FB

March 14, 2026 | 17:00

Një tjetër sallë pritjeje… një narrativë medituese drejt zbulimit të një forme tjetër të ekzistencës, labirintit

Nga Rezarta Gagani, autore dhe poete

Në sallën e pritjes ka një qetësi të çuditshme, sikur edhe zhurmat të jenë futur aty për të pritur radhën. Në mur është një poster i madh i stomakut, i vizatuar me ngjyra të buta, si një frut i prerë përgjysmë që rrezaton një qetësi grafike, sikur brenda nesh të mos kishte asgjë tjetër veçse simetri dhe funksion.

iluzion

Ky imazh nuk ka asnjë lidhje me atë që unë mbaj në trup.

Stomaku im nuk është një vizatim. Është një territor i djegur, një fushë ku acidi gërryen ngadalë ditët e mia. Jam këtu për ulcerën time. Më pëlqen ta quaj kështu, me një posesivitet që pothuajse i ngjan dashurisë, sepse është e vetmja gjë që kam ndërtuar me një saktësi absolute. E kam ushqyer prej vitesh me kafe të hidhura, nerva dhe me ato mendime të natës që marrin trajta monumentale përpara se të bëhen hi.

Ajo nuk është një sëmundje që më ka rënë nga qielli. Është biografia ime biologjike. Forma që ka marrë koha brenda meje.

Mjeku do të më përsërisë ritualin e tij të zakonshëm. Ai nuk premton shërim, sepse shërimi supozon kthimin në një pikë nisjeje që nuk ekziston më.

—Gjërat mbahen nën kontroll, vajzë!

Në atë nënqeshje të lehtë unë shoh zbulimin e vërtetë të këtij institucioni. Në këtë sallë, jeta nuk është një akt krijimi. Është një punë administrative. Receta. Kontrolle. Doza. Trupi nuk kërkon më kuptim, kërkon mirëmbajtje. Dhe papritur kjo nuk më duket vetëm historia e stomakut tim. Është historia e gjithë jetës që kam ndërtuar me një përpikëri të lodhur.

Unë nuk jetoj. Unë administroj prishjen time.

Puna mban nën kontroll varfërinë, rutina mban nën kontroll tmerrin e orëve të zbrazëta dhe ilaçet që gëlltis çdo mëngjes mbajnë muret që të mos shemben. Është një ekuilibër i ftohtë ku asgjë nuk zgjidhet. Vetëm vazhdon.

Përballë meje një i moshuar studion etiketën e një kutie ilaçesh me vëmendjen e një njeriu që kërkon një sekret shpëtimi në një tekst të korruptuar. E shoh dhe kuptoj se ky kërkim i ethshëm është i njëjti ankth që më ka bërë të besoj për vite me radhë te metafora e rrugës. Kam besuar se ekzistonte një drejtim. Një ecje drejt një kuptimi, një daljeje që do të qartësonte gjithçka.

Ajo që deri më sot e kam quajtur rrugë fillon të shpërbëhet përpara syve të mi. Në vend të saj del në pah një formë tjetër, më e ftohtë dhe më e saktë. Një labirint. Një lëvizje pa drejtim ku çdo kthesë më është shitur si shpresë për dalje, ndërsa nuk ishte gjë tjetër veçse një mur tjetër.

Nuk kam humbur këtu. Kam lindur brenda kësaj gjeometrie. Dhe ndoshta iluzioni më i madh është vetë kërkimi i daljes. Kjo djegie që sot është ulcerë nesër do të jetë një tjetër emër për ankthin. Dhe ideja e rrugës më duket gjithnjë e më shumë si një anestezi e bukur, një mënyrë për të mos parë formën e vërtetë të vendit ku ndodhem.

Infermierja hap derën dhe thërret emrin tim. Ngrihem dhe ndiej atë therjen e njohur. Trupi im nuk impresionohet nga zbulimet e mia; ai kërkon vetëm dozën e radhës që ta qetësojë. Hyj në dhomë. Doktori fillon të më flasë për dietën dhe për ilaçet që do ta mbajnë aciditetin nën kontroll. Ndërsa ai mbush recetën e radhës, kuptoj se gjithë kjo kohë nuk ka qenë një kërkim për daljen. Kam kërkuar vetëm një kthesë me dritë të mjaftueshme sa për t’u dukur si dalje. Pas saj më pret vetëm një tjetër sallë pritjeje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top