Manipulimi, mosmirënjohja, lakmia, egoizmi janë tema të forta në librin më të fundit të psikologes Doruntina Grulaj. Ajo sjell ngjarje dhe karaktere që shpërfaqin karaktere të caktuara, të cilat përfaqësojnë lakminë dhe egon e sëmurë, duke theksuar konfliktin midis interesave personale dhe vlerave shoqërore.
I ka vendosur titullin “Njeriu dhe ujku”, për të nxjerrë në pah raportet njerëzore në të dyja anët e medaljes. Të mirën dhe të keqen. Si një psikologe e angazhuar në profesionin e saj, ajo na sjell një qasje me simbolika dhe figura me anën e temave apo ngjarjeve të përdorura.
Në librin “Njeriu dhe ujku” autorja shfaq raportin e përbashkët midis njerëzve dhe natyrës, ku ujku simbolizon instinktin dhe natyrën primitive, ndërsa njeriu simbolizon shoqërinë dhe civilizimin. Nëpërmjet personazheve dhe ngjarjeve, autorja shpalos konflikte të thella morale dhe emocionale. Libri përmban një gamë temash dhe emocionesh si: manipulimin, dashurinë, mallin, intrigën, mosmirënjohjen, vetëbesimin, pozitivitetin, luftën për mbijetesë, shpresën për të jetuar etj. Këto elemente janë pjesë e një rrëfimi të pasur kompleks mes rreshtave që shpalosin karakteret nëpërmjet sfidave dhe ngjarjeve që ata përballen.
Kështu, lexuesit janë të obliguar të reflektojnë mbi mungesën e mirënjohjes ndaj njëri-tjetrit, si dhe mbi ndikimin e manipulimit në marrëdhëniet njerëzore.
Po ashtu, autorja ka shprehur emocione dhe ide nëpërmjet poezisë, duke përdorur imazhe dhe fjalë për të krijuar përvojë të thellë emocionale për lexuesin. Poezia ka fuqi të madhe për të frymëzuar dhe për të reflektuar mbi jetën. Libri ka një kombinim interesant, dhe në përmbledhje të librit duket si një pasqyrë që reflekton thelbin e tij.
Libri është publikuar dhe ndodhet në qarkullim, nga Shtëpia Botuese “Armagedon” në Prishtinë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.