Në fokus

July 4, 2017 | 10:27

Një botë e mbushur me “balena”

Kohët e fundit në media po flitet së tepërmi për “balenën blu”, jo atë të oqeaneve, por për një balenë virtuale. “Balena blu” u krijua nga mendje njerëzore si një lojë për qëllime negative duke futur në grackë fëmijë kryesisht nga mosha 9-18 vjeç, duke i detyruar ata të bëjnë veprime devijante deri në vetëflijim. Faktikisht kjo lojë u bë e njohur vetëm kur shkaktoi viktima, si fillim jashtë vendit dhe më pas edhe në Shqipëri dhe së fundmi në Kosovë. “Balena blu” ka mundur të qarkullojë me lehtësi me anë të rrjeteve sociale duke përfshirë shumë shtete dhe u ka marrë jetën më shumë se 150 të rinjve. Megjithatë, bota e internetit është kaq e madhe sa ja kalon gjithë oqeaneve dhe egërsisë së çdo balene apo kafshe tjetër.

c1b8301c006167fa7d802eade8f176af

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Kurdo dhe kudo kanë ekzistuar lojëra apo rituale të tilla të ngjashme që vendosin jetë njerëzish në rrezik, sidomos fëmijët. Është thuajse gjithmonë kjo moshë më e prekur sepse në këtë periudhe janë më vunerabël duke qenë më të brishtë dhe lehtësisht të manipulueshëm. Mos harrojmë që ende qarkullojnë nëpër rrjet qindra lojëra me përmbajtje dhune të cilat janë lehtësisht të aksesueshme nga fëmijët. Këta të fundit thjesht duhet të kenë një telefon “smart” apo të ikin në qendra interneti për ta luajtur. Madje nuk është bërë asnjëherë publike, që ndër këto videolojra ka dhe nga ato të cilat i mësojnë fëmijëve përdhunimin, seksin apo përmbajtje të tjera jo të përshtatshme për moshën e tyre.

Jo vetëm kaq, por ka edhe nga ato lojra me përmbajtje diskriminuese siç është ajo e krijuar në vitin 2008 “Masakra e muslimanëve” e cila kishte për qëllim dhunimin e personave që besonin në këtë fe. Ndërsa në vitin 2016 qarkulloi loja “Pokemon go” ku shumë të rinj linin çdo veprimtari vetëm për ta luajtur duke krijuar një gjendje varësie. Pavarësisht se deri tani nuk janë gjetur lidhje të drejtpërdrejta për dëmet që kanë sjellë këto lojra, duhet të kuptojmë problemin që mund të sjellin në mendjen e fëmijëve apo të rinjve. Ndryshe nga loja “balena blu” që krijonte viktima në rreth 50 ditë, lojrat që përmendëm më lart mund të shkaktojnë dëme indirekte për një kohë më të gjatë. Përveç këtyre lojrave, bota e madhe e internetit është e mbushur edhe me grupime të njerëzve të ndryshëm të cilët bashkohen me njëri tjetrin për qëllime të caktuara. Ndër to mund të përmendim subkultura të shumta të cilat ndikojnë së tepërmi tek disa grupmosha. Këtu mund të rendisim subkulturat më të ndjekura siç janë metalarët, emo, punk, repista, të cilët kanë ekzistuar që në vitet 1970 kryesisht në Amerikë, por Interneti i ka rikthyer fuqishëm anë e mbanë botës edhe vitet e fundit. Madje në mënyrë virtule këto subkultura kanë filluar të jenë pjesë e jetesës edhe të adoleshentëve shqiptarë. Subkultura e Metalarëve dhe Repistave është më e njohur në vendin tonë dhe ka hyrë si mënyrë jetese apo mode në jetën e përditshme të adoleshentëve apo edhe thjesht si preferencë muzikore. Ndërsa subkultura më e re dhe jo shumë e njohur në Shqipëri është ajo e Emo-ve. Fjala Emo është formuar nga fjala “emocional”, duke dhënë kuptimin e një njeriu i cili emocionohet shpejt dhe është i ndjeshëm.

Pas viteve 2001, kjo subkulturë filloi të përhapej dhe në shumë vende të tjera të botës. Në Shqipëri ky fenomen ka filluar të njihet kryesisht vitet e fundit. Për të qenë pjesë e kësaj subkulture, adoleshentët duhet të ndjekin disa rregulla kryesore të cilat janë të përcaktuara nga ata persona që kanë formuar këtë grupim. Fillimisht që një adoleshent të konsiderohet Emo, duhet të jetë i ndjeshëm dhe të dëgjojë vetëm një lloj muzike e cila në tekstet e tyre flitet për botën, për padrejtësitë që i bëhet njerëzimit, duke krijuar një gjendje pesimiste për realitetin. Së dyti për të qenë pjesë e Emo, adoleshentët duhet të vishen me rroba të zeza, flokët e lyer me ngjyrë të zezë, duke i prerë në një formë të caktuar (në forumet Emo, që gjenden në Internet, tregohen fotografi të ndryshme se si adoleshentët duhet t’i imitojnë). Si vajzat dhe djemtë duhet të bëjnë një truk të rënduar, që përfshin lyerjen e syve dhe buzëve. Si përfundim për të qënë pjesë e kësaj subkulture, këta adoleshentë duhet të ndjekin një ritual që përfshin prerjen e damarëve deri në 13 herë. Plagosja e vetes është simbol i pesimizmit, dhe për të treguar se për ta dhimbja fizike është e papërfillshme para asaj shpirtërore. Ajo çfarë është më tepër shqetësuese për këta adoleshentë, qëndron pikërisht në pikën e tretë, në dhunimin e vetes, se sa të veshjes dhe mënyrës së të sjellurit. Shkaqet kryesore që çojnë në ndjekjen e këtyre subkulturave vjen si rezultat i psikologjisë së adoleshentëve për të imituar dhe për t’ju referuar një idhulli. E gjithë kjo grupmoshë është e prirur të krijojë marrëdhënie miqësore brenda grupeve ku ata bëjnë pjesë dhe t’i kundërvihen subkulturave të tjera. Edhe pse përmendëm shumë rreziqe, sërish nuk mbaron me kaq. Siç shihet problemet nuk kanë fund dhe mund të shfaqen në forma nga më të ndryshme. Ndoshta në të ardhmen këto lojëra apo subkultura mund të ndrojnë emrin apo ritualet, por synimet do të jenë të njëjta: të tërheqin sa më shumë fëmijë apo/dhe adoleshentë. Ndaj natyrshëm lind pyetja se sa të mbrojtur janë ata? Mos prezenca e shpeshtë e prindit, mos njohja e problemit, mungesa e argëtimit të shëndetshëm, komunikimi i dobët mund të çojnë të miturit drejt këtij fenomeni.

Ndaj fëmijët që kanë nëpër duar mjete teknologjike pa mbikëqyrje kanë bashkëshoqëruar edhe një sërë rreziqesh pafund, sepse bota virtuale është e mbushur plot me “balena”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top