Mirëqenie

March 31, 2018 | 14:03

Nga Violeta Gjoni / Pushimet… si t’i ndihmojmë fëmijët me aftësi ndryshe

Shumë prindër që kanë fëmijë me aftësi të veçanta, kanë probleme të shumta në faza të ndryshme të jetës së tyre. Periudha e verës, plazhi, deti apo udhëtimet turistike, janë një cikël po kaq problematik përballë nevojave që ka kjo kategori fëmijësh dhe dëshirave që ata shfaqin pa kuptuar rrezikun. Violeta Gjoni, mësuese e specializuar për këta fëmijë, orienton përmes disa këshillave praktike, prindërit që janë drejtuesit kryesor të këtyre fëmijëve.

Violeta Gjoni

Violeta Gjoni

Pushimet e mia apo stresi im?!

Si të veproj me fëmijën tim gjatë ditëve të pushimeve kur ai këmbëngul për çdo gjë? Dihet tashmë se fëmijët me aftësi ndryshe kanë shumë dëshirë të qëndrojnë në ujë. Asgjë nuk i pengon në tekën e tyre, as buza e nxirë nga i ftohti dhe as shpina që po i piqet nga i nxehti. Dëgjojmë nëna që tregojnë për fëmijët e tyre që nuk dalin nga uji nga mëngjesi deri atëherë kur iu duhet të kthehen për në shtëpi. Prindër kini parasysh se këto janë vetëm ca të teka si gjithë të tjerat.

Mundohuni me ndonjë përforcues pozitiv (duke e ditur për diçka tjetër që atij i pëlqen) që të mund t’ia kufizoni kohën e tepërt në ujë. Nuk duhet t’ju mundë këmbëngulja e tij vetëm e vetëm që mos të shqetësosh të tjerët. Me siguri që po të pyesësh një nënë se, përse po qan fëmija kaq shumë, ajo ndjehet kaq e papërkrahur nga vështrimi yt, sa i vjen të ulërasë e të të thotë: Nuk dua të prish rehatllëkun tënd!

Andaj, për të mos u bërë i bezdisshëm fëmija i tyre, ato duhet të zgjedhin rrugën më të shkurtër e të dëmshme, duke shtuar dhe më shumë elemente negative në zhvillimin e tyre, që nesër apo pasnesër bëhen edhe më të papranueshme nga shoqëria.

Fëmija do të ketë defiçencë potenciale në aftësinë për të dalluar dhe balancojë tipat dhe qëndrimet e njerëzve që e rrethojnë. Ai i shfrytëzon në maksimum këto “dinakëri” për të arritur qëllimin, duke qenë edhe më i vendosur me ulërimat e veta. Andaj kujdes. Flitini vazhdimisht fëmijës, sado t’ju duket e pamundur marrja e mesazhit. Të jeni të bindur se ai ju kupton shumë mirë. Konsideroje si gjithë të tjerët, ashtu siç do t’i kishe folur fëmijës tjetër për një gabim të përsëritur dhe nuk do doje ta bënte “rrugë”. Mësoje fëmijën me çdo lloj situate, qoftë për mirë, qoftë në vështirësi. Mos e ano duke menduar që nuk i kupton gjërat.

Diagnostikim i hershëm

Diktimi i shpejtë i autizmit lejon edhe diagnostikimin e hershëm. Jo vetëm specialisti, por edhe prindi që ka parë nga afër fëmijë në rritje, prindër që para tij kanë rritur fëmijë të tjerë, konstaton dallimet, duke bërë krahasimet zhvillimore. Dihet se një i porsalindur prej disa javësh reagon ndaj ledhatimeve amësore, dhe si kundërpërgjigje, zgjat krahët duke buzëqeshur. Por e kundërta ndodh te një fëmijë me elemente autizmi, i cili nuk shfaq asnjë interes për mjedisin që e rrethon, nuk zgjat krahët, nuk kap shikimin, në sytë e tij çdo gjë ka të njëjtën vlerë: lodra, letra me lule në murin e dhomës, vëllai që e thërret dhe nëna.

Ndërhyrja edukative

Shpesh vëmendja është drejtuar në rolin e nënës për ndërtimin e personalitetit të fëmijës. Asnjë nuk e vendos veten në vendin e saj. Kushdo nënë, sado e pakujdesshme të jetë, mendon se fëmija e saj mund të arrijë në shkëputjen nga dashuria dhe jeta sociale. Fëmija me këto elemente, ka nevojë për një edukim shumë të veçantë që shkon nga mësimi i gjesteve, pra nga mësimi i të thjeshtës, praktikës, jetës së përditshme: si duhet të qëndrojë në tryezë, përdorimi i lugës, pirunit, kontrollimi i sjelljes, kapërcimi i rrugës, kuptimi i rrezikut, përdorimi i transportit publik, kuptimi i pohimit me një PO i dhe mohimit me një JO, e deri te mësimi i gjuhës së folur dhe leximit.

Pastaj këtu qëndron i gjithë çelësi i suksesit, metoda edukative që do të thotë: cilësia e edukatorit të specializuar, mësuesit dhe më e rëndësishmja, ndërgjegjësimi i psikologut, drejtorit të shkollës në lidhje me informacionin rreth autizmit në atë social jo patologjik, të cilën e bën specialisti përkatës.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top