Ndryshimet klimatike janë sfida më urgjente globale që po përkeqësohen çdo vit. Në Ballkan, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipëri, efektet e tyre po bëhen të prekshme dhe shqetësuese në jetën e përditshme të njerëzve. Valët e nxehtësisë ekstreme, thatësirat e zgjatura, zjarret dhe mungesa e ujit janë duke ndikuar jo vetëm në mjedisin natyror, por edhe në shëndetin mendor, sigurinë ushqimore dhe funksionet neurologjike të popullsisë.
Valët e nxehtësisë dhe thatësira kriza që po përkeqësohet
Në korrik 2025, temperaturat në Shqipëri dhe Kosovë kanë arritur deri në 41°C, duke krijuar valë të nxehtësisë të paprecedentë në dekadat e fundit (AP News, 2025). Në Shqipëri, mungesa e reshjeve ka tharë lumenjtë kryesorë dhe ka dëmtuar rëndë bujqësinë dhe prodhimin e energjisë hidroelektrike, me pasoja ekonomike që arrijnë miliona euro (Banka Botërore, 2022).
Në Kosovë, mungesa e ujit ka bërë që pishina në Germia të Prishtinës të mbyllet për mbi tri javë, duke treguar një krizë ujore të thellë që prek komunitetet dhe sektorët e ndryshëm (AP News, 2025).
Pasojat në shëndetin mendor ankthi ambiental dhe stresi i përditshëm
Ngjarjet klimatike po rrisin ndjeshëm nivelet e stresit dhe ankthit në popullatë. Studimet në Shqipëri tregojnë se 38% e njerëzve ndihen të shqetësuar për ndikimet klimatike në jetën e tyre (Instituti i Shëndetit Publik, 2023). Në Kosovë, rritja e rasteve të depresionit dhe ankthit është evidente, sidomos tek të rinjtë që ndjejnë pasiguri për të ardhmen (Banka Botërore, 2022). Kjo situatë ndikojnë negativisht në gjumë, përqendrim dhe cilësinë e jetës, duke shtuar presion mbi sistemet shëndetësore të rajonit.
Siguria ushqimore dhe ushqyerja, një kërcënim i drejtpërdrejtë
Thatësira ka ulur prodhimin bujqësor me 20-30%, duke shkaktuar rritje të çmimeve të ushqimeve bazë si drithërat dhe perimet (Banka Botërore, 2025). Rreth 1.17 milionë njerëz në rajon përjetojnë pasiguri ushqimore, duke përfshirë fermerët në Kosovë dhe Shqipëri që kanë humbur kultura kyçe si misri dhe patatja. Mungesa e ushqimit cilësor dhe e shëndetshëm po rrit kequshqyerjen dhe rrezikun për sëmundje kronike dhe imunitare (Romanello et al., 2021).
Funksionet e trurit, efektet e nxehtësisë në kujtesë dhe përqendrim
Temperaturat ekstreme ndikojnë në funksionet kognitive, duke përkeqësuar kujtesën dhe aftësinë për marrje vendimesh. Valët e nxehtësisë janë lidhur me rritje të çrregullimeve neurologjike dhe psikike në rajon (Mora et al., 2017). Në kushtet ku shërbimet psikologjike janë të kufizuara, këto pasoja shëndetësore krijojnë sfida të reja për shoqërinë dhe institucionet.
Zjarret dhe erozioni, sfida të mëtejshme klimatike
Në fundqershor dhe korrik 2025, janë regjistruar mbi 14 vatra zjarri në Shqipëri, përfshirë landfillin e Elbasanit, me pasoja shqetësuese për mjedisin dhe shëndetin publik (Fax.al, 2025). Erozioni bregdetar ka dëmtuar mbi 150 km vijë bregdetare, duke rrezikuar habitatet dhe ekonominë lokale (Climate Factchecks, 2025).
Thirrje për veprim, përgjegjësia institucionale dhe qytetare
Kjo krizë kërkon veprime urgjente: investime në infrastrukturën ujore, bujqësi të qëndrueshme, shërbime shëndetësore dhe psikologjike, si dhe rritje të ndërgjegjësimit qytetar për ndryshimet klimatike. Vetëm me bashkëpunim dhe përgjegjësi mund të mbrojmë shëndetin dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm.
Andaj ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike janë realitet që po prek thellë Kosovën dhe Shqipërinë, me pasoja serioze në shëndetin mendor, ushqyerjen dhe funksionet neurologjike të njerëzve. Mendoj se është koha për veprim dhe ndërgjegjësim të gjerë, për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe të shëndetshme për të gjithë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.