Mirëqenie

March 8, 2016 | 11:02

Pse puna është e rëndësishme për një grua?

elonaNevoja për të punuar shkon përtej të mirave materiale që puna mund t’u ofrojë njerëzve. Si në shumë situata, edhe zgjedhja për të punuar ka avantazhet dhe dizavantazhet e veta, sidomos kur bëhet fjalë për subjektin femër, e cila në disa stade te veçanta të jetës e ka më të vështirë të heqë dorë nga disa përparësi familjare për arsye të profesionit, punës dhe mundësisë për të bërë karrierë jashtë mureve të shtëpisë. Rritja e fëmijëve dhe angazhimet familjare janë përparësia kryesore për femrën, e cila vendos të krijojë një familje, por është vetëm çështje kohe dhe mbi këtë logjikë duhet të mbështesim angazhimin profesional si burim mirëqenie për çdo grua.

Puna kontribuon në nxitjen e vetëvlerësimit dhe në shëndetin emocional tek femrat – Dhënia e kontributit profesional me të gjithë potencialin dhe energjinë e brendshme, i bën femrat më të vetëdijshme për aftësitë e tyre duke i nxitur edhe më shumë vlerësimin për veten. Qëndrimi në shtëpi dhe të shohësh të tjerët teksa punojnë në një ditë të mbushur plot me angazhime, ju bën të ndiheni bosh dhe e pavlerë.

Pavarësia ekonomike – Puna na ofron pavarësinë ekonomike, duke siguruar të ardhura personale që, sigurisht, janë një kontribut i drejtpërdrejtë për familjen, por së pari për veten. Pavarësia ekonomike është ajo që shënon e para barazinë mes partnerëve dhe i jep më shumë kuptim marrëdhënies. Vlerësimi për njëri-tjetrin është reciprok, pavarësisht të ardhurave që mund të sjellë secili nga partnerët. Pavarësia financiare i ndihmon femrat:

1- Të marrin vendime pa u kushtëzuar për t’u marrë leje të tjerëve

2- Të kontribuojnë financiarisht për familjen, shoqërinë dhe ekonominë

3- Të nxisin fëmijët për t’u edukuar me punën

4- Të ndjekin ëndrrat dhe projektet e tyre (Ëndrrat janë pjesë e mendimeve të njerëzve, por për aq kohë sa mungojnë paratë mjaftohemi me ato që kemi dhe nuk përparojmë. Gratë që punojnë, kanë mundësi të ndjekin ëndrrat dhe t’i bëjnë realitet ato)

Zhvillojnë ndjenjën e përmbushjes – Krahas rolit si bashkëshorte e nënë, edhe kur mundësitë ekonomike janë të mjaftueshme nga puna e bashkëshortit, një grua që punon ndihet më e përmbushur dhe e kompletuar në të gjitha rolet që ajo mbart, si grua, nënë, femër, shoqe, mike etj. Puna është një aspekt shumë i rëndësishëm për të fuqizuar marrëdhëniet njerëzore. Qoftë në takime të thjeshta mes miqsh, në ambientin e punës, por edhe në marrëdhëniet më të ngushta dhe më intime. Bisedat rreth punës me partnerin ju mundësojnë një komunikim më të gjallë, jashtë kornizave familjare, për të njohur më mirë njëritjetrin në aspekte të ndryshme.

Nënat që punojnë, model për fëmijët – Një element i rëndësishëm i nënave që ushtrojnë një karrierë profesionale është dhe roli i shërbyer si model për fëmijët e tyre. Kur ata rriten në ritmin e punëve të prindërve, ka shumë mundësi që të zhvillojnë një etikë personale për punën. Kështu, fëmijët mësojnë vlerën për punën, të parasë dhe të konsumit në familje. Në këtë mënyrë, kur të dy prindërit punojnë, fëmijët shohin ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë të barabartë mes njëri-tjetrit.

Meshkujt vlerësojnë femrat që punojnë –

Kohët e fundit dëgjojmë të flitet për “frikën” e meshkujve ndaj femrave të pushtetshme dhe në karrierë. Barazia gjinore po synohet gjithnjë e më shumë dhe femrat po përpiqen të kenë role të merituara si në vendin e punës, në shtëpi, në marrëdhënie me partnerin etj. Në fakt, meshkujt janë më të tërhequr nga femrat ambicioze dhe të palodhura. Marrëdhënia në çift bëhet akoma më intriguese kur partnerja ka pavarësinë e saj, pavarësi të cilën ta mundëson puna. Roli i gruas edhe në vendin e punës, e pranishme në një rrjet të gjerë social, e bën atë edhe më të fuqishme në sytë e partnerit.

Puna dhe jeta sociale – Dinamika e jetës jashtë mureve të shtëpisë pa dyshim që nuk i ngjan dinamikës së jetës në ditë të ngarkuara me rritjen e fëmijëve, me punët e shtëpisë etj. Falë punës, gratë ndihen më të përmbushura dhe më sociale. Puna u jep atyre mundësinë për të zgjeruar miqësitë, njohjet dhe praninë në aktivitete të ndryshme jashtë ambientit të punës. Puna na ofron mundësi të pafundme për t’u përditësuar me të rejat në shumë fusha të jetës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top