Në fokus

December 18, 2017 | 8:00

Nga Adelina Pjetra: Sindroma e adhurimit të personave të famshëm

Kjo sindromë i referohet një serie jo normale ose të pazakontë simptomash që indikon ekzistencën e një gjendjeje ose kualiteti të padëshiruar.

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Evidencat tregojnë që një shëndet mendor i varfër, është i lidhur me format e adhurimit. Studimet tregojnë se intensiteti i adhurimit që një individ shfaq ndaj një X personi të famshëm, është e lidhur me nivele të larta të stresit, depresionit dhe ankthit. Kjo lloj sindrome mund të çojë në manifestimin e tendencave të pashëndetshme obsesive kompulsive si: materializimi ose blerja kompulsive.

Për këtë arsye psikologët Amerikanë dhe Britanikë krijuan një shkallë matëse për këtë sindromë, për të vlerësuar problemet që mbart. Kjo shkallë përmban 34 pika. Një pikëzim i ulët në këtë shkallë vlerësimi do të tregonte sjellje individuale si: të parit, të lexuarit, të dëgjuarit dhe të mësuarit rreth jetës së personave të famshëm. Ndërsa një nivel i lartë pikëzimi për adhurimin do të karakterizohej nga empatia, mbi identifikimi dhe obsesioni me personin e famshëm X.

John D.Moore autori i “Konfuzioni i Dashurisë me Obsesionin” sugjeron 6 dimensione të adhurimit të personave të famshëm:

Thjesht obsesion = i cili ka këto karakteristika: paaftësi për të pasur marrëdhënie personale në jetën e tyre, ndjenja pafuqie, ndjesi pa siguri dhe një vetëvlerësim shumë të ulët.

Dashuri obsesive = individi zhvillon një lloj dashurie obsesive me dikë që nuk ka asnjë marrëdhënie. Individë të tillë ka të ngjarë të vuajnë edhe nga ndonjë çrregullim mendor ku më të zakonta janë Skizofrenia ose Paranoja. Këta individë shpesh e bindin veten që ata janë në një marrëdhënie me subjektin e obsesionit të tyre.

Erotomanik = nga vetë fjala “erotomani” ,i referohet përndjekësve që në mënyrë naive besojnë që personi X i famshëm është i dashuruar pas tyre. Ky lloj dimensioni është më pak i zakontë dhe përfshin më shumë femrat. Sjelljet e individëve që i përkasin këtij dimensioni mund të jenë pjesë nënvizuese të një çrregullimi mendor si p.sh: skizofrenia, çrregullimi bipolar ose depresioni madhor. Këto individë besojnë që një X person i famshëm (që ato janë të obsesuar), po përdor median si një mënyrë për të komunikuar me ato, duke i dërguar mesazhe dhe sinjale speciale.

Zbavitëse sociale = ky dimension është e lidhur me aftësinë që ka një person i famshëm të thithë vëmendjen e fansave të tij. Këtu shfaqet një nivel më i ulët obsesioni. Një qëndrim tipik i këtij tipi do të ishte “Unë dhe miqtë e mi pëlqejmë të diskutojmë se çfarë ka bërë Personi X i famshëm, që është i preferuari im”. Është parë që ky tip që i përket këtij dimensioni ka një numër të konsiderueshëm efektesh negative në lidhje me zhvillimin e një tendence në të ushqyer të pashëndetshëm, imazh trupor të dobët, dhe vetëvlerësim të ulët . Kjo shikohet më tepër veçanërisht tek adoleshentët.

Personale-intensive = Këtu shihet një nivel mesatar obsesioni që është e shoqëruar me Neurozë dhe sjellje të lidhura me Psikozën. Shprehja tipike që ka një individ që i përket këtij dimensioni është: “E konsideroj personin X të famshëm, që është i preferuari im, si shpirti im binjak”. Individët që kanë këtë tip adhurimi shpesh kanë vetëvlerësim të ulët në lidhje me imazhin trupor personal, veçanërisht n.q.s mendojnë që personi që ata adhurojnë është fizikisht tërheqës. Efektet e këtij tipi adhurimi në imazhin trupor shihen më tepër nga operacionet plastike që këta individë kryejnë.

Borderline-patologjike = ky është dimensioni me simptomat më të rënda që një individ ka na adhurimi për X person të famshëm. Shpesh ky tip shprehet nëpërmjet deklaratave të tilla: “N.q.s dikush do të më jepte 1 milion$, unë do t’i shpenzoja të gjitha për të blerë një shami hundësh të përdorur nga X person i famshëm”.

Ndërkohë që një preferencë e shëndetshme në nivele të kontrollueshme adhurimi, do të sillte motivim dhe arritje tek një individ, duke përmirësuar performancën dhe arritjet, kujdes i veçantë do kërkohej në momentin kur ky adhurim kthehet në një formë patologjike. Ku individët nuk arrijnë më të kenë një jetë individuale të shëndetshme, por jetojnë nëpërmjet jetës së objektit obsesion të tyre.

Prindërit duhet të tregojnë më kujdes me fëmijët e tyre, duke u kushtuar vëmendje dhe aktivizuar në aktivitete të ndryshme jashtë shkollore, sport, art, pikturë, socializim me bashkëmoshatarë të cilët nuk kanë një adhurim të përbashkët me të njëjtin personazh të famshëm të medias dhe televizionit.

Teknologjia sot të lejon akses në çdo kohë të mësosh dhe të ndjekësh çdo lëvizje dhe veprimtari të një personi me famë, prandaj kërkohet kujdes dhe në menaxhimin e kohës që një fëmijë duhet të kalojë në internet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top