Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka reaguar pas ngjarjeve makabre që kanë tronditur opinionin publik. Dy ditë më parë, në Fier burri zhveshi dhe hodhi nga dritarja bashkëshorten, ndërsa sot një baba vari veten dhe dy fëmijët e mitur.
Pyetje: Si i komentoni ngjarjet e fundit në Korçë dhe Fier?
Ministri Tahiri: Padiskutim që dhuna në familje është një problem madhor. Ngjarjet e fundit janë vërtet tronditëse, për mua në radhë të parë si prind dhe për të gjithë prindërit, si familjar, si qytetar, por edhe për detyrën që mbaj. Ne na duhet të bëjmë shumë më shumë për të pasur komunitete më të informuara, të cilat raportojnë më shpejt dhunën në familje. Sepse më së pari përpara se të jetë fenomen që prek Policinë dhe drejtësinë dhuna në familje është një fenomen shoqëror. Për këtë arsye, na duhen individë të informuar, të organizuar që raportojnë menjëherë dhunën. Na duhen komunitete vendore të informuara dhe të organizuara. Kjo e para. Dhe e dyta, unë besoj që duhet të fillojmë të dekurajojmë publikisht dhunën. Unë jam thellësisht i shqetësuar që dhuna promovohet në retorikën publike, jo rrallë edhe nga politikanët.
Nuk ndodh rrallë që edhe në parlament të dëgjosh retorikë dhune. Të dëgjosh cilësime si: ‘ndrikulla apo lavire’, për deputetet gra në parlament. Apo të shohësh episode dhune, të cilat nuk mbeten vetëm brenda mureve të parlamentit, por çojnë sinjale dhune dhe te qytetarët. Ndaj unë them që politika t’i lërë dënglat dhe të promovojë qytetarë që respektojnë ligjin, qytetarë që nuk i dedikohen dhunës dhe të refuzojnë të gjithë së bashku dhunën. Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të shohësh, sa shumë referime ka për dhunë në familje në Shqipëri. Vetëm në qarkun e Lezhës janë mbi 100 raste në vit. Dhe kjo është vërtet shqetësuese.
Ashtu si: ndihma më e parë nuk është policia. Përpara se të shkojmë atje duhet të kemi mekanizma shoqërorë që i paraprijnë policisë, i paraprijnë drejtësisë për të pasur komunitete që bashkërisht gjejnë zgjidhje në mënyrë që viktimat e dhunës të mos jenë më të këtilla dhe mbi të gjitha të mos jenë më të vetme.
Pyetje: Gruaja që u vra në Fier kishte një urdhër mbrojtjeje…
Ministri Tahiri: Detajet e çështjes do bëhen publike sipas rastit. Unë di të them që nga njëra anë duhet të punojmë më shumë për të pasur individë dhe komunitete më të informuara dhe më të organizuara për të refuzuar dhunën dhe për të referuar apo denoncuar dhunën sa më parë dhe nga ana tjetër, duhet të punojmë të gjithë së bashku për të ndaluar promovimin e dhunës në parlament apo kudo tjetër.
Politika ka një detyrë shumë të madhe, që është: të promovojë modelin pozitiv të të jetuarit në këtë vend apo të të zgjidhurit të konflikteve.
Dhe kur edhe parlamenti kthehet në një arenë dhune, qoftë kjo dhunë verbale dhe jo rrallë edhe dhunë fizike, atëherë sigurisht sinjali që marrin qytetarët është sinjali më i keq i mundshëm.
Ndaj e përsëris, politika t’i lërë dënglat dhe të punojë maksimalisht për t’i dhënë qytetarëve mundësinë të shohin se pa dhunë mund të zgjidhim shumë më shumë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.