FB

March 20, 2023 | 21:53

Nga Sheila Rexho: Terminologjia e marrëdhënieve moderne

 

 

Secili nga ne mund të jetë gjendur në një situatë, në të cilën kemi ngritur pikëpyetje të shumta lidhur me sjellje të caktuara të individëve apo të na jetë kërkuar të këshillojmë një shok, duke bërë kështu rolin e terapistit. Të qënit empatik dhe dëgjues i shkëlqyer, të jep avantazhin të jesh aty për tjetrin, të besohen sekrete, dilema, drama, për të cilat ndoshta nuk ke gjithmonë një përgjigje, se pse njerëzit zgjedhin X apo Y strategji, për të komplikuar gjërat e thjeshta. Psikologët i konsiderojnë të thjeshta, sepse mjafton dëshira dhe vullneti për të komunikuar. 

 

Sheila Rexho – Msc. Komunikim & Marrëdhënie me Publikun, e pasionuar pas psikologjisë

 

E përbashkëta e të gjitha këtyre pikëpyetjeve njerëzore, që më është dashur të dëgjoj së fundmi, është pikërisht kurioziteti për të identifikuar këto modele sjelljesh të caktuara njerëzore, kur vjen puna tek marrëdhëniet.

Së fundmi, dikush të cilit ia çmoj intelektin, më rekomandoi një libër interesant të psikoterapistit dhe babait të bioenergjitikës, Alexander Lowen: “Narcizismi: Mohimi i vetes së vërtetë” i cili ka analizuar se shumica e  terminologjisë së mëposhtme tek të cilat do të ndalem, zanafillën e kanë nga tipari i personalitetit narcizist.

Gjej rastin të citoj një frazë të tij, e cila më bëri të reflektoj “Dhe ne duhet të dimë se çfarë është të jesh njeri, nëse duam të shmangim të bëhemi narcizistë”

v-1Marrëdhëniet në fakt nuk kanë qenë kurrë të thjeshta. Por në epokën e sotme, moderne, leksiku i termave që përdorim për të përshkruar se si dy njerëz bien në dashuri dhe si distancohen, është më i pasur se kurrë më parë. 

Takimet në një botë kryesisht digjitale (me shtimin e numrit të aplikacioneve të ndryshme të njohjeve) kanë ndryshuar shumë elemente në marrëdhëniet romantike. 

Ditët e arta të një marrëdhënieje, ku ekzistonin vetëm tri faza: takimet, fejesa dhe martesa, duket sikur janë zhdukur prej kohësh.

Tanimë ka terma të rinj për të percaktuar fillimin dhe fundin e çdo cikli marrëdhëniesh, pavarësisht nëse personi që jeni duke frekuentuar është duke  dalë paralelisht me njerëz të tjerë (zvarritja) ose një person i ri që sapo keni njohur, tejet pasionant, ju fal kaq shumë dashuri dhe vëmendje për javë të tëra përpara se të bini papritur me kokë brenda këtij kurthi në dukje të ëmbël, por të mirëkurdisur (bombardimi dashuror).

Gjithçka ju duket se është shumë konfuze dhe e ndërlikuar, pikërisht kjo është arsyeja pse zgjodha të deshifroj disi këto modele sjelljesh. 

Më poshtë, do të gjeni një “shpjegim” të terminologjisë së marrëdhënieve moderne për t’ju dhënë qartësinë që ju nevojitet, në mënyrë që të identifikoni marrëdhënien “e papërcaktueshme” në të cilën mund të keni ngecur.

 

Ghosting

Ghosting (zhdukja) nuk është asgjë e re në kulturën moderne të takimeve të sotme. Ghosting përshkruan aktin e ndalimit të papritur – dhe në dukje pa arsye – të të gjithë komunikimit brenda një marrëdhënieje romantike, e cila në fakt duket sikur ka lulëzuar. 

Fantazma zhduket në ajër, duke injoruar mesazhet, telefonatat dhe çdo tentativë komunikimi të personit tjetër, duke ndërprerë kështu çdo kontakt.

Aspekti më negativ lidhur me ghosting është se e lë personin tjetër krejtësisht të hutuar dhe konfuz, duke hamendësuar se ku gaboi apo pse shkoi gjithçka kaq keq. Pavarësisht nëse jeni frekuentuar për një kohë të caktuar ose jeni ende në fazat fillestare të një marrëdhënieje romantike, ghosting është një fund i papritur dhe i plotë i çdo gjëje që dy njerëz mund të kenë patur me njëri-tjetrin.

Shumë psikologë besojnë se ghosting është një formë mizorie emocionale, e cila thellon ndjenjat e braktisjes dhe dezertimit. 

Nëse jeni me dikë dhe gjërat nuk po funksionojnë për çfarëdolloj arsyeje, është më mirë të ndaheni me personin në mënyrën e duhur, edhe nëse mund të jetë një bisedë e vështirë për t’u kryer.

 

Haunting

Pas ghosting vjen pikërisht ndjekja. Ndonjëherë njerëzit që zhduken befasisht nga jeta e një partneri rezultojnë të shfaqen përsëri në jetën e atij personi, pa paralajmërim apo një shpjegim të caktuar. 

Rishfaqja nuk është e drejtpërdrejtë, me anë të një mesazhi ose telefonate.  Është më delikate dhe zakonisht bëhet përmes mediave sociale. Ish-Fantazmat mund të të bëjnë like në një foto në Instagram ose të reagojnë ndaj story-t që ke postuar, por këto përpjekje tejet dembele për të rivënë kontaktin nuk duhet të merren në konsideratë, nuk është asgjë veçse një fantazmë e cila po përpiqet të rishkaktojë “telashe”. 

Nëse realisht dikush do të donte të kthehej dhe të rindizte flakën, numri juaj i telefonit është më shumë se i mjaftueshëm për të bërë hapin e parë.

v-2

Submarining

Submarinining është fenomen i ngjashëm me haunting, por në vend të delikatesës gjatë përpjekjes së tyre për t’u rikthyer në jetën tuaj, ata do të rishfaqen plotësisht, ashtu si një nëndetëse. 

Një ish-fantazmë mund të të kontaktojë përmes një mesazhi dhe të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur ndonjëherë, pa kërkuar as falje për zhdukjen e befasishme të fillimit. 

“Nëndetëset” do të gjejnë gjithmonë rrugën e tyre për t’u kthyer, ashtu në hijet e detit të thellë e misterioz, kështu që mos e ngatërroni rishfaqjen me një “connection” të vërtetë.

 

Zombieing

Deri më tani, mësuam se fantazmat mund të ndjekin dhe nëndetëset, dhe së fundi, ata gjithashtu mund të shndërrohen në zombies. Një zombie përshkruhet si fenomeni i një fantazme, e cila shfaqet përsëri në jetën e dikujt, qofshin muaj apo edhe vite pas zhdukjes fillestare dhe ndërkohë përpiqet të rivendosë kontaktet e humbura.

Zombie mund të tentojë t’ju mashtrojë duke ju bërë të projektoni mendime, se ai është një person krejtësisht i ri. Psikologët këshillojnë të tregoheni të kujdesshëm duke mos rënë pre e taktikës së tyre.

 

Orbiting

Orbitimi është zhdukja e re, me sa duket. Me aksesin masiv nëpër mediat sociale, tendenca që dikush të zhduket plotësisht dhe përgjithmonë, duket e rrallë.

Në vend të kësaj, kjo kategori individësh ka të ngjarë të orbitojë botën tuaj virtuale, duke monitoruar vazhdimisht përditësimet e jetës suaj në platformat digjitale.  Është një fenomen në dukje si përgjumje e vazhdueshme, e cila nuk përfshihet në marrjen e hapave konkrete për të krijuar një komunikim të mirëfilltë.

Ju i shihni ata duke ju “vëzhguar” dhe pas njëfarë kohe, mund të gjendeni duke pyetur veten se Pse??? Në fakt nuk ka shpjegim të thjeshtë. Ndoshta ata mendojnë se butoni unfollow është një ndëshkim goxha i ashpër, ose ndoshta janë thjesht kureshtarë. 

Sido që të jetë, nuk do ta mësoni ndonjëherë – përveç rasteve nëse do t’ju rikthehen në variantin e nëndetëses ose zombie-t.

 

Breadcrumbing

Breadcrumbing (ushqimi me thërrime) e ka origjinën nga përralla e vjetër gjermane, Hansel & Gretel. Ky fenomen përshkruan aktin e ushqimit me thërrime, që mund të shkaktojë tek dikush, të besojë se është i pëlqyeshëm nga pala tjetër.

Komunikimi ka trajtën e shkëmbimit të mesazheve, telefonatave dhe vëmendjes së përgjithshme që mund të marrë nga mediat sociale. Është angazhim i mjaftueshëm për t’ju mbajtur të interesuar, por në fund të fundit, të pakënaqur. Këto thërrime janë shpesh një shteg drejt askundit. Një breadcrumber ju udhëheq duke hedhur thërrime të vogla interesi – një mesazh të rastësishëm, telefonatë, plan takimesh ose njëfarë ndërveprimi në mediat sociale, të gjitha këto në mënyrë sporadike.

Pra po njiheni me dikë që duket pak si i paangazhuar? Ndoshta ju dërgon mesazhe të mjaftueshme për t’ju bërë të ndiheni të sigurt se personi eshtë ende i/e interesuar. Në fund të fundit, nëse nuk do ju pëlqenin, ata nuk do të shpenzonin kohën e tyre me shkëmbim mesazhesh, apo jo?

Në realitet, njerëzit që ju ushqejnë me thërrime në përgjithësi duan t’ju mbajnë të interesuar, edhe kur nuk kanë qëllim konkret për të ndërtuar një marrëdhënie me ju, mund t’ju mbushin me plane imagjinare, por në të vërtetë asgjë nuk ndodh. Ndoshta janë thjesht të vetmuar në një moment, bored gjatë ditës, ose ju mbajnë thjesht si një opsion për t’ju validuar egon.

 

Benching (rezerva)

Siç e dini, në football, disa lojtarë janë gati, të ulur në stol, si rezervë  në pritje për të hyrë në lojë. Në marrëdhëniet moderne, stoli është akti i “përpilimit të listës” me lojtarë të mundshëm që një ditë mund të thirren për të kaluar pak kohë në fushë. 

Ju mund të vendosni në stol dikë që ka shprehur interes në të kaluarën, por për çfarëdo arsye, nuk ka funksionuar ndonjëherë. Dikush gjithashtu mund t’ju vendosë në stolin rezervë nëse nuk është gati për një marrëdhënie të vërtetë, kur në fakt ju jeni. 

Kini parasysh, të qënit rezervë zakonisht përfshin elementet e përmendura më sipër, pra breadcrumbing.

 

Situattionship

Më pak se një marrëdhënie, por më shumë se një takim i rastësishëm sexual ky fenomen i referohet një marrëdhënie romantike që është dhe mbetet e papërcaktuar.

“Një situacion është ajo hapësirë midis një marrëdhënieje të përkushtuar dhe diçkaje që është më shumë se një miqësi,” shpjegon psikoterapisti dhe autori Jonathan Alpert. “Ndryshe nga një friends with benefits ose marrëdhënie, në situationship nuk ka konsensus se çfarë është.” Pse ky fenomen po shndërrohet në trend tani?

“Në aspektin kulturor, pritshmëritë tona për marrëdhëniet kanë ndryshuar; njerëzit po martohen në moshë më të vonë dhe shumë njerëz janë të etur për të eksploruar marrëdhëniet në një mënyrë më pak të strukturuar, pa presionin për t’u përkushtuar, për arsyen se ata i japin përparësi vetënjohjes dhe zhvillimit si individë.”

 

The slow fade

Nëse ghosting është një fund i papritur i një marrëdhënieje, një zbehje e ngadaltë është vdekje me njëmijë shkurtime. 

Një zbehje e ngadaltë ndodh me kalimin e kohës dhe përfshin një person në marrëdhënie duke u larguar ngadalë nga tjetri. 

Në vend të një bisede të vështirë, e cila pasohet nga një ndarje, një zbehje e ngadaltë është një recesion i zgjatur dhe shpesh i dhimbshëm që çon në mbylljen përfundimtare të marrëdhënies. Është e zakonshme në marrëdhëniet e reja si një mënyrë për të zbutur traumën që mund të sjellë një ndarjeje.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top