Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë. Sami Frashëri
Në komunitetin intelektual, por edhe në mjaft qytetarë që ndjekin me interes zhvillimet shoqërore dhe ato sociale, ka shpërthyer një debat sociologjik për natyrën e njeriut të emancipuar në raport me shoqërinë moderne që synon të ndërtohet në hapësirat e shtetit demokratik. Në këtë këndvështrim edhe unë kam mendimet e mija modeste si intelektual, por dhe si hulumtues i kësaj fushe.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S. Larti
Çështja që ndeshemi në shoqërinë tonë, janë sa kontradiktore dhe të larmishme, duke pasur prezent dy komponentë si:
Qenia e njeriut të lirë
Ndikimi i rregullave sociale
Ky debat sot, zhvillohet edhe nëpër shkolla, institucione, ambjente shoqërore e deri në mjaf familje, duke u shfaqur fuqishëm nëpërmjet zgjidhjes sënjë dileme të madhe shoqërore e cila kushtëzohet natyrshëm nga pyetja: A mund të adaptohet jeta individuale me rregullat sociale? Sigurisht, kjo pyetje ekzistenciale për “njeriun e lirë”, që jeton në liri, në një farë mënyre me “frena të liruara”, jashtë realitetit dhe koncepteve të vjetra detyruese apo imponuese, ndonse e vështirë është mjaft e prirur të adaptohet apo përshtatet.
Teprimi me lirinë dhe të drejtat e njeriut, perceptimi anarshist banal dhe brutal i tyre, është pamja më e rëndomtë që ndeshet në jetën e përditëshme, por gjithsesi dhe kjo dukuri ka tendenca të zvonohet ditë pas dite dhe muaj pas muaji.
Në këtë këndvështrim, duket qartë që, niveli i qytetërimit tonë ka probleme të ndjeshme me veten e vet dhe me sa duket është ende larg fazës së pjekurisë morale dhe asaj sociale. Në këtë këndvështrim njeriu i qytetëruar, është në gjendje që në mënyrë të vetëdijshme dhe pa u imponuar nga jashtë, të dallojë “kufijtë e lirisë” dhe raportet moderne midis lirisë individuale dhe asaj sociale. Pra shkurt, raportin e lirisë me rregullat e shoqërisë, në një farë mënyre, përbëjnë “moralin e saj”.
Edhe se ka vdekur përfundimisht doktrina e moralit klasor e ne mënyrë kolektive, të cilat diktoheshin nga jashtë, duke i kthyer njerëzit në “turmë”, pa zë e kundërshtime,ku hija e saj shfaqet te disa individë të veçantë. Në tërësi, lidhur me këtë, ka një distancim real duke u shoqëruar me mjaft përpjekje të vazhdueshme dhe efektive, me theksin për tu harruar sa më shpejt te cila janë zëvendësuar me një moral të ri. Pra, me Etikën bashkëkohore perëndimore të marrjes së qëndrimeve të drejta, standardeve të sjelljes qytetare dhe komunikimin human, për të ndërtuar marrëdhënie normale midis njerëzve me njeri-tjetrin dhe më kryesorja midis individit me shoqërinë.
Pikërisht, kjo tërësi normash që shoqëria jonë po pranon, duke i ndërthurur me përvojat më të mira të qytetërimeve perëndimore, përbëjnë moralin (etikën) e saj ballafaquese, për të zgjidhur dilemat e jetës ne menyren sa më drejte, midis të vërtetës dhe të pa vërtetës, të dëshirueshmes nga e padëshirueshmja, të vërtetës nga e pavërteta e tej. Pra, këtu i jepet fund moralit të frikës, imponimit dhe sjelljeve të standardizuara siç do “X-i”, apo “Y-i”.
Në shoqërinë tonë demokratike të qytetërimit modern, çdo anëtar i shoqërisë tonë, ka gjetur rrugën reformiste natyrore, ku njerëzit me liritë e tyre të pacenuar dhe nga ana tjetër, pranimi dhe aplikimi normave Etike me vizione perëndimore.
Pikërisht, ky “ekuacion”, midis lirisë së individit dhe normave Etike të shoqërisë edhe se ka një zhvillim të pranueshëm, ka ende mangësi sepse, në disa raste ajo vonohet shumë, pra, nuk funksionon “mekanizmi vetërregullues” i shoqërisë. Ndaj dhe kemi shfaqje të padëshirueshme që stonojnë për atë çka aspirojmë e dëshirojmë si, shfaqet e dhunës, rrugaçërisë dhe sjelljeve brutale të cilat zbejnë normat Etike të një shoqërie që përqafoi dhe po thellohet çdo ditë pa hezitim në demokratizimin e plotë të saj, sa vetëfunksionale dhe humane.
Gjithsesi, në të vërtetë, koha e demokracisë na ka bindur për një të vërtetë me të cilën ne po mësohemi dhe përshtatemi gjithnjë e më mirë, si individë apo dhe si anëtarë të kësaj shoqërie, sepse duke njohur dhe zbatuar rregullat dhe kërkesat e shtetit demokratik, atij ligjor dhe të së drejtës, ne i shërbejmë vetvetes, familjes dhe shoqërisë.
Është vetë shoqëria demokratike ajo, që lejon hapësirat që njeriu të zbulojë thelbin e tij, të vërtetën në liri të plotë, pra duke qenë në çdo rast “vetvetja”.
Në këtë kontekst edhe se ka ndo një shfaqe ku persona të veçantë e kanë të vështirë të mësohen me “sjelljet e hapura”,të njeriut të vërtetë e me identitet,në tërësi ka filluar të mendohet dhe kuptohet drejt. Po gjithsesi, ecja në rrugën e pakthyeshme të kësaj shoqërie pavarësisht pozicionit që ata kanë, janë shumë pak dhe nuk mund të bëhen pengesë. Sigurisht, që në kushtet e lirisë të cilën e garanton shoqëria demokratike, ku secili ka shanset e njohjes dhe aplikimit të normave Etike, ku çdo njeri ka mundësinë dhe dritën jeshile që të shfaqet si një qenie e vërtetë, humane, pra si një “qenie e tërë”, apo e kompletuar.
Në betejën e qytetërimit të sotëm është e hapur lufta për të ndihmuar dhe ndikuar mbi njeriun modern që të realizojë në kushtet e shoqërisë së hapur dhe të lirë, sjellje të standardizuara midis synimeve personale të jetës dhe shoqërisë së tij, pra duke qenë në të njëjtën kohë në harmoni sociale me veten dhe me rregullat e natyrshme të shoqërisë.
Kjo sintoni e vështirë për t’u realizuar midis jetës dhe shpirtit, trupit dhe mendjes, dëshirave personale dhe rregullave sociale është thelbi i asaj që kërkohet në shoqërinë tonë të re.
Kjo do të thotë se, struktura sociale (familja, shkolla, kisha, xhamia, teqeja, komuniteti, shoqëria në tërësi e tej.), që merren me edukimin e njeriut, duhet të punojnë më shumë për të realizuar “dy sintonitë” e domosdoshme të njeriut.
Së pari, është puna për të sinkronizuar brenda qenies së tij një raport të drejtë midis lirisë dhe përgjegjësisë, midis dëshirave personale dhe mundësitë që të jep shoqëria (sintonia e parë e qenies brenda vetes).
Së dyti, nga ana tjetër, është angazhimi për sinkronizimin e qenies së njeriut të përveçëm, me synimet, dëshirat dhe aspiratat e veta mendore, shpirtërore dhe trupore si dhe me rregullat sociale (kjo quhet dhe sintonia e madhe ose sintonia e dytë).
Nëse shoqëria jonë, shfaqet sot me probleme të sjelljes individuale, me shfaqje të natyrave nga më të ndryshmet të sjelljes së njeriut në shoqëri sipas mendimit tim, shkaku kryesor është se, në strukturat socioedukative që përmenda më lart, ka një mungesë të sinkronizimit të këtyre dy sintonive që e bëjnë njeriun të tillë në raport me veten dhe dëshirat e tij, sigurisht dhe me shoqërinë dhe rregullat e saj. Në një farë kuptimi, kjo situatë në të cilën gjendemi, na vë para detyrës që të rregullojmë “sintonizimin e madh”, pra, të harmonizojmë të dy sintonitë e veçanta, të çdo njeriu në jetën e tij, sepse, jemi duke vuajtur gjatë pasojat e mosfunksionimit të këtyre sintonive “individuale” dhe “sociale”, për shkak të konceptimit, interpretimit dhe implementimit të çekuilibruar të këtij raporti, që në një shoqëri kjo të jetë normale, duhet të funksionojë me pa tjetër në sinkron.
Në shoqërinë shqiptare, duhet kapur dhe evidentuar, se në disa raste ka një prirje të theksuar të deformimit të këtij raporti ekzistencial midis sinkronizimit të njeriut, sëpari me veten e tij dhe sëdyti, të vetë njeriut në mënyrë të natyrshme me shoqërinë.
Pa këto sintoni të sinkronizuara, do të jetë e vështirë që të plotësojmë parametrat demokratikë të një shoqërie moderne. Pa këtë mekanizëm, është e vështirë funksionimi normal i jetës dhe marrëdhënieve sociale në shoqërinë shqiptare, të cilat sot, janë një nga shqetësimet e mëdha të kohës sonë, që ndihen mjaft të forta, në familje, në shkollë, komunitet e deri në sjelljet private dhe publike.
Njerëzit e shquar janë të vendosur që, pavarësisht nga luhatjet dhe zigzaget e sjelljes dhe deviacioneve të shumta të njeriut, duhet domosdoshmërish të punohet për zgjerimin gjithnjë e më shumë të hapësirës së lirë nga kondicionimi social, duke zgjeruar lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e tij, të pa varura nga shoqëria si dhe nga normat dhe kufijtë e kondicionuar të moralit të saj. Pavarësia e njeriut ose njeriu i vërtetë që është jashtë roleve sociale, jashtë determinimeve sociale, bëhet i vështirë ose siç thonë sociologët modern “njeriu i pangarë”.
Pikërisht ky është ai tipar i veçantë që është i papërsëritshëm te çdo njeri dhe që e bën atë të dallueshëm nga të tjerët. Në këtë pikë, njeriu është vetja, jashtë kondicionit shoqëror, jashtë pozicionit social të dertiminuar, për të qenë një qenie që të luajë role sociale (qenie roleluajtëse).
Ky, është një nga zbulimet më të mëdha të sociologut të shquar gjerman bashkëkohor Ralf Dahrendorf, i cili nënvizon se, te njeriu si qenie, janë të sintetizuar nëntë karaktere me natyrë sociale si:
Çështja kombëtare
Angazhimi shtetëror
Ana shoqërore
Nivelin profesional dhe vlerat intelektuale
Shtrirja gjeografike
Respektimi gjinor
Ndërgjegjshmëria
Pandërgjegjshmëria me të tjerët
Vlerat private apo individuale
Në këtë kontekst të hapësirës së krijuar, karakteri i dhjetë, që nuk ka të bëjë me njeriun si qenie, i cili është i detyruar të luajë role sociale, pikërisht këtu qëndron thelbi i lirisë së vërtetë, i zhveshur nga ambalazhet e dogmatizmit dhe të mashtrimit restriktiv.
Gjithnjë ka qenë në debat çështja e raportit të njeriut me ligjshmërinë, ku njeriu sociologjik përbën thelbin e njeriut të vërtetë.
Në këtë aspekt shfaqen dy pozicione të skajshme të sociologjisë. Njëra që e konsideron njeriun “agregat rolesh”, pra, duke e vlerësuar këtë tipar si thelbin e vetëm të njeriut. Nga ana tjetër kritikët e sociologjisë moderne, janë kundër tentativave sunduese të derteminizimit sociologjik të njeriut, si qenie ku i cili, “duhet të luajë vetëm role sociale të caktuara”.
Një shqiptar vlerësohet si:
Shqiptar
Prind
Profesionist
Bashkëqytetar
Fqinj
Koleg
Epror
Vartës e tej.
Këtë raport duel të njeriut, këtë kontradiktë midis roleve sociale dhe thelbit biologjik, te njeriu si “qenie në vetvete dhe derteminimit shoqëror” e ka fillesën që në kohën e vet të filozofit të ndritur të iluminizmit, Kantit, i cili e ka konsideruar këtë raport si “antinominë e përgjithshëm”.
Në të vërtetë edhe pas shekujsh debatesh, problemi i raportit të njeriut me shoqërinë; i të drejtës së tij për të qenë i lirë, si dhe i të qenit njëherësh dhe një “qenie sociale”, është problem i madh, jo vetëm për sociologjinë dhe psikologjinë, por për të gjitha shkencat e tjera humane.
Nuk është rastësi që në ditët tona, problemi i debatit po rishfaqet në sociologji, psikologji, me të njëjtin intensitet të përmbajtjes, madje dhe të terminologji të fushës së filozofisë. Kjo tregon se, sa thelbësore është kjo çështje e raportit të njeriut sociologjik me njeriun e vërtetë, të lirë nga kondicionimet e tepërta të ndërhyrjes deformative të shoqërisë.
Edhe sot, në debat kur flitet për këto dy pamje të njeriut, si qenie sociale dhe si njeri i papërsëritshëm, përdoren dy terma të vjetër që nga “Koha e Kantit”, duke përdorur termat, “Njeri i Tokës” dhe “Njeri i Vendit”.
Në shoqërinë moderne, njeriu zotëron një “karakter të lirë të paprekur”. Këtu ai, është jashtë detyrimeve shoqërore, është vetja dhe shfaq integritet. Por çështja është se, askush nuk ka guxuar të mohojë këtë “natyrë të dyfishtë”, të njeriut që është sa qenie sociale dhe njeri i papërsëritshëm, i cili është i detyruar të luajë role si:
Shqiptar
Profesionist
Baba
Bashkëshort
Bashkëqytetar
Fetar
E plot role të tjera
Pra, në thelb ky njeri është një qenie e papërsëritshme me të tjerët.
Në fund të fundit, problem është gjetja e ekuilibrit midis dy pamjeve të njeriut, si qenie sociale, por dhe me identitet të veçantë, si qenie e lirë por dhe e moralshme një kohësisht.
Ky është thelbi i debatit, këtu është konfuzioni teorik, sociologjik, psikologjik, por edhe empirik. Në të vërtetë, idetë liberale që mbivlerësojnë forcën personale dhe guximin krijues dhe realizues të individit abstrakt, kanë qenë ide, të cilat kanë sjellë optimizmin social dhe thyerje të tabuve të vjetra morale, sociale, për këputje me forcë të hallkave penguese të traditës, të konvencioneve të vjetra të moralit dhe familjes së vjetër e tej.
Parulla udhëheqëse e liberalizmit ka qenë dhe është: “E vërteta, drejtësia dhe lumturia gjenden vetëm te njeriu”.
Këto ide, kanë sjellë ndryshim dhe tronditje të forta të konceptit të marrëdhënieve sociale të njeriut. Duke ju larguar gjithnjë e më shumë ndjenjës së vjetër të bashkësisë, që shoqëria fillon të shikojë dhe të vlerësojë më shumë të veçantën e njeriut konkret, si një qenie e pavarur në kuptimin metafizik, jashtë lidhjeve të vjetra sociale.
Por pa dyshim, çdo gjë e trajtuar dhe e zmadhuar mbi realitetin konkret ka nevojë të rishikohet. Por sigurisht, pa luajtur nga aksi i nevojës prioritare të vlerësimit të njeriut si qenie e pavarur e lirë dhe e vetëmjaftueshme. Kjo edhe s`mund të pranohet, por sidoqoftë, ka një realitet sepse, njerëzit nuk janë numra të thjeshtë dhe pa lidhje midis tyre!
Koha po vërteton që njerëzit, duke qenë abstrakt kanë krijuar lidhje të ndryshme midis tyre, madje lidhja vazhdimisht zgjerohet. Çlirimi i njeriut modern bashkëkohor nga lidhjet e vërteta detyruese është proces i madh emancipues, por ekzistenca e lirisë nuk mund të përfytyrohet pa lodhjet e reja sociale të natyrshme. Në këtë rast, asnjëherë problemi nuk vlerësohet, për faktin se, liria individuale e njeriut nuk mund të realizohet jashtë lidhjeve të tija sociale të natyrshme. Shoqëria moderne, ka krijuar kushte dhe instrumenta të realizimit normal të raportit, midis sigurisë individuale, lodhjes sociale dhe normave kulturore. Por gjithsesi, në jetën moderne të njeriut ndeshet tendenca e “Reagimit obsesiv” (impulsiv ose imazh i vazhdueshmërisë), që e bëjnë të pakënaqur sepse ato janë shqetësuese.
Njeriu që jeton i izoluar dhe i shkëputur nga shoqëria, është i detyruar të kthehet te vetja e tij. Ai, i largohet detyrës shoqërore, mbyllet në vetvete dhe në problematikën obsesive personale, pra, në botën e përjetimit të vetmisë, paaftësisë dhe pavlefshmërisë.
Shoqëria modern me kërkesën e saj të domosdoshme të përshtatjes e bën njeriun në disa raste që të humbasë besimin dhe sigurinë e jetës së vet. Individi i vetmuar dhe i margjinalizuar nga shoqëria i zhytur në botën e pavlefshmërisë dhe të skepticizmit personal, ndihet në boshllëk social, jo i qetë dhe i pa sigurtndaj çdo gjëje që e rrethon.
Pra, në këto kushte, siç cilësojnë sociologët, ekzistenca personale dhe solidariteti shoqëror, janë bërë lidhje monetare. Në këtë sens, njeriu bëhet i brishtë dhe ka nevojë për mbështetje.
Njeriu modern në këtë botë, është i rrethuar, nga shumë forca ndikuese, të cilat ai nuk mund t`i mbajë të gjitha nën kontroll dhe ato, sa vijnë dhe shtrihen më gjerë, ku për pasojë futin te njeriu ndjenjën e pesimizmit dhe dëshpërimit personal.
Individualizimi i jetës shoqërore, konceptimi disi anarkist i lirive dhe të drejtave të njeriut janë tashmë shqetësim social në mënyrë mjaft të dukshme dhe mjaft të matshme në shoqërinë tonë, të cilat i godet dhe i ndëshkon, si ligjërisht dhe moralisht.
Individualizimi i shoqërisë është një dukuri sociale globale me prirje sociologjike universal, ndaj dhe individi brenda shoqërisë sonë është mese i përfshirë në qëndrimet dhe sjelljet e tija morale.
Në kushtet e një shoqërie demokratike, që gjithnjë e më tepër ecën në rrugën e “liberalizimit”, të marrëdhënieve të saj me individin, nëpërmjet zgjerimit të pa ndërprerë të hapësirave për vendimmarrje të lira dhe të pavarura, ky individ duhet të gjejë vetveten.
Në një shoqëri demokratike që ka prirje liberale, çështja e raportit të njeriut me moralin, shoqërinë dhe strukturat e saj, është çështje sociale, por më shumë individuale.
Ku vihet re kjo?
Në mënyrën se si individi e koncepton, ndërton dhe e konsumon jetën e tij, nuk është më aq shumë çështje sociale, por individuale. Kjo është një nga të drejtat, në mos më kryesoret, që vërteton ekzistencën e lirisë, të demokracisë liberale dhe të ekonomisë së tregut.
Në një shoqëri demokratike, çështja e raportit të individit me, politikën, ekonominë dhe rregullat morale, është një çështje në të cilën secili prej nesh shfaqet “sovran” i lirë, jashtë çdo kondicioni dhe “normë”, sociale.
Në këtë aspekt nuk duhet të harrojmë se, liria e zgjedhjes është tagri i parë i qytetërimit dhe i qytetarisë. Bashkë me këtë edhe e drejta e tij, për të pasur sjellje morale të veçantë, për të pasur martesë apo për të mbetur beqar për të ndërtuar familje, apo për të mbetur jashtë strukturës së saj, për të qenë i lirë, s`bën gjë tjetër, veçse sjell, parapëlqim.
Të gjitha këto të drejta, tashmë janë universale, të garantuara dhe të përcaktuara në çdo shoqëri që është e formatizuar mbi principin e “demokracisë liberale” e cila garanton “sigurinë morale”, të shoqërisë ku, në qendër të saj, është vënë njeriu i lirë i respektuar për individualitetin e tij, mendimin ndryshe, daljen për tej vetes. Sigurisht duke pasur në qendër të vëmendjes, si teorikisht dhe praktikisht, zbatimin e rregullsisë se, liria e një personi, shkon deri atje, sa të mos prekë lirinë e tjetrit.
Njeriu si qenie karakterizohet prej te qenit i lirë. Kanti
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.