Në mentalitet e përhapura kulturore, apo dhe sociale që bëhen për bullizmin shpjegohet se: bullizmi është pjesë e pashmangshme e fëmijërisë dhe adoleshencës, prandaj këto sjellje shpesh ndodh që edhe të shpërfillen.
Ndodh që mësuesit apo prindërit mund të mos dallojnë modele sjelljesh tipike për bullizmin, të cilat nëse neglizhohen, mund të sjellin pasoja mjaft negative (Sassu, Elinoff, Bray & Kehle, 2004). Prindërit duhet të nxiten që të parandalojnë shfaqjen e viktimizimit, duke rritur komunikimin e efektshëm, monitoruar sjelljen, mundësuar përvoja pozitive sociale, inkurajuar sjelljen e përgjegjshme në internet, të folurit mbi fenomenin e bullizmit, duke qenë kështu një model për t’u imituar.
Në rast se ka episode bullizmi, prindi rekomandohet t’i ofrohet mbështetje, të mbledhë informacion, t’i drejtohet shkollës, si edhe të mbajë fëmijën të sigurt kur është duke lundruar në internet.
Sipas një studimi të kryer në Shqipëri me mësuesit dhe drejtuesit e disa shkollave 9-vjeçare, fenomeni është i pranishëm në punën e tyre të përditshme, por mungesa e njohjes së thelluar ndaj tij, i bëjnë mësuesit dhe drejtuesit të mbajnë qëndrime rastësore dhe kryesisht ekstreme (indiferentizëm ose masa ekstreme për ndërprerjen e fenomenit). Pjesa më e madhe e mësuesve mendojnë se këto situata mund të zgjidhen nga ata vetë ose në bashkëpunim me prindërit. Nga ana tjetër, drejtuesit mendojnë se si bullët edhe viktimat kanë nevojë për t’u trajtuar nga psikologët e shkollave (Karaj, 2014).
Shumë fëmijë nuk e raportojnë bullizmin tek të rriturit, sidomos me rritjen e moshës, për shkak të imazhit negativ për “spiunët”, stereotipeve gjinore, frikës nga hakmarrja, si edhe mungesës së besimit tek veprimet e të rriturve (Olweus & Limber, 2010).
Ata mund të ndihen të turpëruar pasi nuk i bëjnë dot ballë vetë bullëve ose mund të mos duan t’i shqetësojnë prindërit. Ata mendojnë se këshilla e prindit apo mësuesit mund të përkeqësojë situatën dhe mësuesi mund t’i tregojë bullit për të. Ndonëse në një studim, 88% e nxënësve raportojnë se kanë vëzhguar personalisht episode bullizmi, vetëm 10-20% japin ndonjë ndihmë reale kur një nxënës viktimizohet.
Andaj duhet pasur shumë kujdes nga këto situata sado të vogla, në dukje dhe jo në dukje ndonjëherë, duhen trajtuar me shumë kujdes që mos të shkojmë në probleme madhore nëse i “injorojmë” këto gjëra stereotipikisht. Me shprehi të tilla si: “fëmijë janë, aty zihen, aty pajtohen”, “fëmijë i përkëdhelur ky”, “fëmijë shumë i urtë, zërin s’ia ndjejmë” (ky i fundit mund të ndihet edhe më shumë i bulluar apo i frustruar nga presione të ndryshme.
Lë ta parandalojmë, sepse është më mirë se sa të kurojmë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.