Nga Focus / Përktheu e përshtati, Adela Kolea.
Thuhet se rrjedh eventualisht nga dinastia e quajtur Thurn und Taxis, që në shek. XVIII kishte monopolin e shpërndarjes së Postës e më pas, transportin e personave. Ka disa versione mbi origjinën e termit “Taxi” – “Taksi.” Ekziston një hipotezë me karakter historik, e lidhur me sistemin e shpërndarjes së Postës e që sheh protagoniste një dinasti fisnike gjermane me mbiemër Thurn und Taxis, nga i cili do të rridhte edhe termi “Taxi.”
Nga Posta, te Personat
Familja me origjinë nga princa të Perandorisë së Lashtë Romake, ajo Thurn und Taxis, mori përsipër që në ‘400-ën që të administronte e shpërndante sistemin postar në Evropë dhe të mbante monopolin për këtë veprimtari deri më 1866-ën. Por, ç’lidhje ka posta me transportin privat të pasagjerëve?
Para lindjes së autoveturave me motor, kush kishte nevojshmëri zhvendosjeje nga një vend në një tjetër, përfitonte nga shërbimi i transportit me karroca me kuaj.
Në fund të shek. XVIII, familja Thurn und Taxis, që zotëronte mijëra karroca e kuaj për transportin e postës, e shumëfishoi e shndërroi shërbimin e trasportit, duke e shtrirë atë edhe për personat.
Origjina italiane
Një grua taksiste me uniformë, në Washington D.C më 1919. ©️Everett Collection. Shutterstock.
Pakkush e di që familja aristokrate e lartpërmendur, pioniere në transportin e Postës, ishte me origjinë italiane. Dy vëllezërit nga Bergamo, Zanetto e Francesco Tasso, përfituan më 1504-ën nga perandori Maksimilian I-rë i Augsburgut monopolin e shërbimit postar për tërë perandorinë.
Në fund të shek. XVIII, dinastia Tasso, e gjermanizuar në Thurn und Taxis do të punësonte 20mijë të ashtuquajtur “mjeshtra poste” ose thjesht, postierë, administronte mijëra kuaj e kështjella dhe ishte një nga dinastitë më të pasura në Evropë.
Hipoteza të tjera
Një version tjetër, i dyti e më filologjik, e lidh termin “taxi” me atë “tax” – “kosto”, që gjendet brenda termit “taksimetër”, shpikje kjo, e gjermanit German Wilhelm Bruhn (1869-1951), përhapur në tërë botën dhe në përdorim ende sot.
Një hipotezë e tretë i atribuon origjinën “taxi-t”, nga mbiemri grek, “tachus” – “i shpejtë”, lidhur me shpejtësinë e tyre të qarkullimit.
Taksi në pritje të pasagjerëve në stacionin hekurudhor në Washington D.C më 1914-ën. ©️Everett Collection. Shutterstock.
Në Itali mbërrin i ashtuquajturi automjet, TASSÌ
Ndërkohë, më 1908, shtëpia automobilistike FIAT në Itali prodhon automjetin e parë në përdorim si taksi, me motor italian, i quajtur Fiat Tipo 1.
U prodhuan 1.600 ekzemplarë për përdorim vetëm taksi.
Në 1940-ën nisën funksionin impiantet radiofonike për autovetura, kështu që këto automjete tashmë komunikonin edhe me radio mes tyre.
Në Itali, gjatë regjimit fashist që eliminoi çdo gjurmë anglicizmi në italishte, “Taxi” bëhet “Tassì”, me theks te “i-ja”, italianizuar si term.
Që në 1923-shin, Mussolini shpall një fushatë me gjoba ndaj kujt përdorte anglicizma në italishte.
Në 1932-shin, për të nxitur shtetasit italianë që të pastronin italishten nga “barishtet e egra të huaja”, u shpall një konkurs nga gazeta e përditshme romane, Tribuna, me një çmim prej 1mijë liretash për atë që propozonte zgjidhjen më të përshtatshme për të zëvendësuar italisht huazimet nga gjuhët e tjera, për të eliminuar ca fjalë “ekzotike”.
E kështu që ai “taxi” qe një ndër termat e shumtë si huazime që u italianizua, konkretisht në “tassì”, me theks te “i-ja” fundore.
Termi “Tassì” u përzgjodh si neologjizëm ndër disa propozime të tjera si, “autopubblica”, “tassauto” e “publiauto”, konceptuar sigurisht edhe këto me fjalët e përbëra si “automjete publike.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.