FB

March 14, 2026 | 17:06

Nga shpirti në trup, një analizë kritike mbi ekspozitën me titull “Lakuriq” të Oltsen Gripshit

Nga Massimo Scaringella 
Kurator i ekspozitës

“Njeriu nuk është më ai për të cilin alternohen dita dhe nata, apo maten afërsitë dhe largësitë. Ai tashmë është vendosur si send midis sendeve, pafundësisht i vetëm. Gjithçka që i bashkon njerëzit dhe gjërat është tërhequr në një thellësi të përbashkët, nga e cila ushqehen rrënjët e gjithçkaje që rritet.”, R. M. Rilke

Gjatë historisë së artit, trupi njerëzor ka përfaqësuar gjithmonë një nga territoret kryesore të hetimit për të kuptuar njeriun dhe marrëdhënien e tij me botën. Nga harmonia ideale e artit klasik te studimi anatomik i thelluar i Rilindjes, trupi është përfytyruar gjatë si perceptim i ekuilibrit, bukurisë dhe bashkimit tërësor të materies njerëzore.

messenger_creation_830382ce-b0c0-4ac3-8559-3d5207d4ee46

Megjithatë, në bashkëkohësi ky këndvështrim shpërbëhet dhe vihet rrënjësisht në pikëpyetje. Pikërisht në këtë hulli shpaloset kërkimi filozofik dhe semiotik i artistit bashkëkohor shqiptar, Oltsen Gripshi.
Në ekspozitën “Lakuriq”, trupi nuk shfaqet më si një formë e plotë dhe e integruar, por si një prani e copëzuar, e deformuar dhe, herë-herë, e paplotë. Fragmentarizimi shndërrohet në një gjuhë të domosdoshme, një zgjedhje shprehëse që lind nga nevoja për të rrëfyer një gjendje ekzistenciale të ndërlikuar dhe të paqëndrueshme. Përmes trupit, Gripshi vë në diskutim krizën e identitetit bashkëkohor, traumat e shtresëzuara në kujtesën e përbashkët dhe tensionet që lindin nga shoqëria e sotme.

messenger_creation_6d0bcf3d-23b2-423c-8b9c-09b6855e7a07

Ekspozita “Lakuriq”, e hapur në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës (GOCAT), shfaqet si një rrugëtim intim dhe njëkohësisht universal, ku artisti hyn në dialog me publikun. Shpërbërja e trupit pasqyron thyerjen e ndjeshmërisë së artistit përballë fenomenologjive shoqërore të së tashmes: një realitet që nuk mund të përfaqësohet më përmes formave harmonike dhe të njëtrajtshme, sesa shfaqja e tyre si gjurmë, plagë, mbetje. Në këtë këndvështrim, trupi shndërrohet në “territorin” e një përvoje të brendshme, të shënuar nga përjetime që lënë gjurmë të pashlyeshme.
Kështu, trupi i fragmentuar kthehet në një metaforë pamore të një ndjeshmërie të brishtë, por kurdoherë vigjilent. Veprat e Gripshit pasqyrojnë gjithashtu ngërthimin e ndërlikuar të identitetit të individit bashkëkohor në shoqërinë shqiptare, shpeshherë i mbetur pezull mes përkatësisë kombëtare dhe identiteteve të huazuara gjetkë jashtë vendit. Rrugëtimi i formimit të artistit jashtë Shqipërisë, ka kontribuar në ndërtimin brenda tij të një fushëpamjeje, ku identiteti nuk shfaqet më si një e dhënë e qëndrueshme, por si një përmasë e “lëngshme”, e shtresëzuar dhe në tjetërsim të vazhdueshëm.
messenger_creation_1c2eb6bd-4eed-409f-96fa-28665acc8470

Përmes shpërbërjes së trupit, ekspozita vetjake “Lakuriq” e artistit Gripshi rrëfen një “Unë” që nuk gjen më një përmbajtje të mirëpërkufizuar, sesa një shpërfaqje të fragmentarizuar të trupit në pjesë të ndara mes tyre dhe të ekspozuar në hapësirën ekspozuese të galerisë. Një trup që, ndonëse humbet iluzionin e bashkimit si një tërësi e vetme, vazhdon të ekzistojë dhe të rezistojë, duke ia besuar artit detyrën për të ruajtur dhe për të përçuar praninë e vet në kohë.
Ky është filli përçues që lidh veprat e paraqitura në këtë ekspozitë me titull “Lakuriq” të Oltsen Gripshit, e konceptuar si një formë iluzioni dhe si reflektim mbi sintezën jashtë dhe brenda shpirtit njerëzor.

messenger_creation_6ff76c11-638e-4671-8eee-7ebb7538901d

Veprat e konceptuara nga Gripshi nuk përfaqësojnë bukurinë e përsosur, ashtu siç jemi mësuar ta shohim në ballinat e revistave me sipërfaqje plot lustër, sepse ajo që kërkon artisti të na paraqesë janë fragmentet e trupit, të cilat përbëjnë subjektin e privilegjuar të kërkimit të tij pamor. Në këto vepra, eleganca dhe hijeshia shpesh mohohen, jo si mungesë, por si zgjedhje e vetëdijshme: ato nuk janë vizione vegimesh, por rezultat i një hulumtimi të kujdesshëm të formës dhe simbolikës.
Në përfundim, fragmentimi i trupit njerëzor në krijimtarinë bashkëkohore të Gripshit nuk përbën thjesht një zgjedhje estetike, por një reflektim të thellë mbi gjendjen e njeriut modern dhe mbi të gjithë fenomenologjinë që ai prodhon, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme. Përmes trupave të fragmentuar dhe të deformuar, artisti pasqyron një realitet kompleks, i cili në muajt e fundit është prekur edhe nga përvoja e dhimbshme e sëmundjes onkologjike e nënës së tij.

messenger_creation_02c88630-1078-4845-b614-f15688fa2481

Ndaj, trupi i fragmentuar shndërrohet pakuptuar në pasqyrën ku artisti shikon veten, duke humbur kësisoj orientimin për tërësinë e vetë trupit të tij. Si rrjedhojë, ekspozita me titull “Lakuriq” nuk thekson vetëm ndjeshmërinë dhe brishtësinë e qenies njerëzore, por edhe aftësinë e saj për rezistencë përballë fenomenologjive të bashkëkohësisë në të cilën jeton. Në këtë rast, trupi i fragmentuar është një hapësirë reflektimi dhe ndërgjegjeje mbi ekzistencën e artistit, përmes veprave të tij, që shtresëzojnë kujtesën e përvojës jetësore, si në përmasën e qenies njerëzore, ashtu edhe në atë të artistit krijues.

messenger_creation_571151b9-44f7-427a-b6e0-0f1dc6373c88

messenger_creation_55942aeb-d086-4756-b250-6567bf77516d

messenger_creation_fdcc04cb-c89a-458d-9698-f3383245dc43

messenger_creation_204d5d61-b9d9-4a31-9816-89941e692f08

messenger_creation_fdcc04cb-c89a-458d-9698-f3383245dc43

messenger_creation_0153f133-386c-4a48-995e-ff658da14197

messenger_creation_6b77093c-3d4b-451a-85aa-67280cd425a7

messenger_creation_dac2c26e-6367-438c-9b72-fe66486ff4fb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top