Paralelisht me zhvillimin e vaksinës anticovid, gjigandi farmaceutik Pfizer ka eksploruar edhe mundësitë e prodhimit të një pilule, e cila do të ndalonte që infeksioni të përhapej, njësoj siç përdoret ilaçi Tamiflu për të luftuar gripin e zakonshëm. Ekipet e tij bënë kërkime për të gjetur përbërës të papërdorur të molekulave që do të ndihmonin për nisjen e procesit, dhe shpejt identifikuan një kandidat premtues, thotë Reuters.
Pfizer ende nuk i ka nisur testimet në shkallë të gjerë për këtë trajtim kundër koronavirusit por shpreson që prova të tilla të fillojnë në muajin korrik. Pfizer dhe rivalët e tij, përfshirë kompaninë me seli në SHBA, Merck & Co Inc dhe kompaninë farmaceutike zvicerane, Roche Holding AG, janë në garë për të prodhuar pilulën e parë antivirale, që njerëzit mund ta marrin sapo të kenë shenjat e para të sëmundjes.
Këto kompani ndajnë një qëllim: që të mbushin boshllëkun ekzistues në trajtimin e Covid 19, duke i ndihmuar njerëzit e infektuar së fundmi me koronavirus që të mos sëmurën rëndë prej tij.
Pas pothuajse 18 muajsh pandemie, ende nuk ka një trajtim që administrohet lehtë, e që të dëshmohet efektiv ndaj sëmundjes. Ndryshe nga vaksina, e cila duhet vetëm të nxisë sistemin imunitar të trupit, një pilulë efektive antivirale duhet ta bllokojë shpërndarjen e virusit në gjithë trupin dhe në të njëjtën kohë, të jetë mjaftueshëm selektive, që të shmangë ndërhyrjen në qelizat e shëndosha.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.