Në jetën e përditshme, të gjithë hasim njerëz që duken gjithmonë të tensionuar, kritikues, apo edhe agresivë pa ndonjë arsye të dukshme. Një koment thumbues, një ton i ngritur, një reagim i ekzagjeruar, të gjitha këto mund të na prekin, të na lëndojnë, e të na bëjnë të ndiejmë se jemi ne problemi. Por, e vërteta është se shumë nga këto sjellje nuk kanë të bëjnë fare me ne.
Konflikti i jashtëm është pasqyrim i konfliktit të brendshëm
Nga këndvështrimi psikologjik, sjellja konfliktuale është shpesh rezultat i tensioneve të brendshme të pashprehura. Një njeri që është në paqe me veten, rrallëherë ka nevojë të sulmojë të tjerët. Por një njeri që ndien pasiguri, turp, zili apo boshllëk, shpesh nuk e di se si t’i përpunojë këto ndjesi, dhe ato derdhen jashtë, në mënyra të dhimbshme për të tjerët. Ky është një mekanizëm psikologjik mbrojtës: më mirë të projeksionoj (fajësoj) të tjerët sesa të përballem me ndjenjat e mia të papërpunuara. Në këtë kuptim, një sjellje agresive apo e padurueshme është një alarm i brendshëm që po bie, jo për ne, por për ta.
Nuk është personale, edhe kur duket shumë personale
Reagimi ynë i parë është shpesh mbrojtës: “Pse po më flet kështu?”, “Çfarë kam bërë?” Por mbajtja mend e këtij parimi të thjeshtë, nuk është personale, është një strategji mbijetese psikologjike. Na ndihmon të ruajmë qetësinë, të mos përfshihemi në dramën e tjetrit dhe, mbi të gjitha, të mos e absorbojmë dhimbjen që nuk na përket.
Kur një person është në luftë me veten, ai kërkon instinktivisht një “armik” të jashtëm për t’ia hedhur dhimbjen. E nëse je aty, mund të bëhesh viktimë e kësaj projeksioni. Por sapo ta kuptosh këtë dinamikë, e gjithë loja ndryshon. Nuk ka më nevojë të mbrohemi me të njëjtën agresivitet; mund të largohemi, të vendosim kufij ose thjesht të mos e marrim me zemër.
Kufijtë emocionalë: mburoja që na mbron pa na shndërruar në të ngjashëm
Psikologët e quajnë inteligjencë emocionale aftësinë për të dalluar se çfarë është e imja dhe çfarë është e tjetrit. Një person me inteligjencë të zhvilluar emocionale nuk i internalizon emocionet e huaja, por i njeh ato për çfarë janë: një shprehje e brendshme, jo një gjykim objektiv mbi vlerën tonë personale. Vendosja e kufijve është esenciale: “Nuk e pranoj të më flitet kështu”, “Do të largohem nga ky bisedim”, “Kjo mënyrë komunikimi nuk është e shëndetshme për mua.” Kjo nuk është as agresion, as egoizëm – është vetëmbrojtje e vetëdijshme.
Dhe në fund: keqardhje, jo urrejtje
Nëse e sheh sjelljen konfliktuale si një shenjë e dhimbjes së brendshme, nuk ndihesh më aq i zemëruar ndaj personit tjetër. Në vend të urrejtjes, mund të ndjesh keqardhje. Jo në kuptimin e mëshirës përçmuese, por si një lloj mirëkuptimi njerëzor: “Ky njeri po vuan. Po lufton një betejë që ndoshta s’e kupton vetë plotësisht.”
Kjo qasje nuk të bën të dobët, por të lirë. Sepse nuk je më peng i reaksioneve të tjetrit, je një njeri që e kupton se dhimbja e të tjerëve nuk duhet të bëhet plagë në shpirtin tënd.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.