Të qenit femër aktive është mënyra më e mirë për ta ndjerë veten të plotësuar. Realizimi i detyrave, qoftë bashkëshortore, familjare dhe të profesionit, ka të bëjë me atë se sa mundesh t’i ndjekësh paralelisht për t’i bërë të gjitha mirë. Nora Klosi nuk do ta zhvendoste vëmendjen për t’i dhënë më shumë rëndësi njërës prej tyre. Pavarësisht pozicionit të saj, si gruaja e një deputeti me të ardhura të mira, apo nënë me dy fëmijë të vegjël, karriera zë një vend po kaq të rëndësishëm. Në kufijtë e së lejueshmes, një nënë e re si ajo përpiqet të mos ia mohojë vetes ndjesinë që i fal puna dhe assesi të krijojë varësi ekonomike prej partnerit. Për Norën, secili duhet të ndjekë karrierën e vet profesionale e të përmbushë interesat e përbashkët që lidhen shëndetshëm me familjen. “Çdo fazë e jetës ka vështirësitë, njëherësh edhe bukurinë e saj. Aktualisht jam e angazhuar me rritjen e vajzës, por puna është ajo që e mban gjallë njeriun dhe i jep stimuj për të ecur përpara. Absolutisht nuk do të hiqja dorë nga karriera nëse financat do të m’i siguronte bashkëshorti. Kam mbi tetë vjet që punoj në TV Klan dhe në këmbim kam marrë shumë kënaqësi. Ndihem më shumë se e realizuar dhe besoj brenda pak muajve do t’i rikthehem”. Dhe orientimi i saj vjen po kaq pozitiv, duke frymëzuar dhe atë target femrash që lënë mënjanë gjithçka vetëm për t’iu përkushtuar rritjes së fëmijëve dhe detyrave shtëpiake. Për Nora Klosin, “puna të mban gjallë. Përpara lindjes së Aronit punoja nga mëngjesi në darkë. Dëshira për punën më shtynin drejt ideve të reja, organizimeve dhe koordinimeve të detajuara në spektakle apo emisione që realizoja si drejtoreshë ekzekutive e tyre. Por edhe shkëputja nga pak duhet, në fazat e para të jetës së fëmijëve apo ndonjë detyrim spontan. Ama, produktiviteti në profesion është ai që të përmbush, ndaj shumë femra, të paktën në kohët që flasim, duhet të jenë më vlerësuese karshi vetes”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr 65
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.