FB

September 27, 2021 | 8:02

Një urim ndryshe për të gjithë fëmijët që nisin klasën e parë nga psikologe Pranvera, si dhe disa këshilla për prindërit dhe mësuesit

 

Nga Pranvera Paplekaj (Martinaj), psikologe, Lezhë

 

Pak fjalë për më të vegjlit që sot jeta ju ofron një tjetër udhë, dhe për më të mëdhenjtë e të vegjëlve (prindërit), për të cilët nuk është fort e lehtë që “shpirtin” e tyre duhet t’jua dorëzojnë dikujt tjetër.

1

Është ditë shumë e veçantë, dita e klasës së parë, ndër më të veçantat e jetës së një njeriu. Është e bukur, është e gëzueshme, ka plot emocione pozitive brenda saj, por është edhe ditë e vështirë, sepse për të qenë kaq e bukur për të shtrenjtit e prindërve, kërkohet të dish shumë, po vërtet shumë.

Kërkon së pari që ne të kthehemi pas në vite dhe të mendojmë nëse prindërit tanë ia kanë dalë të na bëjnë këtë udhë të dashur apo jo, dhe nëse jo, çfarë është bërë jo mirë që ne të mos e bëjmë.

Kërkon t’i kuptojmë ata, se të largohesh për disa orë nga e ëmbla shtëpi, e cila të jep dashurinë, lirinë dhe sigurinë e pakufij, dhe t’i drejtohesh një ‘shtëpie’ tjetër shumë më të madhe, me më shumë anëtarë, me më shumë rregulla, në një shtëpi ku fytyra e mamit, babit, vëllait, motrës dhe gjyshërve mungon, nuk mund t’i shohësh sa herë sytë dhe zemra do, edhe nëse kontrollon çdo dhomë të kësaj shtëpie të madhe.

Natyrshëm, kjo vogëlushëve u krijon emocione negative, si zemërim, frikë, ankth, konfuzion etj. Dhe nëse prindërit dhe mësuesit nuk do të jenë të aftë për t’i menaxhuar këto situata, kjo mërzitje mund të rrezikojë që të dërgojë vogëlushët deri në dorëzim, për të mos dashur më shkollën.

Prandaj: Prindër dhe mësues, tregohuni të matur, duke i kuptuar ata, duke iu ofruar edhe më shumë dashuri dhe mbështetje, tregohuni të duruar dhe mos e krahasoni kurrë fëmijën tuaj me vëllain, motrën dhe askënd tjetër, secili është unik në këtë botë.

Tregojuni atyre se për të dalë në majën e një mali të bukur, nuk dalim dot pa kaluar nëpër gurë dhe ferra.

Krijojuni fëmijëve siguri dhe bindje se kjo udhë është më e mira, duhet të jetë më e dashura, tregohuni këmbëngulës dhe mos u dorëzoni, mos reshtni së thëni se “arsimimi është detyra më e domosdoshme në jetë, për të kthyer pasiguritë e shumta në siguri, padijen në dije dhe jetën në dashuri”!

Suksese vogëlushë, prindër, mësues-kolegë dhe çdo nxënësi në mbarë Shqipërinë dhe gjithë botën!

E fundit këshillë për prindërit: “Mos qani kur t’ia dorëzoni fëmijën prindit të dytë (mësuesit/es), shkollës! Është ndër momentet më të bukura, sepse ky moment tregon se fëmija yt po rritet, por njëkohësisht është edhe ndër momentet më të dhimbshme në jetën e prindërimit (zemra të rreh fort, lotët nuk komandohen, ndarja të duket shumë e vështirë), por e qara juaj në këtë moment për fëmijën, mund të kthehet në një pasiguri të madhe, ndoshta edhe në një traumë psikologjike. Një ndër pyetjet që femija mund t’i bëjë vetes në këtë lloj situate është “përse po qan mami/babi ndërkohë që më ka folur aq shumë gjëra të bukura për shkollën”, ose “mos vallë kjo mësuesja nuk do më trajtojë mirë mua derisa mami u largua nga unë duke qarë”?

I dashur prind, “qaj sa ta ndjejë zemra në atë moment, por pasi të jesh siguruar se fëmija juaj nuk po ju shikon.

Çdo prindi zemra i qaftë për mirë për fëmijën e tij!

Me shumë dashuri për ju

Psikologe Pranvera!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top