“Mësimi nuk është detyrim, mësimi është obligim për të pasuruar dhe arritur qëllimet jetësore, nga të cilat varet personaliteti i fëmijës, puna jote si mësimdhënës, dhe nesër e ardhmja e shumë talenteve që dikur i quaje “dështakë”.
Të gjithë si fëmijë, bazat e para të diturisë i marrim në arsimin fillor, pastaj në atë mesëm dhe më tutje. Por, nëse prindërit dhe mësuesi i parë nuk angazhohen të kuptojnë personalitetin e fëmijës, mënyrën se si duhet të veprojnë më të, teknika për të zbuluar talentin dhe në fund fare, të gjejnë një mënyrë të përbashkët bashkëpunimi prindër-mësues për të vënë në pah vlerën e fëmijës, talentin dhe gjithçka mbi të, atëherë ky fëmijë nuk do të dijë se çfarë mund të marrë dhe çfarë të japë nga vetja dhe jeta!
Në arsimin fillor, (po shkruaj nga përvoja të shumta), mësuesit jo vazhdimisht mundohen të gjejnë një gjuhë të përbashkët me fëmijët, që janë nxënësit. Shpeshherë kryejnë detyrën e tyre jo ashtu siç janë betuar me etikë të mësimdhënies. Nxënësit vlerësohen me kriter sipërfaqësor dhe jo bazik. Në shumë raste, nxënësit e “suksesshëm” vlerësohen vetëm nga ajo çfarë mbajnë në mend gjatë orës mësimore, ose që kanë lexuar dhe mësuar ndoshta një natë para provimit. Por, askush nuk merr mundimin të kuptojë më shumë nga ajo çfarë nxënësit kanë mësuar me apo pa vetëdije. Në fakt, nuk mungojnë kushtet për të realizuar një arsim didaktik, praktik, atraktiv, reciprok, dhe inovativ. Por, mungon dëshira, mungon vullneti, mungon më e rëndësishmja, që është dashuria për nxënësit.
Nga një përvojë shumëvjeçare, që këto ditë më ka treguar një mik, historia e tij dhe fjalët ‘mllefuese’, por edhe inkurajuese, më shtynë të bëj këtë shkrim edhe pse me hezitim, jo sepse po paraqes një realitet të hidhur, por sepse nuk dua t’i ofendoj “ata pak” mësimdhënës që po shkrijnë gjithë mundin e tyre për arsimin, edukimin dhe brezat e së ardhmes. Duke e pyetur mikun tim se si po kalon në jetën e tij personale dhe profesionale, ai m’u përgjigj:
…
“Tani po, e dua veten, dhe e di pse?! Vazhdoi me të qeshura, sepse e kam zbuluar talentin tim, pak vonë por e arrita qëllimin.” Nga kureshtja të kuptoja se çka e ndaloi të zbulojë vlerat e tij pas gjithë kësaj kohe, e pyeta por m’u përgjigj me krenari të përzier me urrejtje.
“Nuk më vlerësuan”- më tha, “mësuesit e parë të shkollës fillore nuk e vlerësuan këtë djalin që sot është në pozitën e tyre, tani jam bërë mësimdhënës’! Duke e përgëzuar, për detyrën e re, përgjegjësinë dhe suksesin e tij, më ndali fjalën në gjysmë, sepse dëshironte të vazhdonte të “qante hallin” e asaj kohe të fëmijërisë që për të ishte e errët. “Ndoshta ishte pasojë se isha i ndrojtur edhe në familje edhe në shkollë, por asnjëherë nuk morën dëshirën për të vënë në pah talentet e mia, sepse kisha shumë, dhe nga një fëmijë shumë i urtë dhe i qetë që isha, nuk kisha as rezultate të mira në shkollë. Mësuesit nuk më motivonin, nuk më ndihmonin si nxënës, por nuk më vërenin as se çfarë po zieja brenda. Mësuesit i donin më shumë ata që ngriheshin në këmbë me guxim dhe flisnin herë-herë pa kuptim. Në shtëpi mësoja, mësoja gjithë kohës, saqë prindërit habiteshin me rezultatet e mia në shkollë. Përderisa, mësimdhënësit ishin pajtuar, dhe nuk kërkonin asgjë më shumë nga unë se sa nga ai që isha ‘djalë i ndershëm dhe me moral e sjellje të mirë’. Arsyeja pse kisha ato rezultate jo të mira në mësime ishte sepse, unë kisha frikë të paraqes dijen time, kisha frikë nga paragjykimi, isha i kompleksuar nga gjithçka që më rrethonte në shkollë, kisha frikë nga modestia ime e tepruar, nga naiviteti im, që në të njëjtën kohë këta faktorë përbërës në jetën time po më merrnin vite të cilat kishin humbur shkëlqimin e të qenit nxënës i suksesshëm dhe fëmijë i lumtur! Por nuk ishte faji im që nuk e zbuloi askush, ishte sepse personaliteti im i përkiste kësaj natyre, për këtë fakt nuk kërkoja ndihmë, por as nuk më ndihmonte kush! Në familje, të dy prindërit më edukuan në mënyrën më të mirë duke i marrë si shembull udhërrëfyes që isha atë kohë dhe ky që jam sot. Mirëpo, nuk mjaftonte vetëm kjo, edhe pse i kuptoj që të dy punonin, kishin obligimet e tyre, kujdeseshin për të gjithë njësoj, por me mua duhej të punonin më shumë. Ata duhej të luftonin për mua, jo në aspekt gjaku, por të kërkonin më shumë nga unë jo vetëm aq sa isha, i edukuar dhe i qetë!
Vazhdova shkollën e mesme, aty gjithçka ishte ndryshe! Kisha miq shumë, jo miq që vlerësonin notat, rrobat, bukurinë dhe gjithçka tjetër sipërfaqësore. Por fitova miq që kërkonin besnikëri dhe më vlerësonin për atë çka unë isha, jo çka ishte shumica! Ata më donin pa kushte më mbështesnin, më respektonin, më inkurajonin të mësoja dhe pikërisht në këtë institucion zbulova karakterin tim, zbulova talentin tim, zbulova veten time! Profesorët e shkollës së mesme, jo që janë më të avancuar, por gjeneratat që arsimojnë, janë pikërisht adoleshentë të dalë nga fëmijëria, dhe për këtë fakt, ata mundohen me çdo kusht të inkuadrojnë dhe të vlerësojnë siç duhet secilin nxënës të atij institucioni të shenjtë arsimor dhe edukativ. Kur ne kishim probleme si klasë, profesorët nuk kërkonin prindin. Ata na besonin neve, bisedonin me ne për çdo hall dhe brengë, që në këtë mënyrë gjenim zgjidhjen e çdo problemi. Ata na donin neve dhe jo notat, ata na donin si fëmijë dhe jo si nxënës.
Kur arrita moshën e pjekurisë, arrita t’i kuptoj shumë gjëra. Kuptova me përpikëri se çfarë simboli kanë edukimi dhe arsimi. Që të dyja bashkë duhet të trajtohen si një rrënjë që zgjatet me kohën dhe njeriun. Në këtë mënyrë, zgjodha si profesion të bëhem mësimdhënës. Ky pra ishte çmimi që ia vura vetes. Të sprovohem me atë çka më mori vitet më të mira të jetës, dhe të mos lejoj që dikush tjetër të përballet me atë çka unë e përjetova: ‘mohimin e diturisë’.
Tani kam nxënësit, të cilët më respektojnë sepse nuk i detyroj të më respektojnë, më duan sepse nuk i detyroj të më duan, dhe mësojnë sepse nuk i detyroj të mësojnë. Po ta tregoj ditën time të parë si mësimdhënës: Kur hyra në klasë ndjeja çdo rrahje zemre të fëmijëve, të cilët pritën që unë të bërtas, të cilët pritën që unë të hyj me vrazhdësi në klasë, të cilët u ngritën në këmbë nga frika dhe jo nga dëshira e respekti. Nuk jam hyjni, por nuk dua që këta fëmijë të ndjejnë fajin për gjithçka që flasin dhe veprojnë. Nuk dua që mësimin ta marrin si detyrim, por si obligim për të pasuruar njohuritë e tyre për jetën. Nuk dua që këta fëmijë nesër të bëhen diçka që nuk duan në jetë, nuk dua që shkolla, mësimi, mësuesi të jenë objekte, por të jenë vatër, shtëpi dhe familje. Nuk dua që një fëmijë i ndrojtur, i urtë dhe i qetë të jetë prapa tjerëve, ashtu siç mbeta unë dikur. Dua që këta fëmijë nesër të jenë një e ardhme e cila nuk do t’i frikësojë, një e ardhme e guximshme, e frytshme dhe e suksesshme.
Me dëshirën më të madhe ju them juve prindër dhe mësimdhënës, se fëmija nuk bëhet i mençur nëse merr nota të mira, dhe fëmija nuk bëhet dështak nëse merr nota të dobëta. Nëse dëshiron ta edukosh një fëmijë dhe një nxënës, në parim vlerëso personalitetin e tij, pastaj zemrën dhe në fund dijen!
Nuk i takon askujt të determinojë jetën e tjetrit se çfarë dhe kush do të bëhet në jetë, sepse askush nuk sheh ëndrrat e tjetrit, por ndihmon të gjejë rrugën nëpër të cilën të mos nëpërkëmbet dhe të mësojë mos të neglizhojë dijen dhe vlerën e tjetrit!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.