Nga Orjona Tresa
Kur dramaturgu Ruzhdi Pulaha shkroi “Njerëz dhe fate” dhe skenari i tij u sinkronizua në serialin me të njëjtin emër nga Televizioni Publik Shqiptar, ai u prit me bujë, etje për filmografinë shqiptare. Në ekran erdhi drama e shoqërisë tonë të atyre viteve, në të parin serial televiziv prodhuar në vend. Ngjarjet e skalitura nëpër dialogje dhe aksione filmike, reflektonin atë që po kalonte familja shqiptare 10 vjet pas daljes së shoqërisë nga jeta e ndrydhur në totalitarizëm. E njëjta ndjesi ka mbetur dhe sot, sa herë e rishohim të ritransmetohet ky serial televiziv, si një dëshmi se gjurmë të tilla jo vetëm që nuk harrohen, por se përkojnë dhe me të njëjtat pavarësisht kapërcimit të 20 viteve.
Nuk mund të harrohen kurrsesi personazhe si Flori, Durimi, Drita, Era, Lola, dajë Betimi, Bosi, Didi, Xhema, Bedrija dhe plot të tjerë, që na përcollën dramën e familjeve shqiptare mes problemeve ekonomike dhe veseve të kohës. Personazhe që i dhanë zë vuajtjes së një populli, të përmbledhura në 20 seri.
Filmi shqiptar
Në Shqipëri, për fatin e mirë, sipërmarrje private, nuk e kanë lënë filmin shqiptar të mbetet peng i një kohe të shkuar prodhimi. Me gjithë vështirësitë, financiare veçanërisht, dashamirës dhe njerëz të artit kanë sjellë në produksione të ndryshme filma shumë të mirë, përfaqësues dinjitozë edhe në festivale ndërkombëtare. Janë të pafund titujt, autorët dhe aktorët, ata që e kanë mbajtur jo vetëm gjallë, por e kanë lartësuar filmin shqiptar. Dhe për këtë duhet të jemi mirënjohës, sidomos në një vend kur arti ende është i keqpaguar, apo ca më keq akoma, i nëpërkëmbet autorësia. Natyrisht që ka vend për kritika, ato bëjnë mirë, por ka vend dhe për mbështetje, sepse ato bëjnë akoma më mirë. Dhe në këtë këndvështrim na ndihmojnë të kemi prodhime kinematografike, edhe më cilësore dhe në bashkërend me kohën. Sepse arti është ushqimi më i madh shpirtëror dhe kulturor, ndaj dhe duhet mirëpaguar. Personalisht, gëzohem pamasë kur dëgjoj daljen në kinema të një filmi produksion shqiptar, apo dhe një shfaqje në teatër, që ka një tjetër magji.
“Njerëz dhe fate 2”
Më në fund, një film kaq i dashur për publikun rikthehet në vëmendje. Këtë herë pas 20 vitesh, shumë pas në kohë, me personazhe të njëjtë por dhe të rinj ndërkohë. Por, pa Durimin (Robert Ndrenika) dhe Dritën (Pavlina Manin) të cilët në pamundësi, nuk u bën dot pjesë e vazhdimësisë së këtij skenari. Edhe Lola, (Valbona Imami) nuk mundi të jetë. Dramaturgu Ruzhdi Pulaha, edhe pse në moshë, nuk rreshti së menduari për këtë vepër të tij, të cilën pati fatin t’i japë jetë pas kaq shumë vitesh. Ai e kishte shkruar në vazhdimësi, duke iu rikthyer ndoshta disa herë, sepse kërkonte zgjidhjen. Dhe bashkë me të, rrugëtimit iu bashkuan dashamirësit dhe profesionistët e artit, të cilët morën përsipër prodhimin e dytë të këtij seriali televiziv. Producentët, aktori i mirënjohur Arben Dërhemi dhe regjisorët Dionis dhe Klajdi Papadhimitri, – gjithashtu dhe në rolin e producentëve, bashkërisht, – ia dolën të xhironin seritë e reja të “Njerëz dhe fate 2”. Dhe ja ku jemi. Sot në kinematë e Tiranës më së pari, nga 1 Nëntori, filmi po shfaqet me sukses.
Filmi
Një film i mirë bazohet tek një regjisor (ose më shumë se një) i mirë. Ai është shtylla ku bëhet i zbatueshëm skenari, ku figurohen personazhet, ku zbërthehet muzika që i përshtatet si kolonë zanore dhe ku finalizohet bashkëpunimi për prodhimin filmik. “Njerëz dhe fate 2” e pati këtë fat, duke na mbërthyer para ekranit të kinemasë për mënyrën se si ishte organizuar, madje disa i la pa fjalë për gjetjen apo zgjidhjen që u kishte dhënë disa personazheve. Figura të reja në role qendrore, disa të tjera nxjerrë në hije. Një film në fakt me pjesëmarrje të gjerë aktorësh, secili në vendin dhe me peshën e duhur, sikundër skenaristi dhe regjisorët kishin zgjedhur t’i jepnin formë. Spikatnin kasta e vjetër, Viktor Zhusti (Profesori), Arben Dërhemi (Flori), Alfred Trebicka (dajë Betimi, prokuror), Mehdi Malkaj (Xhema), Natasha Sela (Bedrija), Artur Gorishti (Besmiri), Neritan Liçaj (Taku), Eni Jani (Era), Gentian Zenelaj (Toni), Gent Hazizi (polici), Ervin Bejleri (ministri), Rovena Dilo (agjente), Behar Mera (peshorja) si dhe aktorë të rinj nën petkun e personazhe po të rinj si Nevina Shtylla (ndihmësmjeke), Enisa Hysa (Vesa), Françeska Jaçe (vajza me motor), Hilda Kërtalli (Ana) etj,.
Unë e pashë filmin. Më pëlqeu, me gjithë defektet e vogla që mund t’i ketë rënë në sy dikujt. Kjo është mëse normale të ndodhë. Por, më lejoni t’ju them, që përshtypjet krijohen kur e shikoni vetë filmin, dhe natyrisht ato janë relative sipas këndvështrimit të gjithsecilit. Ai meriton të shihet, aty në ekranin e madh të kinemasë, për të ndarë emocione ndryshe. Në pritje të rikthimit dhe në ekranin e vogël, ku producetët kanë zgjedhur ta sjellin ashtu si dikur me seri, edhe më të plotë për publikun e gjerë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.