Gimi u rrit me një nënë emocionalisht të munguar. Një grua që, qoftë për shkak të plagëve të veta, qoftë për shkak të paaftësisë për t’u lidhur emocionalisht, i përcillte mesazhin:
“Nuk e meriton kohën dhe vëmendjen time.”
Fëmija-Gimi bëri atë që bëjnë të gjithë fëmijët. Nuk e fajësoi nënën, fajësoi veten:
“Faji është imi. Nuk jam i mjaftueshëm që ajo të më kushtojë vëmendje. Pra…, duhet të përpiqem më shumë.”
Kështu lind trauma e refuzimit.
Më pas, Gimi i rritur e mban brenda vetes këtë kapitull të pazgjidhur. Dhe pa e kuptuar fare…
Kërkon në fytyrat e grave që njeh…
Jo thjesht dashurinë…
Por mundësinë për të ndryshuar historinë e vjetër.
Do të tërhiqet sërish e sërish nga gra që e shpërfillin. Që e mbajnë në periferi. Që i japin vetëm thërrime sigurie.
Pse?
Sepse shpirti i tij ka mësuar se:
“Dashuria = të ndjekësh dikë që s’të do.”
Dhe kur, nga fati (i keq për të), i del përpara një grua e disponueshme, e dhënë, e butë…
Gimi do të ndiejë…
Mospërfillje. Një lloj boshllëku. Humbje tërheqjeje.
Jo sepse ajo nuk i pëlqen…
Por sepse truri i tij nuk e njeh këtë si “dashuri”.
Nuk përputhet me plagën që ai njeh.
Gimi jeton i ngujuar në një model:
Zgjedhje – Refuzim – Dhimbje – Shpresë – Dhe gjithçka nga fillimi.
Çdo njohje e re i duket në fillim si një fillim i ri…
Por më herët a më vonë…, e gjen veten në të njëjtën skenë. Dhe sa më shumë që ky model përsëritet…
Aq më e thellë bëhet plaga në shpirtin e tij. Dhe diku aty…, fillon të besojë se:
“Kështu është jeta ime.”
“Kështu janë gratë.”
Ose edhe më keq…
“Kështu jam unë…, i prishur.”
Ndryshimi vjen kur Gimi ndalon së kërkuari konfirmimin nga ata që e di që nuk do ia japin kurrë.
Kur e kupton se…,
Nuk i mungon ajo grua e caktuar…,
I mungon ndjesia se meriton dashuri.
Dhe këtë…
Nuk do ia japë asnjë lidhje e re…
Nëse nuk ia jep më parë vetes.
Shërimi nuk është të gjejë “gruan e duhur”.
Është të përballojë zbrazëtinë e brendshme që ndien kur është me dikë që e do vërtet.
Të qëndrojë…
Të mos e sabotojë…
Të mos e shkatërrojë vetëm pse i duket…, “e mërzitshme.”
Ah, more Gimi!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.