Mirëqenie

April 6, 2018 | 12:45

Nga Xhiliola Doçi / Thuaji “jo” djegieve nga dielli

Ditët e gjata e të ngrohta të verës janë perfekte për të na mbushur me energji pozitive dhe mirëqenie psikologjike, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për sa i përket lëkurës tonë. Lëkura është organi ynë më i madh dhe tërësish i ekspozuar ndaj kushteve klimaterike dhe ambientit.

Med. Dr. Xhiliola Doçi, Dermatologe

Med. Dr. Xhiliola Doçi, Dermatologe

Ndërkohë që planifikojmë pushime në plazh apo në ambiente të hapura, do ishte mirë të dinim çfarë mund t’i ndodhë lëkurës tonë gjatë stinës së nxehtë, si mund t’i trajtojmë ato përpara se të shndërrohen në probleme dhe të mos vonohemi për një takim me dermatologun para se të jetë vonë. Këto janë disa nga problemet më të zakonshme me të cilat mund të përballemi gjatë verës dhe disa truke të thjeshta për t’i trajtuar ato: 

Dermatiti alergjik nga djersitja ose Miliaria rubra

Si rrjedhojë e temperaturave të larta, shtohet prodhimi i djersës nga gjëndrat e djersës. Për rrjedhojë ato bllokohen dhe djersa mbetet brenda tyre. M.q.s djersa nuk arrin të sekretohet, ajo shkakton irritim të lëkurës, që manifestohet me puçrra të vogla me ngjyrë të kuqe, të cilat shoqërohen me kruajtje. Shpesh me këtë dermatit paraqiten fëmijët e vegjël.

Në këtë rast rekomandohet:

  • Freskimi i shpeshtë i lëkurës me dushe me ujë të vakët
  • Përdorimi i shampos me proteina të mollës me Ph neutral, e cila shërben si antiseptik dhe eksfoliant për të parandaluar bllokimin e kanaleve sekretore të djersës si dhe të tretësirës së Kamomilit , që shërben si antiseptik dhe antiinflamator
  • Përdorimin e veshjeve të lehta e të lirshme prej pambuku
  • Freskim të ambienteve

diegietTharje dhe irritime të lëkurës

Në kontrast me ambientin e nxehtë e të lagësht gjatë verës, lëkura jonë mund të thahet e të irritohet. Kjo në sajë të ekspozimit ndaj rrezeve të diellit, ujit të klorinuar të pishinave dhe ajrit të kondicionuar. Si ta parandalojmë tharjen e lëkurës gjatë verës:

  1. Përdorimi i dushit dhe shampove të buta si p.sh: Larësi Sensiderm ndihmon për një pastrim të mirë të lëkurës. Ai është me bazë Kolagjen i Hidrolizuar, Vaj Aloe, Vaj ulliri dhe duhet përdorur menjëherë pas daljes nga pishina apo deti.
  2. Përdorimi i kremit Emollient pa parfum, menjëherë pas dushit për të shtuar mbajtjen e ujit nga lëkura.

Djegie dhe njolla kafe (hiperpigmentime) nga dielli

  1. Gjatë rrezatimit të vazhdueshëm në diell, lëkura fillon të nxihet. Kjo përfaqëson mekanizmin e aktivizuar nga vetë lëkura për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit. Por ndonjëherë kur ekzagjerojmë me qëndrimin në diell, djegiet nga rrezet e forta mund të jenë vërtet problematike dhe shqetësuese, e kjo jo vetëm për parehatinë që na japin, por edhe për dëmin madhor që i shkaktojnë lëkurës tonë në një perspektivë afatgjatë.
  2. Rrezet UVA dhe UVB të diellit dëmtojnë lëkurën, duke shkaktuar inflamacion, tharje ose flluska. Gjithashtu rrezet UVA dhe UVB janë shkaku kryesor i formimit të njollave kafe apo melasmave në lëkurë.

Si t’i parandalojmë:

  • Përdorimi i një kremi mbrojtës solar, e mbron lëkurën nga veprimi shkatërrues i rrezeve të diellit, por në të njëjtën kohë na lejon edhe të nxihemi në mënyrë të kontrolluar. Gjithmonë duhet të përdorim krem solar me filtër të gjerë mbrojtës UVA dhe UVB, > 30, të cilin duhet ta aplikojmë çdo 2 orë si dhe pas larjeve. P.sh: për fëmijët e vegjël do të rekomandoja kremin solar Spf 50 + emulsion hidratues dhe ushqyes me mbrojtje të lartë, ndërsa tek të rriturit, për ata që duan një mbrojtje mesatare, një alternativë mjaft e mirë do të ishte kremi Solar me mbrojtje SPF 24, ndërsa për ata që kanë nevojë për një mbrojtje të lartë si p.sh: personat me lëkurë shumë të bardhë apo me numër të lartë nishanesh në trup, mund të përdorin kremin Solar + Anti Age spf 50+, i cili ofron një mbrojtje të lartë dhe ndërkohë vepron edhe si një antirrudhë efikase me bazë bimore.

KËSHILLË: Mbrojtje shtesë mund të sigurojmë edhe nëpërmjet veshjeve të lehta prej pambuku me ngjyrë të bardhë, kapelave dhe syzeve me xham fotombrojtës.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top