Marrëdhënie

January 2, 2018 | 8:12

Një “Hirushe” në Mbretëri / Fejesa e princit Harry me aktoren Meghan, historia më e përfolur në fundvit

Nga Alba Kekezi

Pikërisht kur përrallat me princ dhe hirushe që hyjnë në pallate mbretërore edhe pa pasur gjak blu duken sikur nuk ekzistojnë më, e mbarë bota u impresionua nga çifti më i përfolur në muajin festiv të dhjetorit. Harry dhe Meghan u fejuan duke bërë shumë të rinj të ëndërrojnë për dashurinë dhe shkëndijat që lëshon, saktësisht si shkëlqimi i syve të brunes simpatike dhe biondit me reputacion për thyerje zemrash.

Për familjen mbretërore britanike, duket se viti 2017 ka qenë i mbushur me lajme të gëzueshme. Pasi u mor vesh se Dukesha Kate Middelton ishte shtatzënë në pritje të fëmijës së tretë, vëmendja mediatike dhe ajo e opinionit publik u spostuan te zyrtarizimi i fejesës mes princ Harry-t, i cilësuar si një nga beqarët më të kërkuar në botë dhe aktores amerikane Meghan Markle.

Princ Harry i Britanisë do të martohet me të dashurën e tij, aktoren amerikane Meghan Markle, në pranverën e vitit 2018 njoftoi më 27 nëntor babai i tij prince Charles.

“Princ Harry informoi Mbretëreshën dhe anëtarët e tjerë të ngushtë të familjes së tij. Princi Harry gjithashtu ka marrë bekimin e prindërve të zonjës Markle” thuhej në deklaratën e residencës zyrtare të Princit britanik, Charles.

Gjatë ceremoninë së fejesës, Princ Harry i propozoi Meganit me një unazë unike, të dizenjuar nga vetë ai, me gurë diamantësh të marra nga një bizhuteri e nënës së tij të ndjerë, Princeshë Daianës.

Aktorja amerikane 36-vjeçare dhe Princ Harry 32 vjeç, dhanë intervistën e tyre të parë si çift për rrjetin britanik BBC. Për të shuar dhe kuriozitetin e opinionit publik rreth lidhjes së tyre të shumë përfolur, intervista u fokusua më së shumti në detaje, mënyra si janë takuar, si erdhi propozimi i fejesës nga prince Harry dhe planet e tyre për martesë. Ata thanë se për herë të parë janë takuar në Londër nga një mikja e tyre e përbashkët dhe më pas kishin udhëtuar në Botsvana në Afrikë. Princi tha se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për Markle.

Disa javë pas takimit të parë, i pesti në radhë për të marrë fronin, ka treguar se si arriti të bindte 36-vjeçaren që t’i bashkohej udhëtimit të tij në Afrikë, ku dhe duket se nisi dashuria e tyre.

Intervista për BBC:

Gazetarja: Mund ta nisim me propozimin dhe momentin e fejesës suaj? Kur dhe si ndodhi?

Prince Harry: Ndodhi vetëm disa javë më parë, këtu në vilën tonë, në një natë të zakonshme tonën.

Megan: Ishte një natë e qetë. Ajo çfarë ne po bënim ishte thjesht pjekja e një pule.

Prince: Duke u përpjekur të piqnim një pulë.

Megan: Duke u përpjekur të piqnim një pulë, dhe gjithçka më erdhi papritur, një surprizë e mrekullueshme, ishte kaq e ëmbël, kaq natyrale dhe kaq romantike. Ai u ul mbi njërin gju…

Prince: Sigurisht.

Megan: Po dhe për hir të së vërtetës, unë as nuk të lashë ta përfundoje propozimin. Unë thashë, a mund të them “Po” tani?

Prince Harry: Nuk po më linte ta përfundoja propozimin. Ajo më thoshte, a mund të them “po”? Mund të them “po”? Pastaj u përqafuam dhe unazën e kisha në gishtin tim dhe mora qëndrim si për ta pyetur: A mund të të jap unazën tani? Ajo tha: Oh po unazën. Pra, ishte një moment shumë i këndshëm, ishim vetëm ne të dy dhe mendoj se ia arrita qëllimit për ta surprizuar atë.

Megan: Po

Gazetarja: Dhe sa kohë që pas takimit tuaj të parë, erdhi ky propozim?

Megan: Oh, mund të ketë kaluar 1 vit e gjysmë, ndoshta edhe më pak.

Prince Harry: Unë do të thoja aty rrotull, diku tek 1 vit e gjysmë.

Gazetarja: Si u takuat për herë të parë?

Princi: Ah po. Takimi ynë i parë… ne u prezantuam nga një mikja jonë e përbashkët.

Megan: Ne duhet të mbrojmë anonimatin e saj dhe mos të zbulojmë më tepër rreth saj.

Prince: Po ne duhet të mbrojmë privatësinë e saj, por takimi ndodhi përmes saj, e më pas filluam të frekuntoheshim pas dy takimeve në Londër.

Megan: Po.

Prince: Takim deri në fillim të korrikut. Dhe diku tek 3 ose 4 javë më vonë, arrita ta bindja Megan që të bashkohej me mua në Botswana.  Ne ecnim fushave me njëri-tjetrin nën yje. Ajo erdhi dhe u bashkua me mua për pesë ditë atje, ishte vërtet fantastike. Pra, në atë udhëtim në mundëm të ishim vetvetja. Kjo ishte e rëndësishme për mua, pasi kishim një shans për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.

Megan: Po.

Gazetarja: Mikesha që ju prezantoi, a po mundohej ajo t’ju lidhte me njëri-tjetrin?

Megan: Po, përfundimisht ishte një prezantim i qëllimshëm. Ishte një prezantim jo i rastësishëm nga ana e saj.

Gazetarja: Sa kishit dëgjuar më parë, ju Princ Harry rreth Megan? A e kishit parë më përpara në media?

Prince Harry: Jo, unë kurrë nuk dëgjuar ndonjëherë për Megan, derisa mikja jonë na prezantoi. Pasi ajo përmendi emrin Megan Markle, unë thashë: Në rregull, cila është kjo zonjushë? Çfarë po ndodh këtu? Unë kurrë nuk kisha dëgjuar për Megan, dhe isha mrekullisht i surprizuar kur e pashë. Ajo qëndronte e ulur atje. Dhe unë po mendoja, që duhet të luaja bukur dhe të siguroja një bashkëbisedim të mirë”.

Prince: Ishte befasuese të njihja dikë, që jo domosdoshmërish duhet të jetë e rrethit tënd. Unë nuk dija shumë për atë, ajo nuk dinte shumë për mua. Pra ishte diçka e re që sapo kishte nisur, duke u njohur me njëri tjetrin hap pas hapi, dhe më pas për të marrë hapin e madhe në shpalljen e fejesës dhe të martesës.

Gazetarja: Tani që gjithçka është zyrtarizuar, a e keni atë ndjesinë se kombinimi i historive tuaja aq të ndryshme mund të përbëjë risi në familjen mbretërore?

Princ Harry: Nuk e di nëse është diçka e re. Për mua është shtuar një anëtare e re e familjes, është një lojtare e re e ekipit tonë të madh familjar. Fakti që unë u dashurova me Meghan aq shpejt, ishte një lloj konfirmimi se gjithçka ishte perfekt. Të gjitha yjet u renditën përsosmërish, kur unë u dashurova. Ishte kjo grua e bukur që hyri në jetën time dhe unë në të sajën.

Gjatë ceremonisë së fejesës, Prince Harry dhe aktorja Megan Markle, pozuan për fotografët jashtë Kensington Palace në Londër, ku është edhe ndërtesa, në të cilën ata do të jetojnë së bashku. Lidhja e dashurisë mes princ Harry-t dhe Megan Markle është një nga historitë më të diskutuara në botë por edhe më misteriozja. Kjo për faktin se nga familja mbretërore e princ Harry-t nuk ishte e pëlqyeshme, që ai të martohej me një aktore, e cila ka pasur një të kaluar tejet të trazuar e të mbushur me skandale, por gjërat tashmë janë finalizuar dhe dashuria e tyre triumfoi. Megjithëse zërat hamendësuan se, familja mbretërore nuk do ta aprovonte finalizimin e kësaj marrëdhënieje, dy të dashuruarit arritën t’ia dilnin.

Pas publikimit të fejesës së çiftit, Princi Charles në një intervistë për mediat tha se ndihej mjaft i lumtur për djalin e tij. Gjithashtu urime të përzemërta ata morën edhe nga Princ William më bashkëshorten e tij, Dukeshën Kate Middelton, të cilët u shprehën mjaft të entuziazmuar për martesën e Prince Harryt.

Megjithatë për disa muaj çifti e mbajti të fshehtë lidhjen e tyre të dashurisë, jashtë kamerave dhe vëmendjes së publikut. Udhëtimi i tyre i parë në Botsvana të Afrikës u realizua edhe për të festuar ditëlindjen e Meghan. Afrika ka qenë gjithnjë një ndër vendet më të rëndësishme dhe të dashura për Harry-n pasi vendi i kujton nënën e tij, princeshën Diana. Fillimisht Princi e propozi të dashurën e tij me diçka vërtet unike. Burimet mediatike zbuluan se Harry i ka propozuar Meghan-it me një byzylyk tradicional afrikan.

Daljen e parë publike si çift, Prince Harry dhe Meghan Markle e kanë bërë në Londër. Ata u fotografuan nga paparazët, ndërkohë që ishin duke blerë pemën e Krishtlindjes në një dyqan në Londër në dhjetor të vitit 2016.

Disa ditë më vonë ata u fotografuan sërish në një takim të dytë, për të parë shfaqjen “The Curious Incident of the Dog in the Night-Time” në pjesën perëndimore të Londrës. Burimet mediatike zbuluan gjithashtu se gjatë kësaj periudhe, Harry kishte bërë një devijim prej 1,700 kilometrash nga turneu i tij i Karaibeve vetëm që të takonte Megan Markle në shtëpinë e saj në Toronto. Daljen e parë publike në mënyrë të vullnetshme, çifti e realizoi në muajin Maj të 2017 në “Polo Club” në Ascot të Anglisë.

Po këtë muaj, Meghan ishte e pranishme në dasmën e Pippa Middeltonn, motrës së dukeshës Kate. Prince Harry u fotografua, ndërkohë që shoqëronte aktoren për në shtëpinë e Middleton. Gjithashtu në muajin Mars, Markle ishte shoqëruesja e Princi Harry në një martesë në Xhamajka ku martohej një ndër miqtë e tij të ngushtë.

Çifti bëri paraqitjen e parë publike së bashku në ceremoninë e hapjes së “Invictus Games”, lojërat ndërkombëtare të mbajtura në Toronto të Kanadasë në muajin shtator. Ata u filmuan të kapur për dore në një eveniment tenisi dhe u panë ndërsa kaluan një kohë të gjatë me nënën e Meganit, Doria Markle.

Çifti, i cili qëndroi në një lidhje dashurie për më shumë se 1 vit, daljen e parë në publik, pas zyrtarizimit të fejesës e bënë më 1 Dhjetor, gjatë një vizite që ata realizuan në një panair bamirësie për Ditën Botërore të Ndihmave, për të prekurit me “AIDS”.

Ata entuziazmuan turmën e njerëzve, të cilët kishin mbushur rrugët për të përshëndetur çiftin dhe brohorisnin të gëzuar. Në qytetin qendror anglez të Nottingham, Princ Harry dhe Megan Markle përshëndetën qindra njerëz që valëzonin flamuj britanikë dhe amerikanë. Disa prej fansave përgatitën kartolina urimi për të sapo fejuarit.

Dashamirësit nuk u rezervuan aspak për të treguar mbështetjen e tyre ndaj dashurisë së Princit me aktoren amerikane.

Irene Hardman, 81 vjeç nga Nottingham: “Kur takova Princin Charls për herë të parë para 20 vitesh i thashë: ‘Kam disa Haribo, a mund t’ia jepni princ Harry dhe vëllait të tij William? Dhe ai më tha: Natyrisht që po, dhe unë sot do t’i jap sërish Haribo, pasi Princi Harry i pëlqen shumë Haribot dhe ai do të nxisë Meganin t’i hajë ato”.

Alipa, student 19 vjeç: Dashuria e tyre është me të vërtetë e bukur dhe tashmë ka diçka më shumë për të shtuar në historinë e Nottinghamit.

Betty Parker, 78 vjeç nga Nottingham: Sepse ne e duam Harry dhe Meghan, a nuk duket ajo e bukur?

Mary Cooper, 60 vjeç nga Nottingham: Ne ndihemi shumë të lumtur për të dy. Ne u takuam kur po shihnim Prince Harry rreth katër vite më pare dhe që atëherë ne gjithmonë vijmë ta shohim Princin, sa herë ai vjen këtu. Është e mrekullueshme, që ai vazhdon të vij në Nottingham.

Helen Allen, 43 vjeç drejtor kompanie: Epo, shpresoj se kjo është një mënyrë për të tërhequr vëmëndjen e asaj, dhe unë kam marrë disa lule për t’ia dhuruar Meganit.

Mark Arnold, 22 vjeç, student amerikan: Është e mrekullueshme të ketë amerikanë në familjen mbretërore. Është me të vërtetë e këndshme dhe jam vërtet i lumtur.

Jennifer, banuese ne Nottingham: Më vjen shumë mirë, që ai zgjodhi Nottinghamin për daljen e parë publike. Ne kemi ardhur nga Malajzia, e duam kulturën britanike dhe familjen mbretërore padyshim. Na pëlqen kur shohim familjen mbretërore dhe pavarësisht se bën shumë ftohtë, ne jemi të lumtur të presim për ti parë ata.

Aktorja Meghan ka nisur tashmë një jetë të re, ndryshe nga ajo çfarë ka bërë më parë, pasi është e detyruar të zbatojë rregullat e një familjeje mbretërore. Megjithatë, gjurmët që Meghan ka lënë në të kaluarën e saj, ku është përfshirë dhe në disa skandale, nuk mund të fshihen lehtë. Mediat e kryqëzuan me lajme rozë aktoren, kur u mor lidhja e saj me Prince Harry.

Fejesa e princit britanik me aktoren amerikane, ka qenë ndër më të përfolurat pasi Megan është e para femër me ngjyrë që do të hyjë në familjen mbretërore. Duket se marrëdhënia e tyre nuk do ti mungojë kurrë interesit të gjerë të publikut.

Jo vetëm interes për imazhin e kontrolluar publik Harry-t, një ushtar britanik i cili shërbeu në Afganistan, por më së shumti është interesi për një reflektim të profilit të aktores amerikane, cila është ajo? Megan Markle nuk është dukesha Kate Middleton, e cila qëndroi largvëmendjes mediatike, ndërkohë që ishte në lidhje me Princin Uilliam.

Megjithatë mediat thonë se Middelton ka luajtur në mënyrë të përsosur rolin e saj për të fituar dashurinë e publikut, si gruaja që do të bëhet mbretëresha e ardhshme e Britanisë. Markle është një aktore amerikane nga Los Angeles, e divorcuar dhe me prindër ndër racialë. Nëna e saj është afrikano-amerikane, ndërsa babai i saj është i bardhë.

Mbulimi i profilit të Markle nga tabloidët britanikë shkaktoi aq skandal, saqë Harry mori hapin e pazakontë duke nxjerrë një deklaratë zyrtare në nëntor 2016, vetëm katër muaj pasi ata filluan të takoheshin. Ai dënoi ashpër valën e abuzimeve dhe të ngacmimeve ndaj të dashurës së tij dhe kishte shumë arsye për ta bërë këtë, pasi disa prej sulmeve ishin tejet raciste dhe seksiste.

Nëntorin e kaluar, “Daily Star Online” shkruajti “Harry mund të martohet me një mbretëri gangstere, dashuria e tij e re është nga një lagje geto e Los Anxhelosit”. Mediat e kryqëzuan aktoren me ngjyrë, pas skenave të forta të seksit, që Megan ka luajtur në serialin amerikan “Suits”.

Pas zyrtarizimit të fejesës dhe shpalljes së martesës, mësohet se Megan nuk do të jetë më pjesë e “Suits” duke hequr kështu dorë përgjithmonë nga jeta e mëparshme. Ndërkohë problemet e saj familjare të mëhershme janë një tjetër skandal, ku mediat janë fokusuar.

Familjarët e saj e akuzojnë aktoren për egoizëm dhe të etur për pushtet. Motra e saj nga nëna fajëson aktoren se ka brakisur familjen e saj, atëherë kur ata kishin më së shumti nevojë. Samantha Grant, gjysmë motra e Megan tha se arsyeja pse Megan ka zgjedhur Prince Harry-n, është sepse i intereson paraja. Madje ajo tha se, kur babai i Megan shpalli falimentin, aktorja ka refuzuar ti ndihmojë familjarët e saj.

E kaluara e aktores së njohur amerikane sigurisht që do të kishte pasoja, në momentin që Megan vendosi të martohej me një princ. Nëse fejesa e tyre do të finalizohet me kurorëzim, disa burime mediatike kanë bërë të ditur se me shumë gjasa ata nuk do të mund të bëjnë betimin e tyre përpara Zotit.

Arsyeja pse çifti mund të mos lejohen të martohen në kishë është sepse, Meghan është e divorcuar dhe Kisha duket se nuk e lejon bekimin e saj. Aktorja Megan Markle ka qenë e martuar më herët me producentin Trevor Engelson nga viti 2011 deri në 2013-n. Megjithatë për të fejuarën e Princ Harry ka dhe dashamirës që janë shprehur mjaft të lumtur për historinë e saj të dashurisë.

Në komentet e banorëve të Torontos që jetojnë pranë zonës, ku kaq qenë vendbanimi i dikurshëm i Megan, duket qartazi entuziazmi i tyre ku dhe nuk kanë munguar komentet pozitive ndaj aktores.

Lucia Furfaro, residente në Toronto: Është me të vërtetë e mrekullueshme, ndjehemi krenarë për të dhe shpresoj që ata të jetojnë të lumtur.

Lyn Suderman: Ajo ishte me të vërtetë një komshie shumë e mirë. E kam parë atë disa herë nëpër lagje, dhe miqtë e saj, ata djemtë me makinat luksoze, por kurrë nuk kam parë…kurrë nuk kam parë që ishte Princi. Pra kjo është një histori e mrekullueshme, apo jo?

Louise Hanly, Resident në Toronto: Shpresoj të kenë një jetë të mrekullueshme së bashku.Martesa nuk është dhe aq e thjeshtë, kështu që unë shpresoj që ata ta përballojnë me uljet dhe ngritjet qëmund të kenë. Të jesh në qendër të vëmendjes nuk është e lehtë. 

Corrine Hart, resident në Toronto: Mendoj se kjo histori është e mrekullueshme, pasi e vendos Toronton në qendër të vëmendjes, në kontekst pozitiv. Mendoj se kjo është fantastike. Mendoj se është me të vërtetë e këndshme të shohësh se Prince Harry po martohet me dikë nga lagja jonë.

Ashtu si shumë aktore dhe yje të Hollivudit, aktorja amerikanë zgjodhi një emër tjetër për publikun, sepse “Meghan” në të vërtetë është emri i saj i mesëm. Me emrin e saj të plotë ajo njihet si Rachel Meghan Markle.

Ish ylli i “Suits” ka zbuluar se ka gjak afrikano-amerikan dhe holando-irlandez në pemën e saj familjare. Markle, nuk konsiderohet për natyrë të ndrojtur dhe nuk ka shfaqur pendese  për të kaluarën e saj. Për “Vanity Fair”, ajo tha se interesi i madh mediatik, me të cilin po përballet për shkak të marrëdhënies së saj me Harry, ka sfidat e veta dhe se nuk i vjen aspak keq për këtë.

Njëra nga këto sfida është edhe divorci i Markle. “Epo kjo do të thotë se unë do të bëjë histori kur të martohem me Harry vitin e ardhshëm, është shprehur për mediat e fejuara e princit. Aktorja amerikane komentoi marrdhënien e saj për herë të pare, në muajin shtator, për të përjavshmen “Vanity Fair”.

Gjatë intervistës ra në sy cilësimi që Megan bënte shpesh herë për Princ Harry, duke e quajtur “i dashuri im”. “Ne jemi një çift, tha ajo për revistën. Ne jemi shumë të dashuruar dhe jam e sigurt se do vijë koha, kur do të duhet të dalim përpara të gjithëve dhe të prezantojmë marrëdhënien tonë”.

Ajo nënvizoi se njerëzit duhet ta kuptojnë se ky është momenti i tyre.

“Po përfundojmë një histori të mrekullueshme dashurie” u shpreh ajo me entuziastëm gjatë intervistës.

Nga ana e tij Princ Harry ka qenë më i ndrojtur në deklarimin e ndjenjave, pasi nuk ka komentuar për marrëdhënien e tyre në mënyrë aq të çiltër dhe të hapur sa Megan, megjithatë në lojërat  e “Invictus Game” ai u tha konkurrentëve atje se, e dashura e tij ishte një person i mrekullueshëm.

Ajo ishte hera e parë që Princi shprehu publikisht ndjenjat për Markle. Çifti ka lënë të kuptohet se dashuria e tyre ndaj njëri-tjetrit nuk ka nevojë për fjalë dhe komente. Por Dikur, Harry ishte një ndër beqarët më të kërkuar në botë, ndërsa  sot për të fejuarin e Meghan Markle, flirtet janë pjesë të së kaluarës.

Megjithatë po të hedhim një vështrim pas, rekordet e tij flirtuese deri më sot fillojnë nga dashuria e tij e parë Chelsy Davy e për të kaluar më pas tek bukuroshja Cressida Bonas, një lidhje që zgjati pothuaj dy vjet. Më pas Prince Harry nis flirtet me Camilla Thurlow të Love Islanf për të vijuar më tej me këngëtaren Mollie King.

Por, është Meghan Markle ajo që qëndron mbi të gjitha. Është aktorja amerikane, ajo që mesa duket ka rrëmbyer përgjithmonë zemrën e Princit Harry, duke shuar kështu shpresat e atyre femrave që do të donin ta kishin në krahë. Kurorëzimi i dashurisë së tyre do të bëhet në pranverën e 2018, por detajet rreth dasmës mbeten ende surprizë për publikun.

Princ Harry dhe Markle mund të zgjedhin për një martesë të madhe mbretërore si ajo e Princit William dhe Dukeshës Kate Midddelton në 2011 ose të zgjedhin një ceremoni të thjeshtë diku jashtë Londrës, të tilla si Kisha e Shën Gjergjit në Windsor Castle.

Sa i përket muajit të mjaltit, më herët Kryeministri i Antiguass ftoi Harry të kalonte muajin e mjaltit në ishujt Karaibe të Antiguas dhe Barbudas. Propozimi u erdhi gjatë kohës që çifti udhëtonte shpesh, por mjerisht, ishujt u goditën rëndë nga sezoni i stuhive të këtij viti kështu që ende nuk dihet se kush mund të jetë destinacioni i Princ Harry dhe Megan Markle, për të shijuar muajin e mjaltit pasi të kurorëzojnë dashurinë e tyre.

Nëse gjithçka shkon sipas planit “hirushja” Meghan e njohur sidomos për rolin e saj në serialin amerikan “Suits” do të përfundojë profecinë e përrallave, të konkretizuar në botën reale.

… Dhe në fund ata jetuan të lumtur!

 

Burimi: Ora News.tv

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top