Editorial

February 6, 2018 | 12:33

Nga Rea Shundi: “Kush humbet dhe kush fiton nga librat “FALAS”

 

Pas rrëzimit të projektligjit të opozitës (me plot 74 vota kundër) për librat falas nga klasa e parë në të nëntë, lind dilema nëse në fakt kjo zgjedhje ishte e duhura.

Duke marrë parasysh ekonominë e ulët të pjesës dërrmuese që çon fëmijët në shkollë, heqja minimalisht e shpenzimeve të librave do të përbënte lehtësim të madh. Por në të vërtetë, kjo do të nënkuptonte marrjen e një përgjegjësie të madhe dypalëshe  – si nga ana e qytetarëve, ashtu dhe nga ana e qeverisë. Dhe fjalët “bashkëpunim”,“përgjegjësi” e “mirëbesim” janë mjaftueshëm për t’u ngjallur krupën të dyjave.

Nëse bashkë me ndërmarrjen e blerjes së librave do të bëhej dhe ripërdorimi i të përdorurave nga klasat e mëparshme, do të krijonim ciklin e mbyllur të bashkëpunimit e mirëpërdorimit.

Vlera e kësaj është si monetare, ashtu edhe mjedisore e kulturore. Diku duhet filluar, aq më tepër tani që duam të zhvillojmë qytetarinë tek mësonjësit e rinj.

Që librat të ripërdoren, duhet të mirëmbahen. Vendosja e gjobave në të kundërtën nuk duhet të jetë motivimi për t’iu nënshtruar përgjegjësisë. Le të jetë ky fillimi ku fëmijët të mësojnë për punën që kërkohet për ta patur tekstin, nga shkrimi i tij në prodhim e më pas transport e blerje.

Ai s’duhet marrë kurrsesi si i mirëqenë. Mos të habitemi më pas me fëmijët, nëse ata shpërdorojnë. Ata thjesht s’mësuan kurrë tua dinë vlerën gjërave.

Nga ana tjetër, një pikë tjetër themeltare, është qëndrimi i qeverisë në lidhje me problemin.  Problemin e ekonomisë së dobët, problemin e keqedukimit, e shpërdorimit dhe mosvlerësimit.

A nuk është qeveria si prindi i rritur që siguron menaxhimin e të ardhurave, punon për mirëqenien e fëmijëve të tij, dhe nëse mundësitë i ka kaq të pakta, a nuk i diskuton ato për t’u mirëkuptuar? Atij i lind më pas e drejta për të kërkuar bashkëpunim, që edhe me aq të ardhura sa të ketë, të punojmë së bashku për të ardhmen tonë më të mirë.

Nga ana ime, më duket më shumë sikur “prindi ynë” ka kohë që na ka mohuar, duke i mohuar vetes më parë prindërimin. Për rrjedhojë, ai nuk ka më asnjë të drejtë morale për të kërkuar bindje e bashkëpunim. Jemi në fund të fundit, dy palë të ndara.

Fëmijët mësojnë të rriten edhe vetë, kur mungon autoriteti i dashurisë. Mësojnë të kapen pas gjithçkaje munden për të mbijetuar sigurisht, sepse nuk ndjehen pjesë e asaj që jeton jashtë.

A nuk fajësojmë ne prindërit për drejtimin e fëmijëve? Ose mungesën e saj? Mbase jo gjithmonë. Në thelb, fëmija është individ përgjegjës dhe sundues i vetvetes. Po nëse ai thjesht nuk është vetëdijësuar për këto cilësitë e tij? Kujt i mbetet për t’ia mësuar? A nuk kemi edhe shkolla në komunitetin tonë?

Mbase në fund të fundit, janë prindërit tanë që kanë mungesa kompetencash për të na mësuar ato që kemi nevojë. Dhe a mund t’u vëmë faj? Absolutisht që jo.

Kështu që, në vend që të vazhdojmë të shtojmë listën e pakënaqësive tona, mund të vazhdojmë atë që kishim nisur me apo pa dashje vetë. Të rritemi pa ta.

Vetëm kështu mund të shpresojmë vërtetë për prindër më të mirë, duke i mësuar ata.

Ne nuk mundemi të mësojmë kurrsesi vetëm për veten tonë. Ky nuk është motivim i fortë për t’i dhënë rëndësinë e vërtetë fjalëve të lexuara. Nga ana tjetër, duhet zgjuar për të kuptuar se në fakt përgjegjësia jonë nuk i ka caqet tek vetvetja. Dhe aty ku përgjegjësitë tona mbërrijnë, mbërrin dhe e drejta për të ngritur zërin e për të pretenduar.

Më mbetet të arrij në konkluzionin se ne nuk i duam ato libra falas. Nuk i duam se nuk na duhen, nuk ua dimë vlerën. Kështu që as nuk kemi për t’i marrë e as nuk kemi për t’i kërkuar.

Nëse na lind revolta për të kërkuar diçka tjetër, duhet të jetë sepse kemi bërë diçka më parë vetë për ta pretenduar. Dhe nëse “prindërit” tanë, nëse ata që supozohet të kenë përgjegjësinë e menaxhimit, nuk marrin përgjegjësitë e tyre, atëherë na mbetet vetëm që ne të rritemi që t’ua mësojmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top