Marrëdhënie

April 12, 2018 | 13:53

Nga Silvana Canaj / Fëmijët, prindërit, çifti…

Privatësia është thelbësore në një individ të lumtur! Të gjithë iu gëzuan bashkëjetesës në familje të madhe: gjyshërit, prindërit, fëmijët. Ndihmonte secili në ç’të mundte. Qoftë fizikisht, monetarisht, apo edhe me kohën e vet. Kur fëmijët janë të vegjël, duan vëmendjen e të gjithëve. Punët dhe oraret jo të përputhshme kërkojnë angazhimin e secilit pjesëtar në mbajtjen e fëmijëve. Dhe sigurisht, të gjithë e japin këtë ndihmë me kënaqësinë më të madhe.

Silvana Canaj, Psikologe Këshillimi

Silvana Canaj, Psikologe Këshillimi

Por nuk vonon shumë dhe fillojnë “gërricjet” e para. Kënaqësitë e mëparshme konsiderohen angazhime të bezdisshme tashmë. Secili do më shumë kohë për veten. Dhe kjo do të thotë ndihmesë gjithmonë e më pak në familje. Kjo kërkesë e kohës për veten vjen nga të gjithë, jo vetëm nga më të rinjtë e familjes. Çifti më i ri i familjes duhet të jetë gjithmonë tre ose katër (varet nga numri i fëmijëve).

“Deshët fëmijë? Mbajini!” thonë shpesh prindërit e mëdhenj. Kjo fjali fillon e shpeshtohet me rritjen e fëmijëve. Nuk ekziston më harmonia e fillimit. Tashmë fëmijët janë “barrë” për gjyshërit. E di që shumë nga lexuesit do më kundërshtojnë ashpër për këtë që sapo thashë, por ka edhe raste kur gjyshërit “përtojnë” të kujdesen për nipërit e mbesat. Janë aty për t’i llastuar apo për të kundërshtuar çiftin e ri në lidhje me edukimin, por nuk janë kur duhet të jenë pjesë e edukimit. “Për t’i bërtitur s’më ke mua, s’e duroj dot kur qan” janë disa nga shprehjet e gjyshërve.

Dashur pa dashur, e nxjerrin prindin e fëmijës si “gogolin” e familjes. Nuk e kuptojnë se sa e dëmtojnë harmoninë dhe rregullin brenda familjes. Gjyshërit janë “të shumëditur”, jo “të gjithçkaditur”. Çifti i ri duhet të jetë i hapur ndaj sugjerimeve për prindërimin, rregullat e familjes, por duhet edhe të dëgjohet fjala e tyre. Fëmija është tjetër faktor në familjen e madhe. Ai i vendos rregullat e veta në mënyrë organike, pa u kuptuar. Shpeshherë është “molla e sherrit” mes dy gjeneratave.

Këshillë për gjyshërit: Ju lutem, lërini prindërit të prindërojnë me fëmijën e tyre! Nëse kjo është e pashmangshme, kthehemi te fjalia me të cilin e çela këtë shkrim: Privatësia është thelbësore në një individ të lumtur!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top