Sigurisht që nuk ka asnjë prind të keq, por ka prindërim jo të mirë. Kjo ndodh si pasojë e një fëmijërie jo të mirë nga ana e prindit gjithashtu një formim jo të kuruar më vonë. Ka disa sjellje prindërore të përkthyera në fjalë që ndikojnë shumë negativisht në formimin e personalitetit të fëmijës. Ndaj është shumë e rëndësishme që prindërit të marrin masa në lidhje me mënyrën se si transmetojnë edukimin. Pjesa më e madhe e sjelljeve jo të mira gjatë prindërimit vjen si pasojë e një fëmijërie jo të mirë ku modeli i prindërimit ka lënë gjurmë jo të mira në fëmijërinë e hershme.
Asnjë prind nuk mund të jetë prindi perfekt që fëmija ka nevojë dhe dëshiron. As prindërit tanë nuk ishin perfekt. Si rezultat, shumë prej nesh mbajnë plagë të fëmijërisë që rëndojnë dhe na mbajnë larg nga potenciali ynë i plotë si prindër.
Nëse si fëmijë ke kaluar trauma, probleme emocionale atëherë ke nevojë për riprindërim pasi disa nevoja thelbësore nuk janë përmbushur. Riprindërimi i fëmijës së brendshëm ju fuqizon të kapërceni dhimbjen nga fëmijëria, të ri-edukoni veten tuaj, të hapni plagët për t’i shëruar ato, dhe për të qenë prindër më të mirë.
Fëmija ynë i brendshëm është thelbësor për marrëdhëniet që ndërtohen me të tjerët. Ndikon në dashurinë, besimin dhe sigurinë që ndjeni si të rritur. Nëse dëshiron të rregullosh marrëdhënien me fëmijën tënd atëherë së pari duhet të rregullosh marrëdhënien me veten. Është e rëndësishme të mirëkuptosh fëmijën brenda vetes, duhet të jesh empatik dhe të reflektosh. Ky reflektim krijon një mundësi për ta parë fëmijën tënd si dikë që ka nevojë për dhembshuri në vend të ndëshkimit, që ka nevojë për dashuri, mirëkuptim dhe empati.
Fëmijëria e hershme ndonjëherë lë plagë në personalitet por, si të rritur ne kemi përgjegjësinë e shërimit të vetvetes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.