Nga Sheila Rexho – Msc. Komunikim & Marrëdhënie me Publikun, e pasionuar pas psikologjisë
Letërsia dhe psikologjia, këto dy degë të mrekullueshme të shkencës të cilat studiojnë shpirtin e njeriut e që janë ngushtazi të ndërlidhura me njëra-tjetrën, për arsyen e thjeshtë se një vepër letrare është në të njëjtën kohë produkt i një gjendjeje psikologjike të caktuar.
Pavarësisht se Psikologjia hulumton sjelljet njerëzore dhe shkaqet e tyre ndërsa literatura përshkruan sjelljen njerëzore përmes trillimit, midis të dyjave do ekzistojë gjithmonë kjo lidhje magjike, e cila për fat ndikon në shpirtin e njeriut, në botëkuptimin individual dhe në lartësimin e shumë vlerave humane, të cilat na serviren nëpërmjet personazheve apo historive qofshin të përjetuara realisht apo një fiction.
Sot është dita ndërkombëtare kundër Homofobisë, më kujtohet fare mirë, se autorja e parë të cilës i kam lexuar poezitë e para të zhanrit homoerotik ishte Sapfò, e isha ende një adoleshente në vitin 2000 që hasja në mënyrë kaq artistike, një fenomen që asokohe ishte tabu. Krejtësisht e mahnitur nga qasja artistike në veprën e Sapfos vijova gjatë rritjes time të lexoj autorë të tjerë të mëdhenj si Cavafy, Federico Garcia Lorca, Rimbaude, Verlaine, etj. të cilët kanë shkruar përjetimet e tyre të dashurisë homoseksuale mjeshtërisht, artistikisht dhe kanë frymëzuar miliona njerëz.
Pak kohë më parë i dhurova një njeriut tim të shtrenjtë Sapfò-n, “Nga dëshira digjem”. Fragmentet, të përkthyer nga origjinali nga Sokol Çunga.
Intuita ato momentet, më diktoi se vepra ishte e duhura, e shpresoja aq shumë që edhe të tjerë të frymëzoheshin mes atyre rreshtave.
Ky njeri i shtrenjtë, gjendej para vështirësisë së të shfaqurit hapur të përkatësisë së tij gjinore e për të bërë këtë hap, zgjodhëm Sapfòn, prindërit e tij lexuan Fragmentet, e teksa pritej një reagim ndoshta mohues, paragjykues, mospranues, për habi ata kishin reflektuar përmes poezisë, përmes vargjeve të ndiera, përmes gjuhës universale të dashurisë, e cila zhbën limitet, unifikon gjinitë dhe është simbol i jetës.
Para disa ditësh u zgjova me një mesazh falenderues, i cili më përloti, isha bërë hallkë e një zinxhiri lumturie krejt pa e ditur, jo vetëm unë, edhe përkthyesi gjithashtu, gjithmonë duke shpresuar, se do të vazhdojë të përmbushet një mision, se letërsia hap dhe zemrat më të mbyllura dhe se dashuria është edhe YLBER.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.