Si një ish-drejtuese e një burgu, jam pro zbatimit të shpeshtë të amnistisë për shumë arsye. Them se është mëse e nevojshme, edhe pse në këndvështrimin tim amnistia e këtij viti duhet të ishte më e plotë dhe përfshirëse për disa kategori tek të dënuarit për çështje civile jo vetëm penale!
Pas amnistisë lindin probleme edhe nga të amnistuarit, e për këtë fakt duhen marrë parasysh dy elemente tepër të rëndësishëm në sistemin penitenciar si: arsimimi e certifikimi me profesione të ndryshme gjatë kryerjes së dënimit si dhe respektimi i të drejtave të personave të dënuar në mënyrë të barabartë dhe pa diferencime.
Liria është një nga të drejtat më të çmuara të të gjitha qenieve njerëzore. Në rrethana të caktuara, autoritetet gjyqësore mund të vendosin nevojën për t’ua privuar disa njerëzve këtë të drejtë dhe i vendosin ata nën kujdesin e administratës së burgjeve.
Thelbi i burgimit është privimi i lirisë, dhe detyra e autoriteteve të burgut është të sigurohen që kjo të zbatohet në një mënyrë që është jo më kufizuese sesa është e nevojshme, pra respektimi i së drejtës dhe lirisë themelore në bazë të konventave të të drejtave të njeriut.
Shqipëria numëron 24 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale dhe vetëm një prej tyre është për vajzat e gratë e privuara nga liria – I.E.V.P. “Ali Demi” – i njohur ndryshe si Burgu i Grave, i cili ka dy regjime, Ai i të dënuarave dhe i të paraburgosurave.
Vetë target grupi që ky burg trajton, e bën këtë institucion disi më të veçantë se të tjerët.
Këtu nuk ka “gangstere” të njohura, nuk ka rrëmbyese, nuk ka gra të skandaleve të profilit të lartë politik. Shumë prej tyre, pa krijuar keqkuptime, janë “aksesorë” të krimeve të kryera nga meshkujt.
Krimet më të shumta në ngarkim të këtyre grave janë prostitucioni, vjedhja, mashtrimi (përvetësimi) e më pas vrasja për shkak të rrethanave familjare, duke marrë parasysh historikun e zhvillimit të familjes shqiptare ku zor se mund të flitet për barazi mes gruas e burrit.
Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë detyruar të kryejnë vjedhje apo mashtrime të shtyra nga nevoja për mbijetesën e tyre ose të fëmijëve të tyre, për shkak se vendet e punës janë të pakta dhe se mirëqenia e arritur është e pamundur për të jetuar. Parimisht ka gra dhe vajza të akuzuara apo dënuara për krime, por që realisht ngelen në shkallë minore për nga rrethanat e krimit po të krahasohen me numrin e krimeve nga burrat.
Sistemi penitenciar në Shqipëri është gjithmonë në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme, kjo jo për shkak se nuk është mjaftueshëm i mirë por se vetë shoqëria shqiptare po ndryshon me ritme të shpejta.
Nëse para 25 viteve në vendin tonë ishte absurditet të dëgjoje të flitej mbi të drejtat e të burgosurve sot, kërkesat mbi përmirësimin e kushteve dhe respektimin e të drejtave të të burgosurve vijnë nga vetë burgjet, vetë sistemi kërkon të përmirësohet. Përmirësimet në infrastrukturë, në drejtim e në trajtim të të burgosurve janë çështje të ditës për punonjësit e sistemit penitenciar.
Përmirësime e ndryshime të tilla nuk vijnë vetëm si rezultat i kërkesave apo kushteve që vendit tonë i janë vënë nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë në kuadër të integrimit por, sepse çdo njeri ka të drejtën të trajtohet me dinjitet dhe duke respektuar të drejtat njerëzore, përfshi këtu edhe të burgosurit.
Sistemi ynë i burgjeve i siguron çdo të burgosuri trajtim pa njëanshmëri dhe pa diskriminim mbi bazë gjininë, racën, ngjyrën, përkatësinë etnike, gjuhën, fenë, bindjen politike, fetare ose filozofike, orientimin seksual, identitetin gjinor, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, përkatësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen shëndetësore, aftësi të kufizuar, shtetësi ose përkatësi në një grup të caktuar ose për çdo shkak tjetër që përbën diskriminim.
Në I.E.V.P. “Ali Demi” ka një shumëllojshmëri programesh që ofrohen në bashkëpunim me aktorë të rëndësishëm kombëtarë e ndërkombëtarë e veçanërisht me individë të ndryshëm që duan t’ju kujtojnë grave e vajzave të privuara nga liria se nuk janë vetëm e se gjithmonë ka një dritë për to në fund të këtij rrugëtimi.
Qëllimi është i përbashkët: për të bërë sa më të efektshëm trajtimin e tyre në mënyrë që të mos riciklohen sërish në rrugën e kriminalitetit pas lirimit të tyre e mbi të gjitha për të lehtësuar dhimbjen e dramën që secila prej grave mbart mbi supe.
Vendi ynë ka shumë sfida për të kapërcyer, për të përfunduar rrugën e integrimit të tij dhe një ndër këto sfida, prej shumë kohësh, mbetet zhdukja e analfabetizmit.
Statistikisht, mesatarja e nivelit të arsimit të grave të burgosura në vendin tonë është ai i arsimit të detyrueshëm dhe në mënyrë të konsiderueshme, burgosen gra që nuk kanë aspak arsim. Duke besuar se trajtimi i çdo të burgosuri mbështetet në interesin më të lartë të tij të integrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të rifutjes në krim, në I.E.V.P.”Ali Demi” ose burgu i grave e vajzave duhet t’i kushtohet rëndësi të veçantë edukimit jo formal, por përmes një programi shkollimi.
Unë e nisa në kohën që e drejtoja atë institucion, sot nuk e di çfarë është bërë për vazhdimin e nismës time. Personalisht u kujdesa që në regjimin e paraburgimit të ngrihej klasa e parë e arsimit për të paraburgosurat analfabete. Fillimisht u vu re një lloj hezitimi i vajzave e grave për të marrë pjesë në këtë program, por pasi shumë prej tyre arritën të shkruajnë vetë letrat për fëmijët e tyre. Pjesëmarrja u rrit ndjeshëm.
I njëjti program, u atashua edhe u aplikua me sukses në regjimin e burgimit e pati interes.
Përveç praktikave që vetë administrata e burgjeve zotëron, është gjithmonë i nevojshëm bashkëpunimi i organizmave të tjerë, qoftë kombëtarë apo edhe ndërkombëtarë. Ambasada amerikane në Shqipëri, kohën kur unë drejtoja në mënyrë të vazhdueshme, asistonte në përmirësimin e politikave e praktikave që ndjemë për të trajtuar të burgosurit dhe i kushton një vëmendje të veçantë të burgosurave femra. Përveç aktiviteteve të shumta social-kulturore në të cilat ajo bashkëpunon, ka dhënë një kontribut mjaft të vlefshëm edhe në edukimin e grave e vajzave të privuara nga liria, u ka ofruar një program të tërë të arsimit profesional. Më konkretisht, me kompjuterë, që i ka afruar atij institucioni. Sepse liria për to, fatkeqësisht, do t’i përballë me ndryshime të shumta të teknologjisë e shoqërisë, por të paktën do të kenë njohuri edhe në këtë fushë.
Publiku i sheh të burgosurit si njerëz të frikshëm që t’i punësojë, dhe ngurron, por fillon dhe ta paragjykojë këtë kategori. “E keqja” e të qenit në burgje është se, publiku informohet vetëm për ngjarje negative. Të burgosurit për asnjë arsye nuk goditen apo trajtohen ashtu siç shfaqet nëpër filma, por respektohen shumë me njëri-tjetrin. Edhe punonjësit e burgjeve shpesh paragjykohen. Burgu nuk është institucion financiar, ku punonjësit rrisin të ardhurat e tyre. Publiku dëgjon për korrupsion, por nuk e sheh se sa e vështirë është të punosh në sistemin penintencial, nuk i sheh punonjësit teksa ndërveprojnë me të burgosurit çdo ditë.
Shoqëria i ka mbyllur keqbërësit e saj pas hekurave të sigurt të burgjeve, por ka harruar se bashkë me ta ka mbyllur edhe njerëz që kujdesen për ta, ata njerëz që gëzojnë çdo të drejtë e liri si ata. Ndaj është e rëndësishme të theksohet se çdo i burgosur i gëzon të gjitha të drejtat e liritë e tij për aq sa mund t’i lejojë ligji. Kjo sepse është i burgosur, dhe duhet, por sepse është një qenie njerëzore që pavarësisht gjithçkaje, ka dhe meriton të ketë të drejtat njerëzore të cilat nuk mund të humbasin sepse nuk janë të kushtëzuara. Si shoqëri ne kemi për detyrë të jemi të drejtë e humanë ndaj çdokujt, pavarësisht se bëhet fjalë për njerëz që kanë kryer krime. Dënimi është i rëndësishëm për të vënë drejtësi ndaj viktimës, jo për t’u hakmarrë ndaj personit që kryen krim. Hakmarrja do të mund të justifikonte mohimin e të drejtave njerëzore, drejtësia kurrsesi.
Respektimi i të drejtave të të burgosurve është i nevojshëm për të ruajtur humanizmin tonë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.