Nga Orjona Tresa
Ajo është po aq e bukur siç ka qenë në vitet ’80 kur u shfaq për publikun si këngëtare. Me thinjat mbi supe, me onde, me buzëqeshjen miqësore, pozitive, që i fekset në mollëzat e rrumbullakosura. Me zërin e ëmbël e dashamirës e fjalët e shprehura butësisht vazhdon të jetë e njëjta Parashqevi me po të njëjtin mbiemër: Simaku. Ajo është këngëtarja e rrallë, që për fat, ne nostalgjikët të cilët i kemi shijuar në rininë e hershme, nuk e kemi harruar.
Por Parashqevia kishte “humbur”. Askush nuk dinte gjë për të edhe pse përmendej shpesh në Talk Show-t televizive dhe interpretimet e saj qarkullonin kudo nëpër rrjetet sociale.
Por këto ditë kur rrjeti është ndezur me ngjarjen e bujshme të rikthimit të këngëtares në vëmendje, lajmi bëhet edhe më i bukur kur pas kaq shumë vitesh, mësuam sërish për të. Fotot dhe pamjet e saj me video vërshuan nga Manhatten-i i New Yorku-t. Sepse, ne si shqiptarë, edhe pse larg saj prej të paktën 25 vitesh, – apo ajo larg nesh – jo vetëm nuk kishim harruar por donim të dinim diçka më shumë rreth saj si personazh, ashtu si për çdo personazh publik.
Publikimi i videos së parë dhe atyre pasuese nga dashamirës dhe figura publike, na ndihmoi të kuptonim se Parashqevi Simaku jo vetëm na kishte munguar, por se sa shumë atë e do publiku shqiptar.
Faleminderit atyre – që me apo pa qëllim, – na e risollën pranë figurën e saj, të cilën ne si shqiptarë e paskemi dashur kaq shumë sa prej ditësh, në çdo lajm rreth saj, është në krye të top listës. E pavarësisht retiçencës për klikime, vëmendje, audiencë – apo diçka shumë më tepër se kaq që priremi të aludojmë – Parashqevi Simaku është ngjyra festive që na u bë këto ditë si një dhuratë mjaft e çmuar. Dhe më mirë le të merremi me të, zërin dhe këngët e saj plot muzikalitet, sesa me ngjarje që po na shëmtojnë çdo ditë pamjen dhe po na lëndojnë zemrën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.