Pika referimi

February 25, 2019 | 10:16

Nga Sheila Rexho: Miti i “Princit”, të projektosh në mënyrë të pandërgjegjshme një rol në personalitetin e vajzave

Kur isha e vogël, gjumi më merrte kaq ëmbëlsisht në krahët e tij, ashtu duke fantazuar, teksa dëgjoja zërin e butë të mamit të më tregonte përralla. Në fakt, pothuajse të gjitha përrallat që ajo më lexonte, ishin me princesha…

Do gënjeja, nëse do thoja që unë, asokohe si fëmijë s’kam imagjinuar të isha një e tillë, ashtu prej vërteti, madje Lady D ishte princesha e preferuar, sepse në konceptin tim prej fashion lover, ajo vishte jeans dhe në botëkuptimin tim 7-8 vjeçar ajo ishte ndryshe nga të gjitha.

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sot jam një nënë dhe rituali i çdo mbrëmjeje përsëritet, përralla, përralla me princesha. Në mini bibliotekën e Seidit, mbizotërojnë kopertinat me princesha. Disa i zgjedh vetë, të tjerat i ka dhuratë. Në fakt vetë, asnjë të tillë nuk i kam blerë!

Shpesh ia krijoj vetë përrallat, në varësi të fantazisë së momentit dhe më ndodh që e vogla të më ndërpresë dhe të më thotë: më trego Hirushen, Sirenën e vogël, Borëbardhën, Bukuroshen e fjetur… të gjitha princesha.

Secila nga ne, në një moment apo një tjetër, e kemi thërritur apo trajtuar të voglën si Princeshë.

Princi në përralla është gjithmonë një trashëgimtar mbretërie, që në shumicën e tyre dashurohet me një vajzë pa titull mbretëror. Deri këtu jam dakord, të shkruara shekuj më parë, të paktën këto përralla nuk përcjellin diskriminim klasor, janë të bukura për imagjinatën, përmbajnë disa mesazhe me vlera, por personalisht më vjen natyrshëm të mendoj që Princi dhe Princesha nuk duhet kultivuar kaq shumë.

Pse? Sepse personalisht mendoj, se projektohet në mënyrë të pandërgjegjshme një rol në personalitetin e vajzave, të cilat mund të rriten, duke u ndjerë ndonjëherë vërtetë si të “tilla”.

princeshaDo pyesni, e ç’të keqe ka këtu? Le të fantazojmë për vajzat tona, fantazia është e bukur.

Ekzistojnë vogëlushe që rriten duke besuar në mitin e Princit, princit të kaltër, ai që me kalin e bardhë do t’i rrëmbejë zemrën e do të jetonte në pallatin mbretëror të lumtur…

Ka pafund vajza që duan të jenë të tilla sot, që presin këta princat me makinat e shtrenjta, me para të trashëguara, poste të mira pune dhe të jetojnë të lumtur në një apartament luksoz…

Ngjason apo jo, happy ending me përrallat, thjesht realiteti e modernizon historinë.

Miti i princeshave është komercializuar kaq shumë, është një industri gjigante lodrash, që prodhon dhe shet të gjithë aksesorët për t’u dukur si një e tillë, po ashtu edhe libraritë janë të mbushura me libra princeshash. S’kanë faj të voglat, tërhiqen nga ngjyrat e ëmbla, nga historia happy ending, nga fantazia e bukur që të çon larg, por vras mendjen, si mund të ndihet “princesha ime” e vogël jashtë habitatit të saj “mbretëror”. Kur të ndeshet me arrogancën, me hipokrizinë, me dhjetëra sfida të së përditshmes dhe mbi të gjitha me njerëz, të cilët nuk do duan ta trajtojnë atë si të tillë!

1

Nuk më pëlqen ideja, të edukoj një princeshë mbi bizele, dua të fokusoj gjithë dijen time, eksperiencën dhe dashurinë e pakushtëzuar tek një vajzë, e cila të dojë të rritet vetë në jetë, të përshtatet me çdo stil jetese, se jeta është e papritur.

Dua t’i induktoj asaj që princi nuk ekziston, por edhe nëse dashurisë së ardhshme do lejojmë që metaforikisht ta emërtojmë Princ, ai do jetë dikush njëlloj si ajo. E le të jetë hero për shembull, le të jetë një student mjekësie, arkitekture, informatike, ose çfarëdolloj disipline tjetër p.sh, mjafton që ky individ të dojë të ecë në jetë pa shijuar frytet e trashëgimisë. Pse nuk ka kaq shumë përralla për princa të varfër?

Në fakt, teksa diskutoja me shoqet e mia për këtë fenomen, njëra prej tyre më solli në vëmendje Aladinin. Ok, ja një përrallë! Po kaq?! Princeshat dhe fundi i tyre i lumtur, në fakt, nuk e kanë edhe aq të lumtur në realitet. Mjafton të lexojmë autobiografinë e Lady D, për të mësuar më shumë se çfarë është në realitet të jesh një princeshë e kohërave moderne…

Dua që e vogla ime të ndihet një vajzë pa titull, pa kurorë, pa fustane sateni madhështore, të imagjinojë atë “The one” pa kështjellë.

rsz_teaching-children-money

Shpresoj, si nënë, që fantazia e saj t’i shërbejë për t’ia shtegtuar ëndrrat larg, për ta frymëzuar se nëse beson tek ato është kaq e lehtë t’i realizosh, mjafton një vullnet i mirë dhe shumë dashuri, dhe mund të shndërrohesh në një “heroinë” moderne me zemrën plot dhe me besimin se, në jetë nuk mjafton princi për të qenë përjetësisht e lumtur dhe se lumturia është kudo, në gjërat më të thjeshta e në ato më të voglat, mjafton të duash ta ndiesh atë, të punosh fort për objektivat, të kesh pasion për çdo gjë dhe mbi të gjitha, mos të lodhesh kurrë nga dështimi. E çdo e nesërme të të gjejë si një version më i mirë i vetes… e nëse lumturinë e ndesh kështu, çdo ditë, atëherë ajo lumturi është më madhështore se e dhjetëra atyre përrallave të treguara në vogëli.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top