Dëshmi

April 11, 2023 | 9:05

Nuk e ftuan në festë për shkak të Sindromës Down, nëna prek me letrën e saj: Të kesh Sindromën Down nuk do të thotë se nuk dëshiron të kesh shokë

Përshëndetje

Unë e di që ne nuk njihemi mirë, por djali im Sawyer dhe fëmija juaj janë në të njëjtën klasë. Kam marrë vesh se fëmija juaj së fundmi i ka dërguar ftesa ditëlindjeje të gjithë klasës, përveç Sawyer-it, i cili nuk ishte i ftuar. Gjithashtu kuptoj që kjo nuk ishte një çështje neglizhence nga ana juaj; përjashtimi i djalit tim ishte krejtësisht i qëllimshëm.

Dua që ta dini se ne nuk pretendojmë të ftohemi në çdo festë. Në fakt, Sawyer festoi ditëlindjen e tij vitin që shkoi, dhe ne ftuam vetëm disa miq të afërt sepse donim një festë të vogël, duke qenë se ishte pak pas festës së Krishtlindjeve. Por në rastin tuaj, nuk ishte për të njëjtën arsye. Në fakt, ju keni ftuar të 22 fëmijët e tjerë të klasës, përveç djalit tim. E di që nuk është për shkak se im bir është i keq, pasi ai është fëmija më i lumtur që mund të njohësh. E di që nuk është për shkak se im bir nuk ka humor, pasi ai ka një sens të atillë humori që të shkrin gazit. E di që nuk është sepse djali im dhe fëmija juaj nuk shkojnë mirë, pasi e kam dëgjuar që ia përmend shumë shpesh emrin. E vetmja arsye që juve ju duk e arsyeshme të mos e ftonit djalit tim në ditëlindjen e fëmijës suaj, është sepse im bir ka Sindromën Down.

Më vjen keq që ju nuk jeni të informuar, e ndoshta keni frikë, ose jeni të paqartë për atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down. E di se, nëse do të dinit më shumë për Sindromën Down, nuk do ta kishit marrë këtë vendim. Nuk jam e inatosur me ju. Më shumë e shikoj si një mundësi, që ju ta njihni më mirë djalin tim. Që ta dini, të kesh Sindromën Down nuk do të thotë se nuk dëshiron të kesh shokë. Nuk do të thotë se nuk ke ndjenja. Nuk do të thotë se nuk të pëlqen të shkosh nëpër festa ditëlindjeje. Njerëzit me Sindromën Down kanë të njëjtat dëshira si të gjithë të tjerët. Duan të krijojnë marrëdhënie të afërta, të ndjejnë dashuri, të japin kontributin e tyre, t’i japin jetës kuptim, dhe të shkojnë në festa ditëlindjeje. Ndonjëherë, mund të jetë e vështirë ta kuptosh tim bir. Por buzëqeshja dhe dashuria që përcjell, nuk ka nevojë për interpretim.

Dua që ta dini gjithashtu se edhe unë kam qenë si ju. Kam përjetuar frikë, turbullira dhe keqinformim për Sindromën Down, përpara se të lindja djalin tim. Isha e shqetësuar sepse mendoja se fëmijët e mi të tjerë nuk do të mund të krijonin me të një lidhje vëllazërore, si të gjithë fëmijët e tjerë. Por gabohesha. Në fakt, fëmijët e mi janë më të afërt se shumë vëllezër të tjerë. Të pasurit një vella me Sindromën Down, i ka ndihmuar të bëhen njerëz të ndjeshëm, të cilët e dinë se të jesh paksa ndryshe nga të tjerët, është OK. Nuk kanë frikë ta ndihmojnë dikë që po vuan probleme. Nuk kanë frikë t’i afrohen dikujt që nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht. Si shpërblim, kanë marrë kaq shumë dashuri dhe gëzim, pasi vëllai i tyre është shoku i tyre më i mirë.

Ndoshta nuk keni ditur ç’ti thoshit fëmijës suaj sepse ndoshta ai nuk e donte djalin tim në festën e tij. Ndoshta e keni lënë atë të vendosë, e të besojë se është OK të përjashtosh dikë. E di që është e vështirë t’i mësosh fëmijës tënd diçka që nuk arrin ta kuptosh plotësisht as vetë. Edhe unë përballem me këtë. Por është mundësia më e mirë për t’i dhënë vetes një mësim të mirë, bashkë me fëmijën tënd. Me kohë, do ta kujtojnë atë që i keni thënë, se nuk është OK të përjashtosh dikë vetëm prej aftësisë ndryshe, racës apo gjinisë. E di që edhe ju doni për fëmijën tuaj të njëjtat gjëra që unë dua për fëmijën tim. Si prindër, duam që fëmijët tanë të kenë simpati, të kenë miq, dhe të mos lihen vetëm. Këtë e arrijmë duke u dhënë shembullin tonë, duke u dhënë kurajo që të bëjnë zgjedhje që ndoshta tani nuk mund t’i kuptojnë plotësisht. Por kur të kthejnë kokën pas një ditë, kur të jenë të aftë të kuptojnë dhe të njohin atë çfarë u patët thënë. Jam e bindur se me pak shtysë nga ana juaj, fëmija juaj mund të krijojë një miqësi të vërtetë me djalin tim, që do t’u lërë një mbresë të mirë për të gjithë jetën.

Derisa kjo ndodhi, nuk e kisha kuptuar se Sawyer nuk është ftuar pothuajse në asnjë festë ditëlindjeje të shokëve të klasës vitin e fundit. Fëmijët po arrijnë atë moshë kur ftesat e tyre janë shumë të përzgjedhura, dhe Sawyer mesa duket nuk është përfshirë nga asnjëri prej tyre. Prindërit e tjerë të fëmijëve me Sindromën Down që njoh, e kanë nisur vitin shkollor duke edukuar klasën mbi këtë sindromë, por unë këtë s’e kam bërë.

Për mua, ai ka qenë gjithmonë thjesht, Sawyer, e nuk e kam ndier nevojën për t’i folur klasës së tij mbi Sindromën Down, deri në këtë moment. Po kuptoj se e kam zhgënjyer tim bir. Kam lënë të kalojë një vit të tërë pa bërë asgjë për të edukuar edhe familjet e tjera. Ndoshta, nuk do të ishim në këtë situatë tani. E kuptoj se është detyrimi im si prind, që të edukoj më shumë njerëz, mbi atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down, dhe sesi ata kanë më shumë ngjashmëri me të tjerët sesa ndryshime. E di që është shumë e rëndësishme të flasësh për këtë, dhe unë jam mëse e përkushtuar që ta përmirësoj këtë pjesë.

Ju lutem, ta dini se unë jam këtu për të folur, nëse dëshironi. Mund të jem një nënë tepër mbrojtëse, por nuk jam njeri i frikshëm. E kuptoj që gabime bëjmë të gjithë, dhe në fund të ditës, të dy ne mund të kishim bërë më mirë’

 

 

 

*Letra është publikuar në Facebook nga nëna, zonja Jennifer Kiss-Engele, nga Kanadaja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top