FB

July 21, 2025 | 17:30

Një libër nuk është aksesor. Është armë, është mik, është udhëtim. Dhe mund të të ndryshojë jetën!

 

Përgatiti Orjona Tresa

Në një kohë kur gjithçka bëhet për t’u fotografuar, për t’u shpërndarë e konsumuar shpejt, le të ndalemi një çast. E në vend të pyesim çfarë do të postojmë këtë verë, të pyesim: çfarë do të lexojmë këtë verë?

grua-lexon-plazhSepse një libër nuk është thjesht një zbukurim në një çantë plazhi apo një rekuizitë pranë syzeve diellore. Një libër është një akt rebelimi kundër sipërfaqësores. Një ftesë për t’u rikthyer te vetja, për të menduar, për të ndjerë thellë, për të ndërtuar botë të reja brenda nesh. Dhe sipas shkencës, nuk është metaforë: leximi mund të të ndryshojë realisht jetën.

Një grup studiuesish nga Universiteti i Ohajos ka vërtetuar se kur lexuesi lidhet emocionalisht me personazhet e një libri, sjellja e tij mund të ndryshojë, si në mënyrë të menjëhershme, ashtu edhe në plan afatgjatë. Quhet “marrje përvoje”: ndjesia se po e përjeton vetë historinë. Dhe kjo përvojë ndikon në vendimet tona, në ndjeshmërinë tonë, në mënyrën se si e shohim botën.

Në një eksperiment konkret, njerëz që lexuan një tregim në vetën e parë për një student nga universiteti i tyre, shkuan dhe votuan në zgjedhjet presidenciale, ndonëse nuk kishin plan ta bënin më parë. Një histori i bëri të vepronin.

Në një tjetër rast, lexues heteroseksualë ndjenë më shumë empati për komunitetin LGBTQ+ pasi lexuan një histori prekëse që zbulonte në fund se protagonisti ishte homoseksual. Sepse leximi nuk ushqen vetëm trurin, ushqen edhe zemrën.

Në një kohë kur shtypi i shkruar është në krizë dhe librat shihen si luksi i të pasionuarve, ky është momenti të bëjmë një zgjedhje kolektive.

Të lexojmë! Të ndajmë libra me njëri-tjetrin. Të mbushim çantat e plazhit me faqe të lexuara, jo me vetëm ilustrime për Instagram. Të mbështesim libraritë dhe autorët. Sepse printi po përballet me kohë të vështira, dhe çdo lexues sot është një aktivist i heshtur që zgjedh të mos heshtë ndaj sipërfaqësores.

Leximi është për këdo! Është për ty që po pushon. Për ty që ndihesh bosh. Për ty që kërkon kuptim. Dhe nëse ke pyetur ndonjëherë “a mund të ndryshojë diçka kaq e thjeshtë si një libër jetën time?”, përgjigjja është: po, mundet! Dhe ndoshta, verën e këtij viti, do të ndodhë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top