Radiografi

November 2, 2018 | 10:34

Një zemër nëne si e Liljana Katirai

Jeta është një sfidë dhe ajo të fton ta sfidosh. Por që ta përballosh atë të duhet forcë dhe kurajë. Dhe si ke marrë mjaftueshëm dashurinë pa të cilën jeta është më e varfër se kaq, të duhet atë që ke ta ndash dhe tek të tjerët. Ndërsa ajo i ka të gjitha këto cilësi, forcën dhe kurajën, e ca më tepër se kaq…

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Në udhëtimin marramendës të jetës, njohim personazhe mjaftueshëm. Ndajmë me ta një pjesë të rrugëtimit tonë e me të tjerë lidhim ura bashkëpunimi. Ka nga ata që bëhen miq për kokë e ca që deri dje ishin të panjohur u zënë vendin miqësive të vjetra. Liljana Katirai është një nga femrat më të guximshme që kam njohur. Grua e fortë, këmbëngulëse, luftëtare, e bindur në kauzën e saj, që duhet mbështetur për ta çuar më tej. Por ajo është dhe një nënë që jetës i ka treguar shembullin e vet të vullnetit dhe arritjeve sfiduese.

Çdo zemër rreh fort, mban brenda dëshira pa fund, dhimbje të skajshme, por dhe shumë dashuri. Por nga të gjitha më fort rreh zemra e një nëne, sepse pikërisht në çdo goditje të saj buron ndjenjë, ngrohtësi, përkujdesje. E përshtatur ndjeshëm rreth kësaj sentence, Liljana Katirai, apo siç njihet ndryshe nënë Lili e ka ndjerë vetë dhimbjen, dhe dashurinë e madhe gjithashtu, sepse veç të tjerave ka mundur të rrisë e vetme, katër fëmijë, të cilët e kishin humbur babanë e tyre. Nuk është rasti i vetëm sigurisht, por është shumë përfaqësues për atë çfarë ajo ka bërë më pas.

Ishte fare e re, vetëm 33 vjeçe kur u gjend e vetme në rrugën e gjatë të prindërimit, e i duhej të tërhiqte pas vetes tre vajza dhe djalin e saj të vetëm. Në psikikën e saj humbja e bashkëshortit ishte e pazëvendësueshme, e përhershme dhe për më tepër konstante. Ashtu ishte atëherë. Ashtu është edhe sot, padyshim. Sepse e kishte krah mbështetës, një shtyllë ku lartohej fortesa e saj. Por më pas nuk e kishte më. Duke mbledhur veten nga trauma dhe nga fakti i trishtë ku netët e festave shoqëroheshin me tryeza të vakëta, zgjodhi të sfidonte vështirësitë. Një grep dhe shtiza ishte arma e saj më e mirë. Punonte gjithë natën, madje e gdhinte. E nisi me qëndismat e dorës, të cilat nikoqirllëkun e një tepelenase sqimatare, do t’i sillnin të ardhura për familjen.

Ajo bëhej copash, në të njëjtën kohë që fëmijët e saj ende nuk e kuptonin se çfarë ishte leku, cilat ishin të ardhurat dhe si sigurohet buka e veshmbathjet. Përballja me një sfidë të tillë e bëri Liljanën të mendonte në kokën e saj se të gjitha labirinthet, me rrugë të errëta, të spërdredhura e pa krye, e kishin një dritë në daljen e tyre. I duhej veç të ndiqte instinktin. Atë të nënës. Ndaj zgjodhi të hapë një qendër të madhe bamirësie, ku fëmijëve të saj të rritur me aq sakrifica do t’i bashkoheshin dhe plot jetimë të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit.

Kjo strehë u bë një zë i fuqishëm për përkrahjen dhe mbrojtjen e tyre, plot 450 fëmijë jetimë të këtij qarku në jug të Shqipërisë. Tanimë, për Liljanën e bërë gjyshe, ato çka mbajmë në duar mund t’i humbasim po ashtu siç i kemi fituar, ndoshta edhe më me lehtësi, por atë që mbajmë në zemër nuk mund ta humbasim kurrë! Ndaj dhe fondacionin e saj bamirës e ka pagëzuar me një emër kuptimplotë “Zemër Nëne”.

Natyrisht që për lexuesit vlen t’ia nisim kësaj bisede duke i prezantuar me ju. Kush është Liljana Katirai, apo siç ju njohin më shumë, Hane?

Përshëndetje dhe ju falënderoj që nëpërmjet jush më jepet mundësia për të komunikuar me një publik të gjerë, për të dhënë një mesazh human, i cili ka në thelb qenien më të brishtë, fëmijët. Unë jam Liljana Katirai, një qytetarë si çdo njeri tjetër, por me një mision parësor. Preferoj që lexuesit të më njohin nëpërmjet intervistës tuaj më shumë se sa të flas për veten time.

Si u gjetët para këtij misioni të madh, i cili duhet thënë, kërkon një zemër të madhe, forcë dhe guxim për të mirërritur fëmijë jetimë?

Jeta është një sfidë dhe ajo të fton ta sfidosh. Mjafton të kesh forcë dhe kurajë. Ajo është një mister ku asnjëherë nuk je i përgatitur përballë rrugëtimit të jetës. Në moshë shumë të re, unë mbeta e ve me katër fëmijë të vegjël jetimë. Kuptohet, vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha. Kam kaluar shumë vuajtje të shikoje në sytë e fëmijës lotin foshnjor dhe të mos kishe mundësi t’i ushqeje. T’i shikoje dhimbjen e shpirtit për mungesën e babait të tyre dhe ti mos mundeshe dot t’ia mbushje këtë mungesë. Në ato momente kam qenë e dorëzuar para jetës, kam mbetur pa asnjë shpresë. Shumë dyer më janë mbyllur, por ja që brenda vetes gjeta forcën e gruas dhe të nënës për të sfiduar fatin. Aty u gjenda me dëshirën, me ëndrrën e jetës për të ndërmarrë një mision të panjohur në jetën time, por më mjaftonte loti foshnjor që të digjte shpirtin. Aty vendosa të luftoj në këtë jetë, jo vetëm për fëmijët e mi, por për të gjithë fëmijët jetimë. Të kalosh dhe të provosh dhimbjen, do të thotë ta kuptosh vërtetë këtë mision.

Sa lot keni derdhur këto 20 vjet së qeni “Zemër Nëne” për 450 fëmijë pa prindër?

Historitë janë të shumta, ndryshojnë nga një familje në tjetrën. Emocionet dhe lotët e dala prej tërmeteve shpirtërore nuk mund të shprehen me fjalë dhe as nuk mund të maten. Di vetëm të them që emocionet janë të paimagjinueshme kur përballesh me vuajtjet dhe lotët e pafajshëm të fëmijëve tanë.

Si ia dilni për t’u kujdesur për strehimin e fëmijëve që nga fjetja, ushqyerja, veshmbathja?

Kjo është një tjetër pjesë e veçantë e këtij misioni human. Në këtë botë ku ne jetojmë, është e vështirë t’ia dalësh mbanë e vetme, ashtu sikurse e kam filluar unë në fillim këtë mision dhe më vonë janë afruar edhe vullnetarë të ndryshëm. Është vështirë të të hapen dyert, por ja që me këmbënguljen dhe komform ligjit u çel edhe një dritë për këta fëmijë në qarkun e Gjirokastrës. Qendra e fëmijëve jetimë “Zemër Nëne”, e cila u bë e mundur nga Kryetari i Bashkisë Gjirokastër z.Flamur Bime, një kontratë 5-vjeçare për shfrytëzimin e ambienteve të ish-konviktit të djemve. Një ambient jo i përshtatshëm direkt për këtë mision, por ekzistonte si objekt.

Me shumë mundime, kërkime, paraqitje projekti, paraqitje të së vërtetës përballë donatorëve të ndryshëm, u bë i mundur rikonstruktimi i tre zyrave, një biblioteke me të gjitha mjetet e nevojshme për t’i hapur dyert e dijes fëmijëve, dhe me rikonstruktimin e soletës, pasi ishte në gjendje të degraduar. Për të futur dhe mbajtur fëmijët aty, patjetër që duheshin bërë ndryshime për t’iu përshtatur cilësive të duhura të jetesës. Ndaj u vijua më tej me projektin e rikonstruksionit të ambienteve të mencës për fëmijët. Këtu projekti nisi të marrë jetë dhe me struktura fizike.

Cili ka qenë momenti më i vështirë i jetës në këtë mision?

Kanë kaluar plot 20 vjet që jam pjesë tashmë e këtij misioni. Mund të them fare mirë se vetë jeta ime nuk mund të ndahet nga ky mision. Me vështirësi jam përballur gjithmonë dhe me situata kritike. Kujtoj një rast që dua ta ndaj me ju. Do të organizoja eventin e fëmijëve jetimë. Kisha paraqitur projekte të ndryshme kudo, por nuk kisha marrë përgjigje. Ndërkohë kisha filluar përgatitjet dhe gjithçka ishte kundrejt pagesës. Shkalla e vështirësisë dhe stresi kishte kaluar deri aty sa në një moment u dorëzova dhe thashë: “Përse o Zot po ma bën kaq të vështirë rrugëtimin e fëmijëve jetimë, vallë a mund t’ia dal dot unë?” Sytë i kisha nga Zoti dhe me lot që pikonin nga sytë e nënës për ata fëmijë që i kanë të pakta këto ditë plot gëzim, dhurata dhe hare, ku vëmendja është vetëm për ata. Dhe mrekullia ndodhi. Në mëngjesin e të nesërmes dikush më telefonon. Ishte një zonjë, e cila ishte befasuar nga projekti dhe nga ky mision dhe më fton për të diskutuar. Duke qenë që ndihma u dha në formë bujare e fienile pa bërë bujë, unë po respektoj këtë moment mes nenash duke e falënderuar si Nëna-nënën.

Si ia dilni me strukturat tuaja të shërbimit, edukatoreve, atij mjekësor, edukativ etj?

Ashtu sikurse ju përmenda, ky është një mision human. Kemi një bord ku bëjnë pjesë shumë anëtarë të ndryshëm vullnetarisht, nga ku edhe profesionet janë të ndryshme, dhe në këtë kuadër kemi mundur të menaxhojmë gjithçka. Ka situata që dalin jashtë kontrollit, dhe do t’ju them me plot gojën që në mirëkuptim me fëmijët e mi, kemi ndarë pensionin e tyre të jetimëve dhe kemi shpëtuar fëmijët e tjerë jetimë. Dua të përmend anëtarët e bordit të cilët kanë qenë dhe janë ndër vite vullnetarë në qendrën e fëmijëve jetimë: N/Kryetar z.Asim Peta, Marjana Veneti, Ladi Bakalli, Fotini Kokeri, Britni Allteni, Suela Miço, Mikel Miço, Taulant Çela, Altin Kapa dhe Sonja Sinoruka.

Fëmijët u përkasin grupmoshave të ndryshme, si ia dilni t’i kënaqni të gjithë sipas dëshirave që ata kanë?

Grupmoshat tek ne janë nga 0-vjeç deri në moshën madhore 18-vjeç. Kuptohet që kërkesat janë të shumta, por e di çfarë është më prekësja tek ata? Sytë e tyre me lot, që dëshira e vetme është të kenë bukë dhe dashurinë e nënës. Mund të them që këto dëshira janë të përsëritura në shumicën e fëmijëve. Të vjen të qash dhe lotosh kur krahason botën e luksit me gjendjen e mjerueshme të këtyre fëmijëve. Një lodër për ata, në duart e tyre, është gjithçka që mund të kenë në dorë.

Si i organizoni ditë të ndryshme, fundjava, festa?

Sipas kushteve dhe mundësive, sepse ne çdo gjë e mundësojmë sipas donatorëve dhe ndihmave të tyre. Ne organizojmë piknikë të ndryshëm, ose fundjava të ndryshme. Unë planifikoj të trokas në dyer të ndryshme për t’u bërë atyre surprizën e shumëpritur që ata duan. Duart e tyre të vogla që të përkëdhelin, të falin gjithë botën. Nuk dëshiron asnjë gjë tjetër në këtë jetë. Pastaj, aktivitet e ndryshme i organizojmë sipas kohës dhe momentit që ndodhemi.

Si i vlerësoni talentet që ata shfaqin, si ua zhvilloni ndjesitë për të ardhmen, profesionet që duhet të ndjekin apo jetën në përgjithësi?

Fëmijët janë shumë të talentuar dhe kanë shumë dëshirë për të mësuar. Pikërisht për dijet e tyre dhe për t’i dhënë mundësinë e studimit dhe për t’i dhënë diplomën e jetës, ne kemi disa forma të ndryshme aplikimi. Kur janë në 8-vjeçare ose gjimnaz ose universitet, ne disponojmë disa vërtetime, të cilat i japin mundësinë për t’i marrë librat me gjysmë çmimi. Së dyti, në momentin që fëmijët janë ekselentë, ne bëjmë të mundur burse për të studiuar dhe mundësohen edhe nga 50 euro çdo muaj për fëmijë për t’u dhënë një shtysë tjetër për jetën. Me shumë pak ndihmë, por me shumë vullnet, ata i tregojnë botës se vlejnë shumë.

Sa të fortë ju kanë bërë këto vite?

Në fillim jam rrëzuar shumë, në mënyrë metaforike, i kam bërë gjunjët copë me gjak ngaqë lutesha dhe rrëzohesha gjatë gjithë kohës. Një grua e vetme me katër fëmijë jetimë në këtë mision, ishte e vështirë, pothuajse e pamundur. Shumë nuk besonin, më shumë dyer mbylleshin sesa hapeshin, por një forcë nga brenda, aty ku dorëzohesha, s’më linte rehat dhe shpresoja e shpresoja përsëri derisa lotët i ktheva në forcë dhe dhimbjen në hapat përpara për jetën dhe ja ku jemi sot. Nuk më tremb asgjë, sepse di vetëm diçka: po luftoj për të drejtat dhe mbroj fëmijët jetimë, qenien më të brishtë. Kjo është nëna për fëmijën. Prandaj i drejtohem gruas si qenia më e brishtë, por edhe më e hekurt: mos të dorëzohet para fatit, mos ta uli kokën, por të luftojë për të drejtat e saj dhe të fëmijëve të tyre. Kjo është forca e gruas!

I takoni fëmijët që janë rritur dhe janë larguar nga qendra?

Sigurisht, kjo është një nga kënaqësitë më të mëdha që të ofron ky mision. Ata të rritur, të pjekur, me ëndrra të mëdha dhe përpjekje të vazhdueshme për t’i realizuar. T’i shpalosin ato një e nga një, duke të treguar mirënjohje dhe dashuri që gjenden sot përballë me jetën me këmbët e tyre. Unë jam pas tyre gjithmonë dhe kurdoherë. Edhe pse të rritur, këshilla e nënës nuk është e tepërt. Është një kënaqësi të shikosh se ka vlejtur çdo mundim, lëndim, sakrificë dhe lot që kam derdhur për ta. Ata janë e ardhmja jonë, ne jemi mbështetja e tyre.

Çfarë ju bën të falni kaq shumë dashuri për këta fëmijë, të cilëve u mungojnë shumë gjëra?

Jo më bën, por e ndjej thellë si një shigjetë të ngulur në shpirt. Të ndërmarrësh një mision të tillë, sepse e ke qejf, është tjetër gjë nga t’ia fillosh një misioni të tillë, sepse ti e ke ndier plagën e jetimit, të është ngulur thika thellë në shpirt dhe jeton me dhimbjen. Ke parë lotin foshnjor të kërkojë prindin e munguar, të kërkon dhe të thërret, por t’i si mund t’ia sqarosh? Prandaj, kur e përjeton dhe e kupton, atëherë je në gjendje që të bësh gjithçka që mundesh, edhe jetën tënde ta japësh me shumë dashuri për fëmijët e tu për fëmijët jetim.

Jeni kryetare e jetimëve për të gjithë qarkun e jugut. Pse ka kaq shumë jetimë në këto zona?

Jetimi ngelet jetim pa dashur të ndodhë kjo gjë. Ka jetimë të cilët janë pa prindër fare, dhe atyre s’i është dhënë mundësia ta përqafojnë dhe duan prindin. Ka fëmijë të cilët u ka vdekur njëri nga prindërit dhe janë me prindin tjetër, sikurse ka dhe fëmijë të cilët janë braktisur nga prindërit për arsye të ndryshme dhe i rrisin gjyshërit. Nuk ka një përgjigje pse, sepse jetimë ka në çdo vend të botës. E rëndësishme është që jemi ne që falim dhe i duam shumë këta fëmijë.

Si ia keni dalë me arritjet, kush ju ka përkrahur në këtë rrugëtim plot pengesa?

Vështirësitë dhe pengesat kanë qenë dhe mund të them që janë ende të shumta. Ashtu sikurse ju thashë, shumë dyer më janë mbyllur dhe nuk më kanë ndihmuar, por ata që hapën zemrën dhe dyert e tyre për këta fëmijë, kanë qenë gjatë gjithë kohës në këtë rrugëtim, dhe unë dua të përmend me shumë mirënjohje: Agna Group, Elka Sa, znj.Najada Taçi, stilisten e njohur Enada At Nikolla, Ambasadën Suedeze, Shamet Feruni, dhe gjithashtu kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me kryetarin e Bashkisë Tepelenë, z.Tërmet Peçi. Gjithashtu, shumë e shumë të tjerë që i kam përzemër dhe janë në zemrat e fëmijëve. Një fjali më ka mbetur në mendje nga një donator, i cili ishte dhe është një baba i madh për këta fëmijë. “Kjo që bën ti është unike dhe unë nuk do ta bëja kurrë të trokisja e të lutesha për një mision të tillë, por unë ndërsa kam dhe jam i kënaqur, atëherë pse mos t’i ndihmoj këta fëmijë që nuk kanë. Ky ka qenë momenti ku z.Asim Peta ka marrë vendimin për të ndjekur hapat e një nëne për të shpëtuar shumë zemra fëmijësh jetimë. Një vullnetar dhe një baba prej vitesh në këtë mision për fëmijët jetimë.

Ju jeni një grua që keni kaluar sfida në jetë. Çfarë ju ka bërë të ecni para e të mos i ndaleni furtunave që fati na i rezervon?

Është shumë e lehtë të dorëzohesh para fatit ashtu sikurse kam menduar edhe unë në fillimet e mia, isha e papërgatitur për jetën. Por loti i fëmijëve, kërkesat e tyre jo për lodra por për bukë, dhe mungesa e dashurisë për prindin e munguar më bëri të bëja edhe rolin e nënës edhe të babit që atyre mos t’i mungonte kjo dashuri, më bëri të fortë dhimbja e tyre, ku lotët rridhnin se më dhimbte shpirti, por jo në syrin e tyre, por fshehurazi. Jeta është vërtetë e panjohur, por ne duhet të përballemi me të dhe jo t’i dorëzohemi fatit.

Ku e gjeni ekuilibrin mes vetes, fëmijëve tuaj, e këtu e kam fjalën dhe për ata që shënojnë një numër të konsiderueshëm prej 450 në qendër?

Ata dhe vetëm ata janë forca, ajri, uji, ekuilibri dhe jeta për mua.

Sa ju ndjekin 4 fëmijët tuaj në këtë mision?

Tashmë ata janë shokët dhe bashkudhëtarët e mi në këtë jetë dhe mision. Një pjesë e tyre është pranë fëmijëve të tjerë jetimë. Ata vlerësojnë çdo mundim dhe sakrificë timen. Ata vlerësojnë jo vetëm faktin që i rrita e vetme, i shkollova, i edukova dhe i mësova rrugët e jetës, por edhe faktin që mbi dhimbjen ndërrova forcë dhe futa në gjirin tim plot 450 fëmijë, të cilët janë pjesë e jetës tonë.

Cili është mesazhi juaj për 20 majin, ditën ndërkombëtare të jetimëve?

Është një ditë simbolike ku unë në këtë datë organizoj gjithmonë festën e tyre, ku nuk mungon argëtimi, humori, kënga, vallja, dhuratat dhe çmimet motivuese për ta. Sigurisht edhe për vitin e ri organizojmë koncertin e fundvitit për të gëzuar fëmijët, dhe që ata të mos ndihen të mënjanuar nga festa dhe hareja e jetës. Mesazhi im: 20 maji nuk është vetëm një datë që na kujton se ka fëmijë jetimë, por ju bëj thirrje miqtë e mi, se fëmijët jetimë janë të pranishëm gjatë të gjithë kohës me ne. Sensibilizohuni dhe bëhuni pjesë e humanizmit për ta! Jep edhe ti kontributin tënd për t’i dhënë një mundësi një fëmije për të vazhduar përpara jetën.

Kujt do t’i bënit më shumë thirrje për kategorinë e fëmijëve pa prindër?

Unë do t’ju drejtohem të gjithëve: Edhe ai fëmijë që është me një prind, edhe ai që është pa prindër fare quhet jetim. Nëse ju paraqitet mundësia, ndihmoni! Kjo është thirrja ime.

Më treguat për ambiciet e radhës. Çfarë mund të themi më shumë për lexuesit?

Mund të themi se në të ardhmen, ëndrra e shumë fëmijëve jetimë do të plotësohet për të pasur një shtëpi të tyren, për t’u shkolluar dhe edukuar si çdo fëmijë tjetër. Dua të përmend një mbështetëse, zonjë, grua dhe mbi të gjitha me vlera humane të këtij misioni: znj. Fotini Kokeri. Është një ndër bashkudhëtaret besnike të këtij misioni. Asnjëherë nuk përton, asnjëherë nuk thotë jo, por gjithmonë gjen mënyrën për të dhënë ndihmën e saj. Pikërisht, znj.Fotini dhe ndihma e saj humane është një tjetër surprizë e madhe për të ardhmen e fëmijëve jetimë, por kjo gjithnjë vlen për ta shpalosur në kohën e duhur. Gjithmonë emocionet përjetohen në momentin e duhur. Ambiciet dhe planet janë shumë të mëdha për të ardhmen e fëmijëve, por ne flasim gjithmonë me këmbë në tokë, ndaj kjo vlen t’ia lëmë kohës.

Jeta juaj është si një libër, ku çdo faqe vjen ndryshe emocionalisht. Keni menduar një të tillë autobiografik?

Çdo faqe e këtij libri ka një mesazh, ka një sensibilizim. Çdo faqe është ndryshe, por me një qëllim për fëmijët jetimë. Sigurisht që do të ketë edhe një të tillë, por kjo është pjesë e vazhdimësisë. Besoj se duhet një libër me histori njerëzish, ku të pasqyroj gjendjen reale, të mirat dhe vështirësitë e këtij misioni, i cili është një me jetën time.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top