Përgatiti Orjona Tresa
Tinka Kurti, një nga ikonat më të mëdha të skenës dhe kinematografisë shqiptare, feston sot 92 vite jetë. E lindur më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Tinka Kurti u bë shpejt një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar për më shumë se shtatë dekada. Puna e saj përfshin shumë role në filma artistikë dhe shfaqje teatrore. Ajo është vlerësuar me medaljen “Artiste e Popullit”.
“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.”
***
Tinka Kurti, sipas materialeve arkivore, u lind në Sarajevë. Ajo është e bija e Dedë Kolë Thanit dhe gruas së tij hungareze, Elizabetës që aktorja në fëmijëri e quante Saveta. Është më e madhja nga katër fëmijët. Aktualisht jeton në Tiranë. Familja e saj u shpërngul në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç.
Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.
Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit e mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri.
Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.
Tinka Kurti është simbol i përkushtimit, talentit dhe dashurisë për teatrin dhe filmin. Karriera e saj është një histori suksesi e ndërtuar me shumë punë dhe pasion.
Ajo është cilësuar si “Nëna e madhe e skenës shqiptare”, jo vetëm për rolet që ka luajtur si figurë e nënave të forta shqiptare, por edhe për ngrohtësinë dhe sinqeritetin që ajo përcjell në interpretimet e saj. Tinka Kurti nuk është thjesht aktore, por një simbol i kulturës shqiptare, një pasuri e vërtetë që brezat e sotëm dhe të ardhshëm kanë fatin të njohin.
Edhe në moshën 92-vjeçare, ajo mbetet një frymëzim për të rinjtë dhe për artistët që duan t’i përkushtohen artit me të njëjtën dashuri dhe përkushtim.
Sot, ndërsa feston ditëlindjen e saj të 92-të, ne i urojmë Tinka Kurtit shëndet dhe jetë të gjatë, duke i shprehur mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në artin dhe shpirtin e kulturës shqiptare. Urime dhe faleminderit, Tinka Kurti!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.