FB

January 5, 2022 | 8:30

Një histori mbi Dinjitetin – Shishja e bojës

 

Përgatiti Rudina Koromani, psikologe klinike

 

Një i ditur, i urtë dhe i pasur njëkohësisht, po u jepte mësim nxënësve të cilët ishin ulur rreth tij. Në një moment, një burrë i huaj dhe i panjohur u ul mes tyre. Askush nuk e njihte, por nga pamja, dukej dinjitoz, pavarësisht pikëllimit që i dallohej qartë në fytyrë.

1I panjohuri dëgjonte shpjegimin pa folur, ndërkohë që në dorë mbante një shishe me bojë. I dituri e ndërpreu shpjegimin, i hodhi një vështrim në fytyrë burrit të huaj dhe pasi e vërejti mirë i tha:

“-Zotëri! Mos ke ndonjë pyetje apo ndonjë hall dhe si mund të të ndihmojmë?”

Burri ngriti kokën dhe u përgjigj:

-As njërën dhe as tjetrën. Unë jam tregtar e kam dëgjuar shumë për dijen e vlerat tuaja. Erdha t’ju shes këtë shishe me bojë e cila nuk çmohet me para. Jam betuar që të mos ia shes veçse një dijetari që e meriton.”

Pa folur më tepër, tregtari brofi në këmbë dhe ia dorëzoi shishen burrit të ditur, i cili, nga ana e tij, filloi ta kundrojë gjithë kureshtje. Herë rrudhte ballin, herë shprehte habinë e tij për bojën në shishe.

Në fund, e pyeti tregtarin:

“-Sa e shet?”

Tregtari u përgjigj:

“-Njëqind dinarë floriri!”

I dituri i tha:

“-Është shumë pak. Do të paguaj njëqind e pesëdhjetë dinarë.”

Tregtari ndërhyri dhe shtoi:

“-Dua njëqind dinarë floriri, as më shumë e as më pak.”

I dituri iu drejtua djalit të tij dhe i tha:

“-Shko tek jot ëmë dhe kërkoji njëqind dinarë floriri!”

Pasi i biri u kthye me qesen me florinj, ia zgjati tregtarit të huaj i cili nga ana e tij i dorëzoi shishen me bojë e u largua duke shprehur mirënjohje.

Në mbrëmje, pasi ikën të gjithë të çuditur me çfarë kishin parë e dëgjuar atë ditë, pasi një shishe bojë ishte shitur njëqind dinarë floriri, vetë i dituri shkoi në dhomën e vet për të pushuar.

Ndërkohë, i biri, po vlonte nga kurioziteti.

Çfarë boje ishte ajo në atë shishe që i kishte kushtuar të atit njëqind dinarë floriri?

Shkoi dhe e mori në dorë atë shishe, e hapi, derdhi pak bojë në dorë, i mori erë, e preku… por s’kishte asgjë të veçantë, thjesht bojë e zakonshme.

Një ndjenjë zemërimi e pushtoi dhe u turr me vrap drejt dhomës ku pushonte i ati.

“-Baba! Ta ka hedhur ai tregtari i huaj! Pasha Zotin nuk të ka shitur më shumë se një shishe me bojë të zakonshme. Mori njëqind dinarë floriri për një shishe bojë! S’e kuptoj nëse më duhet të çuditem me shejtanllëkun e tij apo me naivitetin tënd.”

I dituri i buzëqeshi lehtë dhe i tha

:”-O bir! Ti e pe me sytë e ballit dhe ajo që dallove ishte bojë. Unë e pashë me syrin e zemrës  e pashë se ai burrë kishte ardhur me bojën e fytyrës, të cilën refuzoi ta derdhë para gjithë atyre njerëzve. Ai ishte njeri fisnik që e ruante dinjitetin. Atij i duhej ajo shumë prej njëqind dinarësh floriri për një hall që i kishte rënë në kokë, nuk deshte as më shumë e as më pak. Falënderoj Zotin që më frymëzoi dhe arrita ta kuptoj domethënien e fshehtë të fjalëve të tij, duke ia ruajtur dhe bojën e fytyrës…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top