën juridike të vendeve të ndryshme. E vuri gruan në piedestalin që i takonte. Nxori në pah inteligjencën natyrale që ia kishte dhënë Zoti. Dhe sipas saj: “Inteligjenca i është dashur gruas në përgjithësi për ta vënë në funksion të mirësisë dhe mëmësisë”. Në shoqërinë ku Dora jetonte, ajo e argumentonte se nuk ishte për “rivalitetin” mes burrit dhe gruas. Ajo në veprën e saj dënon atë luftën e shpallur të burrave kundër grave. “Mirëkuptimi sjell harmoni në humanizmin njerëzor”. Këto ishin disa nga fjalët e saj. “Gruaja shpesh është skllave e injorancës që të tjerët e lënë me qëllim, dhe nga e cila ajo shpesh nuk është e aftë të çlirohet”. (Këto rreshta ajo i shkroi për gratë e Orientit). Kështu Dora D’Istria u bë një promotore e të drejtave të grave. Elena Gjika u shndërrua në një figurë të përmasave europiane që firmosi për herë të parë në histori “Librin e Artë të Grave të Kontinentit të Lashtë”, nën emrin luftarak Dora d’Istria. Zonjat e zonjushat e asokohe i përpinin veprat e saj, esetë e shumta e të ndryshme si: ”Kombësitë sipas këngëve popullore”, publicistikën dhe udhëshkrimet jo thjesht si udhëtaren që i ra kryq e tërthor Europës mbarë, nga lindja në perëndim, por mendimtaren dhe letraren, kryesisht mbrojtësen e flaktë të të drejtave të tyre për barazi gjinore e drejtësi.

dora-distria

Dora d’Istria

Martesa dhe familja sipas Dora d’Istrias

Një vend të rëndësishëm Dora i ka kushtuar familjes në tre përmasat e saj: martesa, divorci dhe pozita e fëmijëve. Sipas saj, “martesa duhet të bazohet në zgjedhjen e lirë dhe dashurinë, duhet të realizohet në bazë të drejtave të barabarta e të respektit reciprok, ku gruaja nuk duhet të jetë në pozita inferiore, në pozitat e një skllaveje”. Martesa sipas Dorës “nuk është një lidhje që nuk mund të zgjidhet”. Ajo e quante një fitore të madhe të gruas nga ana sociale vendosjen e të drejtës për t’u divorcuar. Gjithashtu ajo thekson se “kjo nuk duhet të jetë një e drejtë apo një privilegj vetëm për gratë e pasura, por e drejtë edhe për gratë e thjeshta dhe të shtresës së mesme”. Gjithmonë mbrojtëse e flaktë e të drejtave të grave, luftëtare e paepur për një legjislacion që i trajton në mënyrë të barabartë të dyja gjinitë, pa diferencime dhe diskriminime me bazë gjinore. Dora në veprën e saj nuk lë pa përmendur fenomenin e fëmijëve të lindur jashtë martese. Ajo thekson se “në raste të tilla, të mbrosh të drejtat e grave nuk do të thotë të përfitosh dhe t’i bësh keq e të veprosh me padrejtësi kundrejt burrave”. Autorja e palodhur flet për këtë plagë të rëndë të shoqërisë siç është edhe problemi i prostitucionit. Një plagë gjithmonë në rritje e shoqërisë së atëhershme. Dora me të gjithë forcat që ka, hedh poshtë pikëpamjet mbi inferioritetin intelektual, moral, shpirtëror të gruas. E bindur se mbron një çështje të vërtetë shoqërore. Do të desha t’i citoja këto fjali kuptimplote: “Të luftosh e të fitosh për gruan, do të thotë të luftosh e të fitosh edhe për burrat”. Vepra e saj mbetet aktuale deri në ditët tona. Kam nderin që të përmend të gjithë veprimtarinë jetësore të Dorës, këtë figurë të rrallë poliedrike të kombit tonë. Dua të citoj një vlerësim të një personaliteti të shquar  italian, Paolo Mantegaca, i cili bën këtë përshkrim për Dorën: “Një trup plot bukuri, një zemër gjithë hijeshi dhe fisnikëri, një mendje artisti e mendimtari. Janë tri cilësi të rralla edhe kur i ndesh të veçuara, por kur i gjen të tria  bashkë, ato janë një fat i madh. Këtë mrekulli e bëri natyra, duke shpërndarë virtytet më të mëdha e më të ndryshme mbi një emër, atë të Elena Gjikës, e cila i dha më pas vetes, në botën e letrave emrin Dora d’Istria”.

Dora d'IstriaElena Gjika mbylli sytë në Vila D’Istria në Firence mes luleve, pemëve dhe bimëve të rralla unikale që i kishte mbjellë me aq dashuri. Ishte 20 Nëntor 1888, në moshën pesëdhjetë e tetë vjeçare. Pas disa vjetësh mikesha e saj e shtrenjtë Jozefina Knorr, një poeteshë shumë e njohur vjeneze. Ndërsa e kujtonte me shumë dashuri shkroi: “Një grua fort e kulluar shqiptare, e shtrenjtë për shqiptarët, iu kushtua krejtësisht çështjes së tyre, ajo është e denjë dhe e meriton plotësisht nderin dhe kujtimin që po i bëjmë”. Ndërsa  Dhimitër Kamarda shkroi: ”Ky emër është një nder i madh për botën shqiptare, së cilës ka lavdinë t’i përkasë nga prejardhja familjare, një nga letraret më të shquara të Europës, e cila me bujarinë e Zanës dhe me cilësitë e çmuara të hireve të saj të bukurisë, mundi të bashkojë kultin më të frytshëm të diturive e të letërsisë. Ajo nuk lë rast pa e ndihmuar me vepra Kombin Shqiptar, i cili ia di gjithmonë për nder”.

Moda e Dora d’Istria, një nga stilet më elegante të kohës në Paris

istriaKrahas stilit “Grand Prix” të shtëpisë stilit Gagel, gjithë elegancë në mëndafsh të purpurt etj., stili “Gabrielle” me mëndafsh lejla e kombinuar me dantella gjithë gusto. Më pas qëndron stili “Dora d’Istria” me mëndafsh të kaltër si qielli, tunikë e derdhur e shpupuritur me dantella plot reliev, me mëndafsh të bardhë. Stil plot klas dhe shije e hollë franceze. Sipas gazetës “Mode de Jour” (moda e ditës) në gazetën më të vjetër franceze “Figaro” të datës 17 qershor 1870, shkruan për një veshje model stil “Dora d’Istria”, pikërisht për nder të madhërishmes Dorë. Me shijen dhe inteligjencën e saj, ajo kontribuoi edhe në fushën e modës. Njëkohësisht bukuria e saj u bë e pavdekshme përmes tablove të njohura të piktorit të famshëm, venecianit Felice Schiavoni. Elena në këto tablo është e veshur me veshje të veçantë, natyrale, me flokë e fytyrë të rregulluar me shumë finesë, e veçantë, e rrallë dhe e mrekullueshme. Nëse e krahasojmë me zonjat e kohës së saj, ajo mbetet më e bukura, më e zgjuara, unike në të gjithë qenien e saj.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top