Marrëdhënie

March 19, 2018 | 14:22

Nga Valentina Telhaj / Pse çiftet duhet të bëjnë terapi

ÇIFTET KËRKOJNË TERAPI PËR NJË NUMËR TË MADH PROBLEMESH DHE ÇDO ÇIFT ËSHTË I NDRYSHËM NGA TJETRI DHE KA PROBLEMET E VETA SPECIFIKE. DISA NGA PROBLEMET E ZAKONSHME PËRFSHIJNË: MUNGESËN E KOMUNIKIMIT, NEVOJËN EMOCIONALE, PROBLEMET FINANCIARE DHE KONFLIKTET RRETH FËMIJËVE.

MSc.Valentina Telhaj, Psikologe, Terapiste ABA & EMDR

MSc.Valentina Telhaj, Psikologe, Terapiste ABA & EMDR

Çiftet kërkojnë ndihmë, jo sepse problemet e tyre janë ndryshe nga ato të të tjerëve, por sepse ata janë në paqartësi mendimesh për t’i zgjidhur ato. Çifte të tjera kërkojnë ndihmë si rezultat i një krize në marrëdhënie, siç është humbja e dukshme e ndjenjës apo e kujdesit ndaj njëri-tjetrit. Terapisti është një profesionist i trajnuar, sa më objektiv. Ata e fillojnë terapinë e tyre me një vlerësim mbi situatën. Një nga pyetjet që shtrohet, është: a është mjaft serioz problemi që të kërkojmë ndihmën e terapistit?

Disa çifte e nënvlerësojnë rëndësinë e problemeve të tyre. Çifti mund të gabojë në nivelin e seriozitetit të problemit, duke e anashkaluar dhe akumuluar atë, pasi kanë turp të kërkojnë ndihmë. Për disa ekziston edhe këshillimi paramartesor, i cili shërben si parandalues për ta. Programe të kësaj natyre u vijnë në ndihmë çifteve që të përballen me shumë çështje, të cilat mund të ndikojnë në prishjen e lidhjes martesore.

A përfshihen fëmijët në terapinë e çifteve?

Jo, nuk përfshihen! Por janë të ndikuar nga problemet e prindërve dhe në shkallë të ndryshme paraqesin pengesa në zhvillimin e tyre. Si pasojë e këtyre marrëdhënieve, ata pësojnë ankth dhe shfaqin probleme të ndryshme. Këto situata burojnë direkt nga problemet e prindërve. Pra, me përmirësimin e marrëdhënies së prindërve përmirësohet fëmija, dhe e kundërta. Procesi që përfshin edhe fëmijët, merr një emër tjetër: terapi në familje, e cila fokusohet në problemet familjare. Njerëzit që grinden shpesh, ndjejnë se po sillen në një rreth të mbyllur.

Çështjet e pazgjidhura që shqetësojnë një çift, fillojnë të ngjyrosin çdo gjë dhe të mjegullojnë shkakun e vërtetë të ndjenjave të zemërimit dhe nervozizmit, deri në atë pikë ku partnerët grinden për çdo gjë edhe pa shkak. Ky fenomen bën që trapisti të zhvillojë një kuptueshmëri të thellë të çiftit. Sa më shumë të flasin, aq më shumë i gjendet zgjidhje problemeve.

Familja shqiptare dikur dhe sot

Familja shqiptare në historinë e saj, kryesisht ka qenë patriarkale, duke funksionuar si një bashkësi e gjerë njerëzish, e jo si ajo bërthama, me marrëdhënie ndërpersonale burrë-grua- fëmijë. Një lloj “kolektivizmi” burimor, ku personi “shkrihet” në logjikën e familjes, pa pasur mundësi për krijimin e personalitetit bazë dhe të identitetit personal. Rreziku është individualizmi ose egoizmi i tepruar, i cili shprehet nëpërmjet nevojës dhe dëshirës për të sunduar të tjerët me parime, ”vetëm si të them unë”, sepse tjetri nënçmohet, nënshtrohet, objektivizohet, vegëlsohet dhe keqtrajtohet, sidomos femrat dhe fëmijët.

Faza kalimtare mes familjes patriarkale dhe asaj nukleare është mjaft e vështirë, me plot sfida e rreziqe, sidomos kur shthurja apo rrënimi i sistemit politik, ekonomik, kulturor dhe social shoqërohet edhe me luftë, siç ishte fatkeqësisht rasti ynë. Privatizimi i lidhjeve afektive, seksit dhe moralit, martesës dhe familjes shprehet me këto parime: “punë për mua; di unë ç’të bëj; mos u përziej ti; askush nuk ndërhyn në jetën time private; nuk jam më fëmijë; mendoj si dua dhe si më pëlqen”…

Sot, martesa është vetëm një fillim, një proces në vazhdimësi, ku çiftet martesore janë shpesh të vetmuar dhe vështirësitë më të vogla, mund t’i godasin dhe destabilizojnë, sepse pothuaj askush nuk kujdeset më për ata, as në fazën e përgatitjes për martesë, as edhe më pak më vonë kur shfaqet pluralizmi i mendimeve, qëndrimeve, botëkuptimeve, sepse sot “bota është me rrota”, në lëvizje, me dyndjet moderne të popujve, gjuhëve, kulturave, feve. Martesa nuk është më qëllim jete, por më tepër mundësi bashkëshortësie me marrëdhënie njerëzore, gjinore, me komunikim të gjithanshëm dhe të vazhdueshëm, me formimin e familjes si bashkësi jete dhe burim edukimi.

Pa pasur identitet dhe personalitet s’mund të jetë askush burrë apo grua, sepse dy fazat e mëhershme jetësore, individualizimi dhe socializimi, janë parakusht bazë për partneritet, bashkëshortësi dhe integrim ndërpersonal. Vlerat e mirëfillta traditore duhet të ruhen dhe të kultivohen, sidomos nderimi dhe pranimi i jetës në çdo fazë, sepse fjala popullore thotë bukur: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”.

Mirëpo këto vlera duhet të begatohen edhe me vlera bashkëkohore, si: edukimi personal dhe ndërpersonal, bashkëpunimi, bashkëjetesa, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike, kultura e punës, përgjegjësisë, komunikimit etj.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top