Pika referimi

January 9, 2020 | 12:33

Nga Xhoi Jakaj: Pse një adoleshent dhe një i ri kthehet në vrasës?

 

*Shkrimi marrë shtysë nga ngjarja e dy ditëve më parë, ku një 16-vjeçar vrau bashkëshorten e xhaxhait në banesë, në fshatin Gjerbas në Mallakastër.

Kronikat e vrasjes makabër nga tre të rinj, ishte në të gjithë edicionet e lajmeve, faqet e para të gazetave dhe portalet online. Deklarimet e policisë gjatë kohëve të fundit flasin për një numër të madh krimesh që kryhen nga të mitur e adoleshentë, të rinj që pa një pa dy marrin jetën e një moshatari apo të një njeriu, që e fusin në rrethin e tyre për ta grabitur e pastaj vrarë.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Statistikat e shumta të policisë së shtetit tregojnë shifra alarmante të të rinjve që kryejnë krimin e vrasjes. Rritja e numrit të të rinjve që përfshihen në konflikte të tilla me ligjin, të cilët fatkeqësisht tashmë janë kthyer në “vrasës gjakftohtë”, vihet re edhe në përsëritjen e vrasjeve të të njëjtit lloj. Përballë një fakti të tillë, të gjithë bëjnë pyetjen: “Pse po kryejnë vrasje të rinjtë tanë?” Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë.

I gjithë fenomeni është kompleks, dhe shpjegimi i tij është shumë i vështirë. Le të ndalemi për një çast e të shpjegojmë se cilët janë faktorët kryesorë që e bëjnë një të ri vrasës gjakftohtë.

1.Ambienti social ku rriten dhe formatohen!

Vendi ynë, prej 30 vitesh ndodhet ende në tranzicion, në tranzicion aq i gjatë saqë është bërë kaotik e rraskapitës për të gjithë. Teksa të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në respektimin e të drejtave të njeriut (të fëmijëve në veçanti), demokratizimit, liberalizmit dhe në ofrimin e asaj çka sistemi i mëparshëm nuk ia lejoi apo mundësoi brezit të prindërve të sotëm, një pjesë e rëndësishme e normave të domosdoshme për mirëfunksionimin e shoqërisë janë lënë në harresë ose janë “hedhur tej” si dekadencë e viteve të shkuara.

Ndërkohë të gjithë përqendrohen në “mirëfunksionimin” e qeverisjes politike, reformën zgjedhore, në konferenca të ndryshme të gjithfarëllojshme, fëmijët, në një mënyrë a një tjetër janë lënë në harresë, në atë harresë ku nuk uu kushtohet vëmendje miqve e shokëve të tyre, mbarëvajtjes së tyre në shkollë, orëve të gjata të shpenzuara nëpër kafenetë e shumta e aq më pak vëmendje i kushtohet kulturës degraduese që ata manifestojnë çdo ditë.

2.Dhuna në familje

Shoqëria shqiptare në shumë familje, kryesisht në zonat rurale, kërkon të ketë një baba autoritar e të ftohtë për të mbajtur “frerët” e shtëpisë në dorë. Një baba që jashtë dyerve të shtëpisë është njeri me sjellje të pëlqyeshme, i respektueshëm nga të gjithë, por që brenda dyerve të shtëpisë vjen edhe me konsum alkooli tej normave njerëzore, fyen (e madje edhe godet) bashkëshorten e tij në sy të fëmijëve, e kur kjo e fundit e konsideron normale këtë sjellje, burri i saj fillon e bën të njëjtën gjë edhe më fëmijët e tyre. Në këtë moment gjithçka është kthyer përmbys.

Pasojat e një “stili” të tillë jetese rrënjosin ndenja negative në psikologjinë e fëmijës dhe çorientojnë formimin e personalitetit të tij. Ai fare lehtë këto sjellje i demonstron jashtë shtëpisë në ambientet që frekuenton.

3.Mungesë e theksuar shkollimi në familje dhe pamundësi zhvillimi të inteligjencës pozitive

Rendja pas parasë dhe të mirave materiale, e ka lënë në hije rëndësinë e arritjes së tyre nëpërmjet “punës së ndershme” siç ne shqiptarët quajmë çdo punë që arrihet nëpërmjet një formimi të caktuar të edukimit e zhvillimit të intelektit.

Në një mjedis të tillë, inteligjenca pozitive nuk njihet aspak si koncept (në fakt një pjesë e mirë e shoqërisë sonë e di fare mirë se çfarë mund të quhet inteligjencë negative), por pasurimi në rrugë të paligjshme më së shumti dëmton dhe çorienton të rinjtë.

4.Abuzimi seksual

Të qenit i abuzuar seksualisht në fëmijëri nga një i njohur, familjar, apo në ndonjë institucion tjetër ku ka kaluar fëmijërinë (fondacion apo qendër e përkujdesjes rezidenciale) ndryshon tërësisht rrjedhën normale të jetës për një fëmijë. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve e kthen këtë fëmijë në një abuzues, dhunues, përdhunues e vrasës në të ardhmen.

5.Varfëria

Varfëria e tejskajshme po i orienton drejt vjedhjeve e grabitjes të miturit e adoleshentët, të cilët herët a vonë do të shndërrohen në vrasës. Lakmia për të fituar sa më shumë pa u munduar të punojnë, do të sofistikojë grabitjet e tyre e do t’i detyrojë edhe të vrasin pa u menduar.

6.Përdorimi i drogërave të ndryshme

Është bërë e zakonshme që të dëgjosh edhe fëmijë 12-vjeçarë, të cilët me krenari thonë se kanë provuar hashash. Në një kohë ku çdo drogë e mundshme qarkullon pa më të voglin problem e ku një pjesë e mirë e “shitësve të pakicës” janë të mitur sigurisht, do t’i çojë këta fëmijë edhe në rrugën e vrasjes, qoftë për një “pazar të keq”, qoftë për të siguruar drogë për përdorim, qoftë për të “ngjitur” shkallët e karrierës kriminale.

7.Bullizmi

Abuzimi në formën e bullizmit në vegjëli, kryesisht në shkollë ose në lagje, i kthen në vrasës serialë në formë hakmarrjeje. Statistikat kanë treguar se shumica e atyre fëmijëve të bulluar në fëmijëri, kanë tendencë të kthehen në dhunues dhe vrasës kur të rriten.

8.Trashëgimia gjenetike

Shumë njerëz mund edhe të mos e pranojnë si faktor gjenetikën për sjelljet kriminale, por është e vërtetë se genet e këqija, të zhvilluara si pasojë e ndërthurjes së pemës gjenealogjike e faktorëve te tjerë biologjikë me faktorët socialë e mjedisorë prodhojnë vrasës, e në rastin fatkeq që në fëmijëri.

9.Koncepti i “respektit”

Përgjatë viteve koncepti i “respektit” ka evoluar në kulturën e të rinjve. Respekti, në psikologjinë e tyre, arrihet nëpërmjet konkurrencës me njëri-tjetrin dhe zhvillimi i psikozës së të fortit ndërton modele të pamposhturish në inkoshiencën e tyre.

Ideja se “respekti” është një pronë, një e drejtë ose një “ofertë” e kushtëzuar, i ka shtyrë të miturit të vrasin për të mbrojtur një ndjenjë të nderit që kurrë nuk mundën ta fitonin ose meritonin.

10.Pazbatueshmëria e ligjit

Zbatimi i dobët i ligjit dhe pamjaftueshmëria e qendrave rehabilituese për minorenet, nuk bën gjë tjetër veçse rrit ndjeshëm përdoruesit e dhunës, vjedhjes, konsumimit të hashashit apo drogërave mes të rinjve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top