Asnjë familje nuk mund të thuhet se është e përsosur. Për aq sa ne mund të angazhohemi, jemi qenie njerëzore, secili ka dobësitë dhe ngarkesat e veta të brishtësisë. Krijimi i një familjeje të bashkuar, sidoqoftë, është brenda mundësive të secilit prej nesh. Por çfarë kuptojmë kur flasim për “familje të bashkuar”?
Asaj që po i referohemi, është një mjedis familjar i sigurt dhe stimulues me karakteristika shumë specifike. Sipas profesorit Alan Kazdin, në mesin e ekspertëve më të mirë në botë për prindërimin, janë tetë elemente që qëndrojnë pas një ambienti pozitiv familjar:
Komunikim i mirë ndërmjet anëtarëve të familjes | Komunikimi duhet të jetë i hapur dhe mbi të gjitha jo gjykues. Fëmija duhet të gjejë tek të rriturit një dëgjues të aftë për të mbledhur mesazhin e tij, pa e ndërprerë atë dhe pa i thënë se çfarë duhet të bëjë.
Një rrjet marrëdhëniesh pozitive me miqtë dhe familjen | Gjyshërit, xhaxhallarët, kushërinjtë dhe miqtë e familjes janë figura të rëndësishme, të cilët kontribuojnë në zhvillimin dhe edukimin e fëmijës.
Rutina dhe rituale të vogla | Të ndara me të gjithë anëtarët e familjes, rutinat e përditshmëria së bashku sigurojnë fëmijët dhe vetë ata.
Promovimi i sjelljes sociale pozitive | Marrja pjesë në aktivitetet e komunitetit tuaj (lagje, bibliotekë, shoqata), por edhe ftesa e miqve në shtëpi dhe organizimi i daljeve në grup janë shembuj të shkëlqyeshëm se si mund të zhvillohet sjellja pozitive shoqërore.
Fleksibiliteti | Të dish të merresh me ndryshime të vogla është një qëndrim i domosdoshëm dhe fitues, për të rriturit dhe fëmijët.
Monitorimi | Prindërit duhet të luajnë një rol aktiv në monitorimin e veprimtarive të fëmijëve të tyre. Duhet të dinë se kë frekuentojnë, ku gjenden dhe çfarë bëjnë.
Më pak stres | Fëmijët i nënshtrohen burimeve të shumta të stresit. Disa ngjarje stresuese janë të pashmangshme, të tjera mund t’i kursejmë dhe t’i ruajmë fëmijët.
Prindër të aftë për të marrë hapësirate tyre | Të jesh prind është sfiduese, por nuk ka pse të bëhet një detyrë gjithëpërfshirëse, deri në atë pikë sa të lënë pas dore veten. Një prind i aftë krijon hapësira për veten e tij (dhe për çiftin) dhe është në gjendje të falë më shumë energji në misionin e tij.
Ndërtimi i një familjeje të bashkuar do të thotë të siguroni që secili prej këtyre tetë elementëve, vlera e të cilit është e paçmueshme, është e kultivuar me dashuri, angazhim dhe pasion. Do të thotë të kujtoni se praktikat e mira nuk janë të mjaftueshme për t’i studiuar dhe mbajtur mend në zemër: ne duhet t’i zhvillojmë ato përmes ushtrimeve të përditshme.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.