Ne i zgjedhim vetë miqtë tanë. Automatikisht, kjo zgjedhje përkthehet gjithashtu si “zgjedhja e personit që dëshirojmë të kalojmë çdo gjë në jetën tonë”. Të qeshurat, gëzimet, të qarat, mërzitjet situatat pozitive dhe negative…
Shoqja juaj e ngushtë është ajo që keni zgjedhur për të qenë pranë jush tek të gjitha gjërat që të ndodhin në jetë. Shoqja e ngushtë, e cila konsiderohet si motër, zakonisht është ajo më e vjetra. Ka zënë vend në zemrën dhe në jetën tonë që kur ishim të vogla dhe ndodhet ende aty. Për shumë femra, shoqja e ngushtë lidhet zakonisht me vitet e fëmijërisë, me situatat qesharake gjatë viteve të shkollës, me dashuritë e adoleshencës, me sekretet nga nënat. E ke parë të kthehet nga një vajzë gjimnaziste, topolake, në një femër të pjekur dhe elegante. Jetët tuaja janë paralele dhe kujtimet tuaja janë të përbashkëta. Kjo e bën atë pjesëtare të familjes.
Aq më tepër, femrat të cilat s’kanë një motër biologjike, janë ato të cilat e vlerësojnë më tepër praninë e shoqes së ngushtë. Ja dhe disa nga arsyet që shoqja e ngushtë mund të konsiderohet si motër:
• Mjafton një telefonatë që të kuptojë se ti e ke nevojë, dhe ajo lë çdo gjë mënjanë vetëm që të ndodhet aty me ty.
• E doni atë dhe defektet e saj. Kur jeni vetëm, ju kujdeseni t’ia ‘theksoni’ asaj në çdo moment. Jo se ajo do të korrigjohet ndonjëherë, por është argëtim. Kur dikush bëhet ish-i juaj, ai pushon së ekzistuari edhe për atë. Nëse e sheh në rrugë, bën sikur nuk e sheh. Ajo madje e heq edhe nga Facebook-u. Gjithashtu, kur të shikon ty në gjendje të rëndë psikologjike, ajo di më mirë se kushdo tjetër si të të argëtojë.
Shoqet e ngushta nuk dallohen nga fjalët, ato dallohen nga heshtjet.
• Ajo të ka parë duke qarë, me flokët e pakrehura, pa pikë grimi dhe prapë së prapë nuk të vë në siklet dhe të bën të ndihesh qetë në praninë e saj. Është një ndër personat që qesh me të madhe me batutat e tua. Dhe së tepërmi, ju njiheni aq mirë sa mjafton vetëm një shikim dhe e kupton se çfarë është duke menduar.
• Thua një fjali dhe ajo e plotëson. Njiheni aq mirë sa asnjë i dashur nuk do të arrijë t’ju kuptojë kurrë. Ajo arrin të kuptojë kur “jam mirë” domethënë se “dua të qaj me lot” dhe kur ajo fjala “s’ka gjë” përkthehet në “do të të vrisja me gjithë qejf në këtë moment”.
• Shoqja jote e ngushtë e di më së miri se çfarë të pëlqen dhe çfarë jo. Kur vjen puna tek dhuratat, është gjëja më e lehtë për atë. Ajo di pikërisht se çfarë të pëlqen ty dhe çfarë ke nevojë në atë periudhë kohore (diçka që është goxha e vështirë për të dashurin tënd, vëllanë tënd, madje edhe për prindin tënd).
• Të thotë gjithmonë të vërtetën. Të mbron gjithmonë para të tjerëve, mban gjithmonë anën tënde (madje nëse është nevoja përdor argumente qesharake), por kur të mbesni vetëm do të qëndrojë përballë teje dhe do të flasë si një motër e madhe për çdo aspekt në të cilin ke gabuar.
• Rrobat e saj janë rrobat e tua. Ato ditë që çdo gjë të bën të ndihesh keq, dhe asgjë nga veshjet e tua nuk të pëlqen, dollapi i saj është i hapur për ty. Ose ai momenti kur të ftojnë për një mbrëmje të rëndësishme dhe t’i mendon për veshjet e saja dhe pastaj për ato të tuat.
• Shtëpia jote është e hapur për të dhe shtëpia e saj është e hapur për ty. Në fakt ti kalon më shumë kohë me shoqen e ngushtë sesa me prindërit. Shkon shumë shpesh te shtëpia e saj dhe ajo vjen shpesh te shtëpia jote. Prindërit e tu e konsiderojnë si një pjesëtar të familjes, madje ka momente që mendon se pëlqejnë më shumë atë sesa ty. Edhe pse është “mik” te shtëpia jote, ajo merr vetë gotën me ujë, ushqim nga frigoriferi, madje ajo lan vetë dhe enët në kuzhine.
• Pushimet pa shoqen e ngushtë nuk konsiderohen pushime. Ju do e gjeni kohën, vendin dhe mundësinë ekonomike për të shkuar diku bashkë. Të kaloni edhe sikur vetëm 2-3 ditë bashkë. Të rini gjatë gjithë natës duke kaluar nga njëra temë tek tjetra, duke qeshur me të madhe me batutat e njëra-tjetrës, dhe duke krijuar kujtime të paharrueshme bashkë.
Për arsyet e sipërpërmendura Zoti ka krijuar shoqet. Për të qenë motra që kurrë më parë nuk kemi pasur. Që të kemi gjithmonë një mbështetje, që të kemi gjithmonë dikë përkrah. Pra, vlerësojeni atë edhe pak më tepër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.