“Nuk je vetëm”… mund të duket klishe si shprehje, ama qëllimi në vetvete ka një mision tejet human. Këshillim falas nga ekspertët më të njohur vendas kundrejt target grupit shoqëror më të ndjeshëm siç është rinia. Përmes uebit me të njëjtin slogan, ky është projekti i parë i cili u vjen në ndihmë të rinjve me një shërbim online, të shpejtë në kohë dhe në gatishmëri për t’u zgjidhur çdo dilemë moshore dhe jo vetëm. Fondacioni “Together Albania” referuar nevojave për këshillim, por dhe zgjidhjes së një hallke kyçe që për shumë prej tyre nuk mund të përballohet financiarisht, ka gjetur bashkëpunimin e shumë profesionistëve, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre kundrejt këtij kontributi social. Sipas drejtuesve të uebit, kjo faqe do të ofrojë: këshillim falas, ruajtje të anonimatit dhe profesionalizëm në ushtrimin e kësaj detyre të rëndësishme. Është krijuar një grup ekspertësh profesionist të fushave të psikologjisë, mjekësisë, etj., të cilët e ofrojnë këtë shërbim në mënyrë vullnetare. Qëllimi është: të rritet sa më shumë mirëqenia psiko-sociale e të rinjve. Për Milena Harito, Ministre e Inovacionit e që ka mbështetur këtë iniciativë, risia e këtij uebi është: “Vlerë e shtuar për websferën shqip, për të rinjtë që kanë nevojë të flasin e t’i kërkojnë ndihmë dikujt nukjevetem.al”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.