Mund të kërcejë në rrugë ndërsa shkon për në punë, të shohë në sy një të huaj dhe të flasë për dashurinë me shikim të parë. Të mbrojë një ide që mund të duket qesharake. Luftëtarët e dritës ia lejojnë vetes gjëra të tilla. Nuk kanë frikë të qajnë për dhimbjet e vjetra, apo të gëzohen për zbulimet e reja.
Kur ndjen se ka ardhur koha, lë gjithçka dhe niset për aventurën e ëndërruar prej kohësh. Kur kupton se është në prag të rezistencës, e braktis luftën, pa fajësuar veten se kishte bërë disa marrëzi të papritura.
Një luftëtar i dritës nuk i kalon ditët duke u përpjekur të luajë rolin që të tjerët kanë zgjedhur për të. Luftëtarët e dritës kanë gjithmonë një shkëlqim në sytë e tyre.
E jetojnë botën, janë pjesë e jetës së njerëzve të tjerë dhe e nisën udhëtimin e tyre pa asgjë. Në shumë raste janë frikacakë. Nuk veprojnë gjithmonë si duhet. Vuajnë nga gjërat e kota, mbajnë qëndrime të vogla dhe ndonjëherë ndihen të paaftë për t’u rritur.
Shpesh mendojnë se nuk janë të denjë për ndonjë bekim apo mrekulli.
Nuk janë gjithmonë të sigurt se çfarë po bëjnë. Shumë herë e kalojnë natën në gjumë, duke menduar se jeta e tyre nuk ka kuptim. Kjo është arsyeja pse ata janë luftëtarë të dritës. Sepse gabojnë. Sepse, pyesin veten. Sepse, kërkojnë një arsye: dhe me siguri do ta gjejnë.
Luftëtari i dritës nuk ka frikë të shfaqet i çmendur.
Kur është vetëm, ai flet me zë të lartë. I mësuan se kjo është mënyra më e mirë për të komunikuar me engjëjt dhe ai përpiqet t’i kontaktojë. Në fillim, vë re se sa e vështirë është. Mendon se nuk ka asgjë për të thënë dhe se do të vazhdojë të … përsërisë marrëzitë e pakuptimta. Megjithatë, luftëtari këmbëngul. Çdo ditë i flet zemrës. Thotë gjëra me të cilat nuk është dakord, flet marrëzi.
Një ditë ndjen ndryshimin në zërin e tij. Dhe e kupton se një urtësi më e madhe po depërton. Luftëtari duket i çmendur, por është një maskim.
Një poet thotë: “Luftëtari i dritës zgjedh armiqtë e tij”. Ai e di se për çfarë është i aftë, nuk ka nevojë të flasë për cilësitë… dhe pikat e forta të tij. E megjithatë, vazhdimisht shfaqet dikush që dëshiron të dëshmojë se janë më të mirë se ai.
Për luftëtarin nuk ekziston”më të mirë” apo “më të keq”: secili ka dhuratat e nevojshme për udhëtimin e tij individual. Por disa këmbëngulin. Ata provokojnë, ofendojnë, dalin nga rruga për ta acaruar. Në atë moment zemra i thotë: “Mos i prano ofendimet: nuk të shtojnë aftësitë… Do të lodhesh kot.
Një luftëtar i dritës nuk e humb kohën duke dëgjuar provokime: ai ka një fat që duhet përmbushur.
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi La luce nel buio
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.