FB

February 16, 2026 | 19:33

Nga Trofimoviç tek ne: një histori që nuk mbaron

Nga Rezarta Gagani

Njeriu modern flet për ndryshimin me një lehtësi që nuk e ka kur vjen puna të prekë vetveten. Jetojmë në një epokë ku transformimi është bërë detyrim estetik, një gjest që duket mirë në publik, por rrallë prek jetën reale.

file_000000007b24720a900c82bed2ab9609

Stepan Trofimoviçi, personazhi i romanit “Djajtë”, e luajti këtë rol shumë përpara nesh. Ai nuk ishte thjesht një intelektual provincial. Ishte modeli i njeriut që i kthen idetë në aksesorë, duke harruar se çdo mendim i hedhur pa ndërgjegje kërkon herët a vonë një trup për t’u ushqyer.
Paradoksi i tij nuk ishte hipokrizia. Ishte sinqeriteti i vetë-iluzionit. Ai nuk gënjente botën. Kishte harruar ku mbaronte besimi dhe ku fillonte roli. Ka çaste kur e dalloj këtë rol edhe në mënyrën si flas vetë për përgjegjësinë. Kur ideja nuk paguhet me jetë, ajo nuk zhduket. Kalon si borxh te brezi që vjen.
Stepan Trofimoviçi nuk është relike e shekullit XIX. Është modeli historik i intelektualit që prodhon ide pa marrë përgjegjësi për pasojat. Ai luan me lirinë si me fishekzjarrë, pa kuptuar se fitili digjet diku tjetër, në duart e atyre që do ta marrin seriozisht.
Dhe këtu ndodh diçka që nuk duket menjëherë. Një njeri shkruan një mendim të zemëruar, pret që bota të reagojë, dhe kur nuk ndodh asgjë, e fshin sikur fjala të mos ketë ekzistuar kurrë. Në atë moment, idetë pushojnë së qeni mendime dhe bëhen sjellje. Nuk është më ideologjia ajo që na drejton, por refleksi. Një njeri që hap telefonin dhjetë herë në ditë për të reaguar. Një koment i shkruar para se të mendohet. Një gjykim moral i bërë për sy të të tjerëve. Djajtë nuk kanë më nevojë për teori. Mjafton një mekanizëm që na mëson të reagojmë para se të kuptojmë.
Ka një çast kur e kupton se problemi nuk është bota. Është lehtësia me të cilën ne vetë futemi në këtë lojë. Flasim për kauza që nuk i jetojmë. Mbrojmë ide që nuk do t’i mbanim mbi shpinë as një ditë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse gjithë kjo zhurmë morale nuk na ndryshon. Sepse nuk rrezikon asgjë nga ne.
Gabimi më i madh është të mendojmë se jetojmë pa ndërgjegje. Në të vërtetë jemi të mbingarkuar me ndërgjegje publike dhe të varfër në ndërgjegje private. Ndonjëherë dyshoj se gjithë ky analizim është vetëm një mënyrë për të mos parë sa thellë jemi brenda së njëjtës lojë. Jemi vigjilentë ndaj botës. Të lodhur përballë vetes. Ndërgjegjja është bërë skenë. Heshtja e brendshme, vendi ku dikur lindte përgjegjësia, ka mbetur bosh.
Kulmi i këtij procesi është momenti kur njeriu konkret zëvendësohet nga ideja. Kur fytyra zhduket dhe mbetet vetëm simboli. Dhe ndoshta këtu fillon hija e Trofimoviçit. Ndonjëherë kam përshtypjen se zëri i tij nuk vjen nga e shkuara. Por nga mënyra si ne heshtim sot.

*Rezarta Gagani, autore dhe poete e apasionuar pas filozofisë

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top