Në kohën kur isha drejtuese e burgut grave, aty gjendej një vajzë që vrau me thikë përdhunuesin e saj dhe gjykata kishte marrë vendim jo shumë racional e objektiv edhe se u gjetën prova, se vrasja u krye në vetëmbrojtje, ajo vajzë trime në heshtje edhe me formën e kokës dhe modelin e saj të prerë fliste që unë nuk e durova dhunën e padrejtësinë, edhe pse ishte nga një zonë e thellë e veriut të Shqipërisë ku vajzat jo fort lehtë kanë fituar liri e të drejta apo kanë vendosur drejtësi e bërë revolucion ndër vite, kjo vajzë e realizoi në formën e saj mbrojtjen e shpëtimin nga dhunuesi që e kishte komshi, ajo ishte aktive gjatë vuajtjes së dënimit, punëtore, e qeshur, e edukuar, me ca flokë kaçurrela të bukura, por me sy në lot shpesh kur përballej me persona që edhe e gjykonin për veprimin e saj, mua më pëlqente ajo vajzë, e mbroja e i jepja të drejta aq sa e përmban rregullorja e brendshme bashkë me stafin e IEVP Ali Demi.
Ishte një person plot pozitivitet dhe nëse flisje me të kishe çfarë mësoje prej saj edhe pse me droje e thoshte fjalën shpeshherë për shkak të veprës penale me të cilën ishte dënuar, sot është e liruar dhe integruar jashtë Shqipërisë, sepse më shkruan shpesh në fb dhe jam e lumtur për fatin e saj që më në fund i erdhi i bardhë, siç ishte shpirti i saj, sa respekt ruaj për atë vajze e sa jam lumturuar kur e mora lajmin e që u integrua jashtë këtij vendi tepër gjykues!
Unë sigurisht nuk po promovoj vrasjen sepse atë vendim e marrin organet ligjvënëse të një shteti, por jam pro dënimit të përjetshëm për ata që përdhunojnë një fëmijë. Nuk duhen gjykuar kurrsesi protestat që organizohen në mënyrë spontane sepse fundja është liri mendimi e një brezi të ri që nuk pajtohet lehtë me raportin e dhunës, e cila nga meshkujt është shumë i madh në ambientin Shqiptar.
Ajo protestë është organizuar nga rrjetet sociale dhe protagonistët kryesore të organizimit i njoh personalisht dhe i çmoj se janë vajza e gra mendjehapura e të afta në jetë, por edhe nuk kanë marrë kurrë fonde nga donator të huaj e as organet vendore, ama edhe nëse ka gra që marrin fonde, mirë bëjnë sepse fondet e BE-së për atë punë janë e shpesh nuk alokohen se nuk ka projekte, arsye “nuk shkoj në protestë” dhe nuk e mbështes protestën sepse merren fonde e keqpërdoren nuk më bindin aspak, ato OJF që marrin fonde e nuk ndihmojnë në emancipimin dhe mbështetjen e gruas në këtë vend e paçin në shpirtin e ndërgjegjen e tyre në këtë jetë dhe në atë jetë!
Por nuk e përfaqëson gruan, as vajzën Shqiptare një shoqatë që nuk punon apo një drejtuese jo e denjë e një shoqatë që nuk ka përdorur si duhet fondet e marra në shërbim të kauzave të ndryshme, njoh pafund gra e vajza që bëjnë shumë punë në dobi të grave e vajzave duke i ndihmuar pafund ato, janë dy të tilla që ishin aty për ti dhënë zë e figurë paqësore protestës si Edlira Çepani dhe Rozi Dhimitri.
Boll me gjykime se jemi shoqëri për t’u mëshiruar, mbro vajzën, gruan, motrën dhe nënën, sepse nga ato vjen jeta, duaje dhe thuaj vajzës e motrës një fjalë të mirë e jepi të drejta dhe dashuri pa kushte, ky duhet të ishte thelbi i bisedës sot në të gjitha mediat sociale, apo vizive.
Mbro vajzat sepse ka aq shumë të dhunuara në këtë vend që nuk kanë ku ankohen e në fund u mbetet të bëjnë vetëgjyqësi si rasti i vajzës së sipërpërmenduar në historinë time në burgun e grave!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.