Nga Orjona Tresa / Foto Vlasov Sulaj
Komunikimi me artin kërkon një gjuhë të veçantë. Nuk është e lehtë ta zbërthesh, sepse po aq e vështirë është dhe të jetësosh brenda kontureve. Ndërlidhja ka kode të veçanta. Impresioni është diçka që të tërheq drejt së panjohurës ekstreme, drejt një bote me nuanca të panumërta. Dhe kjo kërkon guxim artistik për të ecur mes fijeve të mpleksura që të çojnë drejt pikëtakimit.
Në një lidhje sa universale, po aq të pazbërthyeshme, ajo qëndron aty për t’i dhënë jetë veprës së saj. Nuk ka një dimension të vetëm, por shumë të tillë njëherësh të mbushur me simbole që e bëjnë artin e saj unik. Kavaleti është po aq përmasash jostandarde. Me duart e ngjyrosura, e bojëra që shkrihen mollëzave, shputave, e që futen thellë deri tek thonjtë, ajo shkrin gjithashtu ndjesinë e saj mbi kanavacën, duke përjetësuar në materie, idilin që ekziston vetëm me hapësirën e fantazisë së saj.
Niki ka ide të pashterueshme. Ka energji që nuk ia frikëson lodhjen. Ka një botë të madhe dhe dinamikë, e cila e rrëmben për të nxjerrë nga duart idhuj tablosh. Me trashëgiminë e këtij arti në vena, të cilën ja ka trashëguar dhe djalit të saj.
Me shumë punë dhe pasion, prej 12 vitesh ajo na prezanton me një vlerë artistike që zë një volum ekstra të madh prej 450 punimesh personale të sajat. Gjinitë ku operon janë gjithfarësh: realiste, abstrakte, bashkëkohore, fine art… Nuk ka pengesa. Tregu i këtij arti, për të cilin ajo ka zgjedhur të qëndrojë e pazbuluar në vendlindje, ka parë dritën e suksesit vetëm jashtë kufijve. Ndërsa në periudhën e pandemisë, reflektuar nga kohërat që jetojmë, rikthehu vëmendjen për të qenë e paraqitshme edhe për publikun shqiptar.
Niki, piktorja që nuk njeh limite
Në art ajo vë shpirtin dhe personalitetin e saj. Pikturat abstrakte për Nikin janë si testi i Rorschach ku njerëzit sipas gjendjes së tyre emocionale shohin atë që duan të shohin. Sipas Nikit, njëherësh artiste dhe psikologe, “piktura ka për qëllim të nxisë kujtesën dhe t’i stimulojë gjendjen emocionale të ndërthurur ndërmjet misterit të magjisë, për t’u dhënë atyre ndjesi pozitive. Ato testojnë përqendrimin dhe vëmendjen dhe e bëjnë shikuesin të bëhet më aktiv kur i sheh. Arti abstrakt është perceptim subjektiv. Mënyra si ai e sheh botën është gjithashtu perceptim i thellë dhe për shikuesit. Ky është qëllimi i artit tim.” Niki është e lirë të guxojë në profesionin e saj, të zgjedhë bojërat sipas emocioneve momentale dhe t’i aplikojë ato. Nuk është një proces i thjeshtë për të. Ajo e shpreh, e shkarkon gjithë energjinë kreative që mbart. Mandej ky proces zgjat, testohet një javë, dy, i rikthehet prapë, vazhdon, nuk e lëshon veprën e saj nga dora nëse personalisht nuk i pëlqen. Ky është suksesi!
“Misteri që mbart arti abstrakt më bëri të më kthehet në sfidë individuale për ta interpretuar pikturën. Nisi si proces në fëmijërinë e hershme, por u desh një udhëtim jetësor që të vlerësoja ndarjen e emocioneve të artit tim me të tjerët.” E përfshirë në vorbullën e madhe të fantazisë rrëmbeva kambalec, penela, tavolocin, kanavacat, bojërat… fillova të hedh gjithë ndjesinë emocionale të atyre momenteve. Pikturova një vazo të madhe me lule ku ngjyrat ishin të pafundme. Kjo ishte piktura ime e parë, të cilën sot e kam dhuruar. Familja dhe miqtë e mi janë suport i rëndësishëm për mua në vazhdimin e kësaj ëndrre që e ktheva në realitet.”
Me modestinë që e karakterizon dhe buzëqeshjen e pandarë ajo shprehet se komplimentet dhe vlerësimet e stimulojnë atë që të kërkojë më shumë nga vetja. “Unë sot e di ku jam e ku dua të arrij. Dëshira ime është që të ndaj me ju e t’ju jap mundësinë të shikoni botën me sytë e mi nëpërmjet artit tim, jo vetëm në konturet bardhë e zi, por plot me ngjyra, të cilat përcjellin shpresë dhe jetë tek të gjithë ne.”
Instagram Nikoleta___am
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.